Një tjetër i arrestuar në lidhje me vrasjen e dy të rinjve në Malësinë e Madhe. “Fjala.al” mëson se bëhet fjalë për Rrok Pepajn, babain e autorit të dyshuar për vrasjen e Klement Pepaj e Vilson Çutaj, Danjel Pepaj.
Ditën e djeshme, pas 5 ditë kërkimesh, u gjetën të vrarë Klement Pepaj e Vilson Çutaj, të cilët dyshohet se janë ekzekutuar nga Danjel Pepaj pas një sherri për parcelat me kanabis.
Po ashtu mësohet se ka qenë babai i tij ai që e ka çuar policinë në parcelat me kanabis, ndërsa kjo e fundit pas hetimeve ka arrestuar të moshuarin.
Ngjarja
Më datë 3 tetor, ditën kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja, tre shtetasit e mësipërm kanë shkuar në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, ndërsa i ka dërguar me makinë vëllai i Vilson Çutaj, shtetasi Olsi Çutaj.
Te lokali në Bajzë shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet të kenë dhunuar fizikisht personin tjetër, Danjel Pepaj, duke e akuzuar se i kishte vjedhur një sasi prej 20 kilogramë kanabis sativa, nën dyshimin se e ka korrur pa u treguar atyre dyve.
Në dëshminë e tij, vëllai i Vilson Çutaj ka deklaruar për policinë se ai nuk ka dëgjuar se për çfarë konflikti bëhej fjalë, pasi tre shtetasit e kanë zhvilluar debatin në pjesën mbrapa lokalit.
“Kur kam dëgjuar se po bërtisnin jam ngritur nga lokali dhe kam shkuar për t’i ndarë, por nuk e di për çfarë konflikti bëhet fjalë”, ka deklaruar vëllai i Vilson Çutaj./Bl.Ba/Fjala.al