Konspiracionet/“Ekipi i fshehtë”, njerëzit që mbaronin punët e pista për qeverinë amerikane

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekipi i fshehtë, është një organizatë gjysmështetërore, gjysmëmafioze, e cila i ka shërbyer qeverisë amerikane, për të kryer shumë nga punët e saj të pista. Por gjithkush, që do të heqë mbulesën e kësaj ndërmarrjeje të rrezikshme konspirative, për të parë se ç’ka poshtë saj, dihet që ka një fund të paralajmëruar.

Deklarata me shkrim e Daniel Shijhanit ishte një dokument me merita të vërteta për historinë e një epoke, që më vonë shërbeu edhe për subjektin e një romani piktoresk. Dhe me të drejtë, sepse ai nuk është aq një dokument, i dhënë në gjyq, sesa një krijim artistik, epope, i mbushur me mister, grykësi dhe rrezik të kudondodhur, në stilin e Francis Ford Kopolës.

Deklarata është lëshuar në dhjetorin e vitit 1986 nga Daniel Shijhani. Avokat dhe aktivist shumëvjeçar i luftës për të drejtat qytetare, ai kishte punuar për procesin “Karen Silkuud” dhe kishte mbrojtur banorët autoktonë të Amerikës, të rrethuar në Undid Nij. (Undid Nij Krijk – vend në Dakotën Jugore, ku në vitin 1890 kavaleria amerikane rrethoi 350 burra, gra dhe fëmijë të fisit siuksi dhe pa mëshirë vrau më shumë se gjysmën e tyre).

Në mesin e viteve ‘80, Shijhani ishte kryekëshilltari juridik i “Kristik Institut”, “firmë avokature në mbrojtje të interesave shoqërore dhe qendër për politikën publike” në Uashington.

Duke iu referuar ligjit për organizatat e përziera në zhvatje dhe korrupsion (LOZHK), të cilin prokurorët e përdorin zakonisht, për të mbërthyer bosët e mafies, Shijhani u përpoq të sillte para drejtësisë krejt një “ekip të fshehtë” spiunësh, mercenarësh, trafikantësh të armëve dhe bashkëpunëtorë të tyre nga paradhomat e Shtëpisë së Bardhë. Ai i lidhte këta njerëz drejtpërdrejt me atentatin me bombë që u krye në konferencën e shtypit, që po jepte lideri i kontrasve nikaraguanë në La Penka, të Kosta Rikës.

Kundërrevolucionari Iden Pastor ishte mërzitur duke parë se si CIA i manipulonte kryengritësit antisandinistë. Ai thërriti një konferencë shtypi që të shpjegonte se përse ata veçoheshin nga grupet e tjera antisandiniste, sepse ata të tjerët tregojnë më shumë respekt për CIA-n, sesa për kauzën e kryengritjes. Akoma pa hapur gojën, dëgjohet një “bum” dhe Pastori e mbylli gojën përgjithmonë.

Klientët e “Kristik” ishin dy gazetarë, të plagosur gjatë atentatit. Duke pasur parasysh kuadrin e gjerë të ligjit, po qe se Shijhani do të arrinte ta lidhte atentatin me veprimtarinë e ekipit të fshehtë, do të kishte mundësi të rrëzonte krejt qeverinë në hije.

Deklarata doli në kohën kur qarkullonin lajmet për skandalin “Iran-kontri”. Me rritjen e tij, disa figura kryesore që lidheshin me të, dolën midis 29 personave, të akuzuar nga “Kristik Institut” për atentatin. Bota e nëndheshme, e përshkruar nga Shijhani, ishte e mbushur me agjentë të CIA-s, oficerë amerikanë, tregtarë armësh ose të gjitha këto së bashku, të kombinuar në persona si Riçard Sikerd, Oliver Nort, Xhon Hell, Tiodor Shekli, Tomas Klains, Akbert Hakim, Xhon Singlob, Eduin Uillson.

Deklarata bazohet nga hetime të bëra prej vetë Shijhanit, të cilat fajësojnë 70 vetë. Kjo është historia e një veprimtarie në zhvillim, e cila merret me shitje armësh kundrejt narkotikëve dhe anasjelltas, dhe natyrisht, qëllimi final i saj është të grumbullojë para. E lindur në Azinë Juglindore para tre dhjetëvjeçarësh, në vitet ‘80, ndërmarrja tanimë e kishte shtrirë rrjetin e vet në Amerikën Qendrore. Tregimi fillon në sfondin e ngjarjeve të stuhishme në Havanë, gjatë vitit 1959, në kohën e revolucionit socialist. E përshkruar në stilin “Kumbari, pjesa II”, konspiracionet ndjekin me shpejtësi njëri-tjetrin. Riçard Niksoni takohet me Robert Meihyn, specialist i çështjeve të sigurisë dhe spiun i fshehtë, për të diskutuar se si mund të siluronin qeverinë e re kubaneze.

