Beqiri, kur po shkonte në ferr, mbante foton e Enverit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Frrok Çupi

Ndoshta do të kishte hyrë në harresë tregimi tragjik me udhëheqësin komunist, nëse nuk do të na shfaqeshin hijet e tij në postkomunizëm. Po dëgjoj udhëheqësit e Demokratikes që po mallkojnë Lul Bashën pse ‘na degdisi’ përtej. Edhe Jozefinën, kryetare e Kuvendit, e kam dëgjuar kështu…

Beqiri (Balluku), anëtar i përjetshëm i Byrosë Politike, mik për kokë i diktatorit, tek e shtynë në makinën e zezë ‘Gaz 49’, për ta pushkatuar në humnerat e Dajtit, nxori nga gjoksi fotografinë e Enver Hoxhës dhe nisi ta puthë: ‘Ah sikur ta dinte ky burrë çfarë po bëni me mua! Ah sikur ta dinte ky!’. Një nga djemtë e Beqirit ka thënë se ‘këtë nuk e besoj’, por sigurisht e ka thënë se tani ky akt tingëllon ‘i turpshëm’. Mandej, ç’është e vërteta, Beqiri, mes atyre të Byrosë, ishte burrë nga ata që nuk i afrohej lehtësisht turpit.

Nuk ka ndodhur vetëm me Beqirin, ka ndodhur me të gjithë shokët e diktatorit që i dërgoi përtej kësaj bote; gjithë besimtarët në komunizëm kanë shkuar në ferr duke bërë ‘dua’ para figurës së të parit. Kudo, jo vetëm këtu. Në filmin ‘The Burnt Sun’ që ka për temë diktaturën sovjetike, personazhi kryesor, mik i afërt i Stalinit, teksa e dërgonin me ‘Gaz 49’ drejt vdekjes, kërkonte nëpër xhepa numrin e telefonit të mikut të tij, Stalinit.

Sinqerisht, me mundimin për të mos bërë paralele, por më duket se në shekull tjetër si ky, Jozefina shfaqet si heroi i filmit sovjetik. Edhe Azemi ashtu më është dukur dikur, edhe Genc Ruli – po kështu, Leka Meksi kështu, Gramozi – kështu… edhe të gjithë të dëbuarit nga Partia Demokratike. Bën pak përjashtim vetëm Ibseni i Kukësit, i cili ka nisur të thotë se politikat në PD i bën Berisha, jo Luli. A e dinë vallë ‘të pushkatuarit’ demokratikas se ai që puthin në foto, ai është i pari, jo Luli.

Si gjithçka tjetër, të mirë e të zezë në PD, edhe politikat e përjashtimeve dhe ‘djegieve’ si në ‘diellin rus’ i ka bërë vetë doktor Berisha.

Po këta pse akuzojnë Lulin, vallë?

1.

Nuk e besoj naivitetin ekstrem tek të gjithë; por mendoj se këtë e bëjnë për ‘strategji’. Ata e dinë se Luli nuk ka gjë në dorë në PD; ai kurrë nuk ka guxuar të deklarojë në publik: ‘Partia Demokratike tani e tutje jam unë!’. Të paktën aq sa bëri kandidati demokrat Biden në Amerikë që tha ‘Jam unë Partia Demokratike, jo Berns’.

A nuk e dinë këtë Jozefina e shokët?… Por strategjia është që ‘të ruajmë një derë hapur për nesër’, duke goditur atë që mund të goditet edhe prej të parit. Luli nesër mund të jetë në rrugë – si edhe këta. Edhe Beqiri, Kadriu, Abdyli, Koçi…, nga Byroja Politike, nuk besoj se nuk e dinin se ishte Enveri ai që po i pushkatonte. Por ata linin pas fëmijë e familje, dhe ‘fotografia’ ishte përkëdhelja e fundit ndaj autorit të vërtetë. Ndërsa liderët e sotëm ruajnë ‘një dritare për nesër’ që të kthehen në PD.

Lexo edhe :  Tentoi të fuste karburant kontrabandë nga Maqedonia e Veriut, arrestohet 54-vjeçari

2.

