Nga Spartak Ngjela
Dy janë aspektet që preken nga arsyeja në zhvillimet aktuale politike: çështja e listave zgjedhore; dhe, ndryshimi i sistemit në Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutë. Në çdo shoqëri, ose çdo shtet ku qeveria ose qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën, nuk kanë krijuar dot prodhimin kombëtar me anë të të cilit të formohet mirëqenia kombëtare, politika është një spekulim verbal dhe asgjë tjetër.
Në funksion të kësaj, na duhet të themi se, si mund të flitet për sistemin zgjedhor apo Kodin Zgjedhor, kur të dyja partitë e mëdha, që ndërrojnë pushtetet në Shqipëri, nuk i pranojnë zgjedhjet e lira? Arsyeja kryesore që Shqipëria prej vitit 1996 ndien mungesën e votës së lirë, është fakti që të dy krahët e politikës nuk e dëshirojnë votën e lirë, por gjithmonë kanë menduar për llojin e manipulimit.
Po ta shohësh me një arsye të ftohtë, kupton se janë dy arsye pse Shqipëria është në këtë gjendje; sepse aktorët e politikës së lartë, pavarësisht nga krahu që përfaqësojnë, nuk e respektojnë popullin e tyre dhe as që duan t’ia dinë për jetën e tij. Për shkak se janë të tillë, nuk lejojnë as votimin e lirë. Sipas kësaj logjike, ankthi për vetveten, pasioni për pasuri të paligjshme dhe dëshira për pushtet i ka shtyrë në një renegim historik, i cili ka ndaluar zhvillimin shqiptar.
2.
Kjo është arsyeja thelbësore që është e kotë të flasim për zgjedhje politike në Shqipëri, sepse krerët e politikës aktuale në të përgjithshmen e tyre janë uzurpatorë. Por, brenda këtij koncepti që është i vërtetë, befas ka ndërhyrë politika amerikane dhe politika e BE-së, për ta ndryshuar gjendjen, me anë të reformës në drejtësi dhe reformës antikorrupsion.
Brenda analizës që po vijojmë, për faktin që qëndron analiza e pjesës parë të këtij artikulli, na duhet të vëmë në dukje se shqiptarët e kuptojnë se sot, as zgjedhje të lira nuk do të ketë, as mirëqenie kombëtare nuk do ketë, dhe as zhvillim kombëtar në rast se nuk eliminohet klasa politike e korruptuar. Korrupsioni është një sëmundje që nuk mund të shërohet dot me forcat e brendshme të një shoqërie, pa kaluar minimuni një periudhë lufte 50-vjeçare.
Kjo ishte dhe gjendja e Shqipërisë, por interesi i madh që kanë partnerët tanë të mëdhenj që Shqipëria të jetë me një zhvillim me tjetër frymë dhe ky të jetë ligji, na dha mundësinë të krijonim me forcën e tyre korpusin ligjor të eliminimit të të dy krahëve të korrupsionit shtetëror në Shqipëri; pushtetit gjyqësor dhe politikës së lartë.
3.
Duke u nisur nga ato që theksuam në dy aspektet e mëparshme të këtij artikulli, arrijmë në konkluzionin se kështu siç janë ende tendencat e zhvillimit dhe të drejtimit shtetëror në Shqipëri, zgjedhjet e vitit 2021 nuk mund të kenë asnjë vlerë. Por, duke u përqendruar tek ajo që thamë më lart, me reformë antikorrupsion, gjendja me arsye, realizon një shpresë, vazhdimin e reformës në drejtësi dhe institucionalizimin e reformës antikorrupsion në politikën e lartë shtetërore.
Reforma antikorrupsion në pushtetin gjyqësor është duke ecur në mënyrë normale, as ngadalë dhe as shpejt, kurse reforma antikorrupsion për politikën e lartë shtetërore i ka mbaruar 2/3 e inistitucionalizimit të saj, në atë institut, i cili quhet SPAK, sepse është ndërtuar, edhe Prokuroria e Posaçme, edhe Gjykata e Posaçme. Këto janë dy institucione, të cilat merren drejtpërsëdrejti me korrupsionin e lartë shtetëror dhe krimin e organizuar; sepse korrupsioni i lartë shtetëror nuk mund të ekzisojë pa marrëveshje me krimin e organizuar.
Në funksion të kësaj reforme, aktualisht pritet të ngrihet institucioni i tretë i SPAK-ut: Byroja Kombëtare e Hetimit. Brenda analizës që kemi bërë deri tani, kuptohet se bashkë me zgjedhjet e vitit 2021, paralel me përgatitjen e tyre nga ana e partive politike, ecën edhe reforma antikorrupsion në nivelet e larta të politikës. Krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila aktualisht e ka nxjerrë kryetaren e vet dhe po pret hetuesit, që mendohet të vijnë deri në fund të tetorit dhe pak më tej, gjatë muajit nëntor, është momentum-i thelbësor kur do të fillojë në mënyrë konkrete goditja antikorrupsion në qarqet e larta të politikës shtetërore shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye, ecja paralel e antikorrupsionit me përgatitjen e zgjedhjeve 2021 pritet të jetë një fenomen i ri për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Pse? Sepse, të gjithë të akuzuarit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas dosjeve që janë të grumbulluara dhe janë të studiuara edhe ndërkombëtarisht, personat politikë të akuzuar, nuk do kenë të drejtë të kandidojnë si deputetë. Prandaj, opinioni analitik i gjendjes në Shqipëri po pret fenomenin që të ecë sipas rrjedhës ligjore.
Në funksion të kësaj, na duhet të theksojmë se analiza e plotë për konceptimin real të zgjedhjeve që do të vijë në prill të vitit 2021, do të fillojë të bëhet atëherë, kur Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme të kenë filluar punën konkrete, kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, me emra konkretë.
Në lidhje me këtë pritshmëri, në fund të këtj artikulli na duhet të theksojmë se shpëtimi i Shqipërisë nga korrupsioni, abuzimi, keqqeverisja, trajtimi pa sens moral i shoqërisë shqiptare nga korrupsioni i lartë shtetëror, do të hyjë në fundin e vet gjatë dy muajve të fundit të vitit 2020, ose tre muajve të parë të vitit 2021. Sipas kësaj analize, kuptojmë se zgjedhjet e vitit 2021 e presin veten si të lira, paralel me reformën antikorrupsion të qarqeve të larta politike./Jo.Be/Fjala.al