Meihy e lidhi me elitën e botës së nëndheshme: Xhon Raselin, Sam Xhankanën dhe Santos Trafikanten. Ata grumbullojnë një ekip vrasësish, të cilët duhej “të ndihmonin” supersekretin “Operacioni 40” të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëllimi i të cilit ishte rrëzimi i Kastros.

Pjesëtarët e këtij operacioni sillnin në mënyrë të paligjshme narkotikë nga Kuba në Shtetet e Bashkuara. Përdorimi i mafies krijoi “probleme të mëdha me kontrollin”, por veprimtaria vazhdoi. Disa vjet më vonë, drejtuesit e “Operacionit 40” e orientuan veprimtarinë e tyre në Laos, një rajon që ende nuk ishte vënë në punë. “Fantazma bjonde” e CIA-s, Shekli dhe ndihmësi i tij kryesor, Tomas Klains, organizuan një ekip të ri vrasësish, duke përzgjedhur anëtarët e tij nga fisi laosian kmong. Komandanti i këtij reparti të vdekjes ishte gjenerali Xhon Singllobi, që më vonë themeloi organizatën e djathtë ekstremiste Unioni Botëror Antikomunist. Norti dhe Sikerdi shërbenin pranë tij. Reparti ndihmonte një narkobaron me emrin Van Pao në luftën e tij për territore, që bënte kundër dy rivalëve të vet në xhunglat laosiane.

Lexo edhe :  “Bëjmë realitet ëndrrën për Shqipërinë në BE”/ Pesë arsye përse duhet votuar PS!

Me pak ndihmë nga miqtë e vet, fatlumi, mister Pao, e arriti fitoren, pasi konkurrentët e tij në tregtinë e narkotikëve janë “vrarë në rrethana të paqarta”. Sipas Shijhanit, shumë shpejt pas kësaj Van Pao u takua me Santos trafikanten në një hotel sajgonez dhe lidhi me të marrëveshje për eksportim narkotikësh. Kjo veprimtari vazhdoi gjatë gjithë kohës së luftës në Vietnam, dhe gjatë gjithë kohës kryhej me aprovimin e plotë ose të pjesshëm të CIA-s dhe ushtarakëve. Operacioni “Feniks” gjatë të cilit janë vrarë 40000 drejtues vendas vietnamezë, ishte një nga këto aprovime zyrtare, që u kundërvihej të gjitha programeve të moralshme. Por edhe gjërave të bukura u vjen fundi. Mandati i “Feniksit” përfundoi. Atëherë Shekli, Klainsi dhe Riçard Armitixhi, që përshkruhet në deklaratë si “kasier” i kësaj gjysmëkorporate të pazakontë, “ndërmorën një fushatë supersekrete, të pasanksionuar nga CIA dhe filluan realizimin e një programi personal antikomunist, për vrasje politike dhe veprime ushtarake jokonvencionale”.

Kështu lindi ekipi i fshehtë. Kjo është historia që tregon Shijhani. Riçard Sikerdi dhe Tomas Klajnsi “i nxorën fshehtas paratë e opiumit me valixhe të mëdha dhe i shpunë në Australi. Atje i futën në llogari personale të fshehta, të cilat do të shërbenin për të financuar “veprimtarinë e ekipit”. Në deklaratë bëhen akuza serioze ndaj këtyre njerëzve – nuk është e nevojshme të përmendim, që ata i mohonin me këmbëngulje. Shijhani akuzon Sikerdin në lidhjen e marrëveshjeve të paligjshme për furnizim armësh me vende të Lindjes së Afërt, me ndihmën e ndërmjetësit të tij Albert Hakimit. Kështu, ai dëmtonte qeverinë dhe i orientonte fitimet për financimin e lojërave të tjera prej batakçinjsh të ekipit.

Biznes i paligjshëm? Po, por ama fitimprurës. Kur administratës së Reganit i shkrepi në kokë “ideja e shkëlqyer” që të furnizonte me artileri të kushtueshme “fanatikët islamikë” në Iran – që në atë kohë ishte në një luftë të përgjakshme me Irakun – dhe t’ua dërgonte paratë “luftëtarëve për liri” në Nikaragua, ajo ia ngarkoi punën ekipit të fshehtë.

