Partia Demokratike ka nisur dje fushatën elektorale brenda partisë, me zgjedhjet e kandidatëve për deputetë. Votimi i parë u mbajt në Kukës, ku garojnë 17 kandidatë. Kjo është faza e tretë e përzgjedhjes dhe në fazën e fundit do të jetë Kryesia dhe kryetari Lulzim Basha që do të vulosë listën përfundimtare. Të zgjedhurit e anëtarësisë do të përbëjnë jo më pak se 80% të listës finale.
Nga Blerina Gjoka
Partia Demokratike, partia më e madhe në opozitë, ka nisur dje nga Kukësi procesin e votimit të kandidatëve për deputetë në bazën e partisë, me parimin një anëtar-një votë. Kjo mënyrë përzgjedhjeje, e para e këtij lloji që aplikohet nga një parti politike shqiptare, pritet të nxjerrë emrat e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të kushtëzuar nga pandemia e COVID-19 anëtarët e kësaj partie në Kukës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur mes 17 emrave që kanë ardhur nga qendra. Kjo është dhe faza e tretë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, pasi në fazën e parë u mblodhën të gjitha propozimet e bëra nga baza dhe më tej u seleksionuan nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.
Anëtarët e thjeshtë do të japin “votë negative”, pra do të heqin me shënim vetëm ata emra që nuk i duan dhe kështu i japin pjesës tjetër konfirmimin për të vijuar në fazën tjetër. Faza e fundit do të jetë miratimi i listës në Kryesinë e partisë dhe do të marrin miratimin final të kryetarit Lulzim Basha. Por, Kryesia nuk mund të ndryshojë më shumë se 20 për qind të listës së ardhur nga baza, duke i dhënë asaj mundësinë që me votën e saj të përcaktojë të paktën 80 për qind të emrave që do të jenë në listën e 140 kandidatëve për parlamentin e 2021-shit.
Procesi, si një hapje e PD-së
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi nga Kukësi se me anë të këtyre zgjedhjeve brenda vetes PD-ja ka nisur fushatën elektorale me një hap të madh për fitoren e thellë të Partisë Demokratike, me hapin e përzgjedhjes së ekipit më të mirë me të cilin ajo do t’u prezantohet qytetarëve. “Sot, qytetarët shqiptarë me këtë proces që e nisim nga Kukësi, kanë mundësinë të shikojnë dallim midis një partie, Partisë Demokratike, që përzgjedhjen e kandidatëve ua beson qytetarëve dhe anëtarëve të saj, dhe partisë së kryeministrit në ikje, që kandidatët i përzgjedh në bashkëpunim me Niçen dhe shokët e tij.
Bardhi i ka bërë thirrje çdo anëtari të Partisë Demokratike që të marrë pjesë në këtë proces, pasi, sipas tij, “kjo ndodh për herë të parë në një parti politike, ku vullneti i anëtarëve dhe qytetarëve shqiptarë është ai që do të përcaktojë ekipin me të cilin ne do t’u drejtohemi dhe do t’u kërkojmë votën qytetarëve shqiptarë”. Bardhi e cilësoi këtë proces votimi shumë të rëndësishëm.”Është i rëndësishëm jo vetëm për Partinë Demokratike, por është i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse jep një model demokratik për mënyrën se si funksionon një parti politike.
Do të ishte shumë mirë sikur të gjitha partitë politike në vend të ndiqnin një proces të ngjashëm, që kandidatët të mos i përcaktonte krimi i organizuar, që kandidatët të mos i caktonin paratë e pista të krimit të organizuar, por kandidatët t’i caktonin qytetarët”- tha ai para mediave. Ndërsa ish-deputeti Edmond Spaho, nga qyteti i Hasit, tha se “një parti e hapur, ku sundon demokracia, është garanci për një qeverisje të mirë, ekonomi të zhvilluar, institucione të qëndrueshme, drejtësi për të gjithë dhe progres drejt BE-së”. Votimi që nisi dje do të zgjasë deri më datë 10 tetor, pasi do të bëhet çdo ditë në 1 qark dhe do të zgjasë rreth 2 javë.
