Paris/ Modë në kohë pandemie, sfilatë javore përgjatë lumit Sena

Modele femra dhe meshkuj kanë dalë njëri pas tjetrit për të prezantuar krijimet e markës, të cilat stilisti i cilësoi si pjesë të një pune të ngadaltë për shkak të karantinës.

Një festim ndryshe është organizuar në Paris për javën e modës, ku marka e njohur pariziene “AMI” i ka paraqitur veshjet në një sfilatë të mbajtur përgjatë lumit të Sena.

“Unë me të vërtetë e dua këtë koleksion, sepse është bërë gjatë karantinës. Kam punuar në zyrë, pra në studion time, ndërkohë që ekipi im punonte nga shtëpia, prandaj kemi punuar edhe shumë ngadalë.” –Alexander Mattiussi, stilisti i “AMI”.

Puna e vështirë është paraqitur si diçka e veçantë që ka si qëllim të rinisë jetën e modës dhe sfilatave.

“Ne kemi nevojë të festojmë pak. Kur kemi këtë lloj krize është shumë e lehtë të biesh në një gjendje depresioni.

Ndihem sikur ekziston një lloj sfide dhe përgjegjësie për të ecur përpara dhe të marrësh pjesë në këtë lloj “rifillimi”, shtoi ai.

Vizitorët duke zbatuar masat e Covid-19 e ndoqën këtë sfilatë kryesisht nga ana tjetër e lumit dhe nga ekranet e mëdha. Ru. Do/ Fjala.al