Të pakënaqur nga fitimet që u sillte lufta, anëtarët e ekipit iu kthyen zanatit të tyre të vjetër, trafikut të narkotikëve. Aeroplanët që transportonin armë për kontrasit, ktheheshin mbrapsht, të ngarkuar me kokainë kolumbiane. Sipas deklaratës së “Kristik Institut”, midis armëve vdekjeprurëse, të furnizuara nga ekipi i fshehtë, ka edhe sasi të mëdha eksplozivi plastik, të quajtur C-4, i cili shitej (midis klientëve të tjerë simpatikë) edhe tek terroristët libianë. C-4 është përdorur në një sërë aktesh terroriste, përfshirë këtu edhe shpërthimin e “Pan Amerikan 103”. Shijhani betohet, se disponon fakte, që fajtori i atentatit në La Penka është një libian, që kishte përdorur C-4 të furnizuar nga ekipi i fshehtë. Akoma më interesant, sesa përshkrimet e konspiracionit të “Kristik”, është reagimi zyrtar ndaj çështjes gjyqësore të ngritur. Madje, edhe bashkëpunëtorët e tij ideologjikë e kritikuan Shijhanin, që kishte lejuar pasaktësi në pasqyrimin e tij dhe se në historinë e tij më të re teprohet me konspiracionet e shumta që trajtoheshin. Avokati nuk pati mundësi t’u përgjigjej kritikave, në të vetmin vend ku thëniet e tij mund të verifikoheshin, në sallën e gjyqit.

Në janar të vitit 1989 gjyqtari Xhejms King nga Gjykata Federale e ndërpret çështjen e ngritur nga “Kristik”, madje, vendos një gjobë prej një milion dollarësh kundër “Kristik”, dhe firma që edhe pa këtë vuante nga mungesa e mjeteve financiare, u ndie keq. Motivimi ishte që çështja gjyqësore e ngritur, ishte “joserioze”. Duke pasur parasysh buxhetin e lëkundur të firmës së prirë nga idealet, gjoba e vendosur me gjyq ishte e barabartë me vrasjen. Për fat të mirë, afrohet një bamirës i pasur anonim, i cili i dha paratë. “Kristik” bëri një kërkesë apelimi, por edhe ajo u kundërshtua. Firma arriti të mbahej më këmbë, por autoriteti i saj u diskreditua. Qëndrimi ndaj saj është i njëjtë, si me të gjithë ata që kanë guximin të gërmojnë në operacionet sekrete të SHBA-së. Ky rast tregon se përse teoritë e konspiracionit mbeten gjithmonë vetëm teori. “Po qe se do të ishim në Vietnam dhe ende bëhej luftë”, – tha njëherë gjeneral Singlobi për kundërshtarët e tij “joseriozë” nga rrethet e avokaturës, – “do të rregulloja një goditje nga ajri dhe do t’i hidhja në erë ata kopila”.

Materiali është marrë nga libri “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve” me autorë Jonathan Vanckin (Xhonatan Venkin) & Jon Whalen (Xhon Uheilen)

Përgatiti për botim: L.Veizi 

 

 

/Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Pas horizontit jeta vazhdon/ E Premtja e Zezë dhe Pashkët

Festat e mëdha të kishave orientohen tek jeta e Jezu Krishtit. Pa dyshim: festa më e dashur e gjermanëve...

LAJM I MIRË! Miratohet vendimi i ri për punonjësit e policisë, detajet

Me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar sot vendimi për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kompensimin e menjëhershëm financiar, në rast...

Topalli godet fort: Vota po blihet nga jashtë, kush fshihet pas skemës

Drejtuesja politike e PD-së për Diasporën Jozefina Topalli ka denoncuar se familjarët e emigrantëve në Shqipëri po presionohen me vendin e punës. Ish-kryeparlamentarja theksoi se...

Atentati në Tiranë/ Dy fëmijë të mitur në gjendje të rëndë, ja si raportohet gjendja

Një i vrarë në Lezhë dhe katër të plagosur në Tiranë ishte bilanci i dy atentateve mbrëmjen e djshme. Në Lezhë u vra 64-vjeçari...

‘Evropa’ vjen në Lezhë, Rama publikon pamjet e spitalit të ri modern

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga kantieri i spitalit rajonal të Lezhës, teksa thotë se do të shndërrohet në një qendër të standarteve...

Lajme të tjera

Web TV