Si të dëbuarit, ashtu edhe autorët e dëbimit në parti nuk dinë çfarë përfaqësojnë. Të dëbuarit, nëse do të përfaqësonin ide dhe popull, atëherë nuk do të vinin rrotull ‘shtëpisë së partisë’, as do ta çanin kokën për të gjetur një hyrje nga dritarja; në popull dhe në ide do të ishin mbështetur si politikanë të suksesshëm edhe pa PD-në.

Por qysh prej fillimit do të kishin qenë politikanë me ide dhe jo vetëm me interesa, e tani me nervozizëm. Pjesa më e madhe e politikanëve në PD, si parti e re e fillestare e pluralizmit, janë politikanë ‘marrës’ dhe jo ‘dhënës’. Ata morën poste, privilegje, ndoshta edhe pasuri të madhe, por nuk dhanë ndonjë gjë. Partia Demokratike deklaroi se ishte e djathtë, por, në fakt, gjithë shfaqja dhe akti i saj janë majtiste thuajse në ekstrem.

Qoftë edhe ky fakt, që i pari i PD-së përjashton sa herë do, figurat e partisë, dëshmon për një majtizëm të fillimit të shekullit të kaluar. Nëse do të kishte sado pak filozofi borgjeze në PD, askush nuk mund ta përjashtonte tjetrin. Aq më tepër që themeluesit e PD-së janë trajtuar si ‘sovjetë’ qysh prej fillimit, duke i përjashtuar, ose edhe duke rrezikuar më shumë. Në një koncept borgjez, themeluesit e partisë janë ‘aksionarë të përjetshëm’ të saj. Graviteti është konstrukt social i të djathtës, por as këta që përjashtohen, as ata që pushkatojnë politikisht nuk i afrohen idesë së djathtë.

3.

A mund t’u themi të dëbuarve përmes një gjuhe të thjeshtë se këta nuk kanë kuptuar asgjë nga procesi që po ndodh në ‘shtëpinë e partisë’ së tyre!? Këta mund të zemërohen me frazën që thashë. Por nuk e dinë pse kryhet procesi i dëbimit, proces që një ditë mund të kapë edhe vetë Lulin që këta e akuzojnë si autor. Mekanizmi është i thjeshtë: Partia Demokratike do të vazhdojë të mblidhet për ditë e më shumë ‘si një klan ose familje’.

Në këtë rast kanë të drejtë të gëzohen si Jozi, Ben Imami, Astrit Patozi, Leka Meksi, Genc Ruli… Pse? Sepse nuk qenkan zgjedhur si pjesëtarë të ‘fisit’. Partia Demokratike është duke u zvogëluar, njësoj si fisi zvogëlohet gjatë viteve. Trajta e saj tribale është një kusht mbijetese, aq më shumë që detyra e parë e PD-së është të mbrojë ‘veprën e keqe’ të liderëve, jo të hapet drejt të nesërmes…

Këta, megjithatë, me siguri po mendojnë se është më mirë ta mbajnë ‘fotografinë e Enverit’, sido që të vijë puna./Jo.Be/Fjala.al

 

Të fundit

Olta Xhaçka thellon avantazhin ndaj Blerina Gjylametit në Tiranë! Ja renditja

Vijon numërimi i votave preferenciale në Tiranë. Ish-ministrja Olta Xhaçka ka kaluar kolegen e saj, Blerina Gjylameti me 55...

Ja çfarë fiton një shtet kur merr çmimin e parë në Eurovision

Kur një vend fiton Eurovisionin, nuk është thjesht një trofe i bukur që zbukuron zyrat e televizionit kombëtar. Fitorja sjell një sërë avantazhesh të...

Elisa Spiropali: Papa i Ri, ura dashurie dhe dialogu në kohë trazirash

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjete sociale me rastin e fillimit të Pontifikatit të Shenjtërisë së...

Pse ka më shumë vota të numëruara se sa vota në total? Shpjegon Celibashi

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ishte këtë të diel në një lidhje direkte për Euronews Albania ku u pyet nga gazetarja Greta...

Joe Biden diagnostikohet me sëmundjen e rëndë!

Ish-presidenti Joe Biden diagnostikohet me kancer në prostatë. Një deklaratë nga zyra e tij tha se Biden, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë...

Lajme të tjera

Web TV