Nga Erald Shulla
Prej muajsh nuk ndalin debatet e diskutimet dhe propozimet që siç ngrihen, po ashtu rrëzohen poshtë, njëra pas tjetrës, si gjethet e vjeshtës buzë Lanës. Vazhdojnë sulmet politike midis palëve, a thua se në vendin tonë do të ndodhë një ngjarje e madhe, historike për mbarë njerëzimin.
Ndërkaq, hapja apo moshapja e listave në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm është çështja e nxehtë që për muaj të tërë diskutohet në tryezën e Këshillit Politik me kaq shumë përpjekje të pafundme midis palëve, për zgjidhjen që do t’u ofrohet shqiptarëve si shpikja e madhe e shekullit. Mazhoranca, e cila gjatë gjithë kohës nuk ka pasur asnjë qëndrim të qartë, por sillet herë kështu e herë ashtu.
Sa që prej shumë kohësh duket se as vetë ajo nuk e dinte se çfarë donte, e jo më të dinte se çfarë donin në të vërtetë shqiptarët. Si duan realisht të votojnë qytetarët? Kemi dëgjuar lloj-lloj variantesh të ndryshme nga propozimet e mazhorancës. Një herë deshiron të jenë lista çerek të hapura, pastaj një variant me lista gjysmë të hapura, e më vonë propozon lista treçerek të hapura, dhe më në fund nxori atë që nuk e priste askush: “Lista preferenciale”!!!
Halli, në të vërtetë, është tjetërkund për mazhorancën, i votojnë apo jo qytetarët, ata duan të vendosim një model që t’u sigurojë praninë “preferenciale” në Parlament. Winston Churchill ka një postulat: “Politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm, e jo për zgjedhjet e ardhshme”.
Po ku ndryshon kodi zgjedhor që kemi tani me lista të mbyllura, me modelin e ri që propozon mazhoranca me lista preferenciale? Nuk mendoj që ka ndonjë ndryshim midis dy modeleve me lista të mbyllura dhe këtij me lista preferenciale që propozohet. Te listat e mbyllura listohen emrat e kandidatëve nga i pari i listës së qarkut deri tek i fundit. Shanset për të qenë në Parlament i kanë vetëm të listuarit në krye.
Qytetarët votojnë vetëm për siglën e partisë, sepse kandidatët që përbëjnë listën e partisë janë të listuar më parë nga preferenca e kryetarit apo e “bazës së partisë”. Propozimi i mazhorancës për ndryshimin e kodit, për të qenë me lista preferenciale, nuk ka asnjë ndryshim me atë model që kemi aktualisht.
Propozimi i mazhorancës është që të kemi përsëri listim emrash “jesmenesh” nga i pari tek i fundit, me një ndryshim, i cili është si shtesë për t’u justifikuar përpara opinionit publik apo qytetarëve që ka ndryshuar diçka. Por, në fakt, nuk ndryshon asgjë. Pse nuk ndryshon asgjë midis dy modeleve?
Sepse propozimi thotë që një kandidati të listuar në fund të listës preferenciale i duhet të thyejë ligjet e gravitetit për të dalë deputet. Kandidatit të listuar në fund i duhet të marrë vota po aq sa i duhet të marrë vota një kandidat i pavarur për të dalë deputet, që të ketë mundësi për të zëvendësuar një nga kandidatët e listuar në krye, qoftë ky dhe me zero vota. Pra, nga modeli që kemi me lista të mbyllura, po shkojmë në një model akoma edhe më të mbyllur. Tashmë me preferencë të drejtpërdrejtë nga kryetari.
Mazhoranca me këtë propozim vazhdon të distancohet edhe më shumë në vetminë e saj, ndoshta prej efekteve të pandemisë, që nuk diti t’i menaxhojë siç duhet. Dorëzimi ndaj sistemit të falimentuar shëndetësor në vend, krizës së madhe ekonomike ku është zhytur vendi po e çojnë mazhorancën e Edi Ramës në një mbyllje totale.
Mazhoranca e vendit tonë nuk e mendon që me lista të mbyllura politika jonë vazhdon në regres, prodhon vetëm politikanë virtualë. Të cilët nuk e dinë as kush i ka votuar, as pse i ka votuar, por dinë vetëm që janë të preferuarit e shefit të partisë dhe s’kanë asnjë lloj përgjegjësie ndaj qyteteve dhe qytetarëve që i kanë zgjedhur.
Otto Von Bismarck thoshte: Me ligje të këqija e funksionarë të mirë, edhe mund të qeveriset; por me funksionarë të këqij, ligjet e mira nuk shërbejnë për kurrgjë”. Neve, fatkeqësisht, po na ndodhin të dyja, edhe funksionarë të këqij edhe ligje të këqija. Po sikur të mos e lodhim popullin me zgjedhje kësisoj, derisa mazhoranca të gjejë një popull tjetër?