Anëtarët do të kënë mundësi të kontestojnë 1 kandidat, ose të konfirmojnë listën në bllok. Qarku i fundit që do të përmbyllë votimet do të jetë Tirana, që është dhe qarku më i madh në vend e përballet edhe më me shumë emra kandidatësh për 34 ose 35 mandate deputetësh që nxjerr për Kuvendin.
Fituesit sërish në dorë të KVK-së
Kandidatët që shkojnë për vlerësim në anëtarësinë e partisë janë rreth 400 emra, nga 1000 emra që ishte numri i tyre në fazën e parë të vlerësimit. Ata u përzgjodhën nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, që ka shqyrtuar fillimisht kriteret formale. Por PD-ja ka bërë të ditur zyrtarisht se pas mbylljes së procesit të votimit nga anëtarësia, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve do të mblidhet sërish për t’i vlerësuar kandidatët mbi kriterin e performancës politike dhe maksimalizimin e votës. Vendimi përfundimtar i Komisionit do t’i shkojë për miratim Kryesisë së PD-së. Lista përfundimtare do të hartohet sipas formulës 80% + 20%. Lista përfundimtare e kandidatëve do të duhet të plotësojë disa kritere përqindjeje, që do të kushtëzojnë futjen në listë edhe për ata që e kanë marrë ndërkaq pëlqimin e anëtarësisë.
Kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia, pra ata që nuk kanë marrë vlerësim negativ gjatë votimit, do të përbëjnë jo më pak se 80% të listës përfundimtare të kandidatëve, ndërkohë që jo më shumë se 20% e listës së kandidatëve do të jenë në dorë të Kryesisë së partisë. Ky 20-përqindësh pretendon se do të sjellë emra të rinj për partinë, që në udhëzimin e këtij procesi janë përcaktuar si “prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile, përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve, përfaqësues të diasporës, përfaqësues të sipërmarrjes, personalitete politike me kontribut të gjatë në parti etj.” Por nuk është vetëm kjo ndarje që do të ndikojë në hartimin e listës përfundimtare. Një përqindje që duhet plotësuar është kuota gjinore që është e detyrueshme dhe me ligjin zgjedhor.
Përfaqësimi i grave duhet të jetë jo më pak se 30% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Ndërkohë vetë PD-ja në udhëzimin e saj, të hartuar nga sekretari i përgjithshëm, Gazmend Bardhi, dhe i miratuar nga Kryesia, ka garantuar dhe përfaqësimin e të rinjve jo më pak se 10% e listës. Prioritet do t’i jepet dhe përfaqësimit të shtresës së të përndjekurve politikë dhe pronarëve, por nuk është caktuar një përqindje detyruese për këto kategori.
KANDIDATËT E QARKUT KUKËS
Dega Kukës
- ADMIR SINAMATI
- ARBEN ÇEJKU
- BASHKIM SHEHU
- IBRAHIM BRUKA
- SAHIT PRIZRENI
- VJOLLCA VATA
Dega Tropojë
- BESNIK DUSHAJ
- FERIDE RRAHMANI
- ISUF ÇELA
- LUSH SUSAJ
- MIMOZA HAJDARMATAJ
- XHEM NEZAJ
Dega Has
- AVENIR PEKA
- DEMUSH KASTRATI
- ELEZ MAÇI
- ISMET JAKU
- ZENEL KASTRATI
Kalendari i votimeve
Qarku Kukës – 25 shtator
Qarku Dibër – 26 shtator
Qarku Gjirokastër – 27 shtator
Qarku Berat – 28 shtator
Qarku Shkodër – 30 shtator
Qarku Lezhë – 1 tetor
Qarku Durrës – 3 tetor
Qarku Elbasan – 4 tetor
Qarku Vlorë – 5 tetor
Qarku Korçë – 7 tetor
Qarku Fier – 8 tetor
Qarku Tiranë – 10 tetor /Ra.My.Fjala.al/