Nga Ekrem Spahiu/ Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ekrem Spahiu

125 vjet më parë, më 8 tetor 1895, lindi Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, i cili që në rininë e hershme u thirr dhe iu përkushtua Shqipërisë në të gjitha momentet vendimtare historike të saj, duke filluar që nga Shpallja e Pavarësisë dhe gjatë gjithë jetës së tij. Regjimi komunist, jo vetëm që la pasoja të rënda në dimensionin kombëtar, goditi liritë e të drejtat themelore të njeriut, varfëroi në ekstrem vendin ekonomikisht etj, por deformoi rëndë edhe historinë e Shqipërisë.

Për të arritur këto qëllime, i nisur nga kritere klasore e politike, u përpoq të errësojë dhe madje të shuajë çdo kontribut e vlerë të dinastive dhe personaliteteve historike, midis tyre edhe të Ahmet Zogut. Historia e Shqipërisë është në një proces rishikimi, duke e ngritur secilin në piedestalin legjitim përkundrejt kontributeve që ka dhënë në dobi të atdheut, shtetit dhe popullit shqiptar. E vërteta dhe faktet po dëshmon se figura e Ahmet Zogut po lartësohet gjithnjë e më shumë.

Është një fakt i njohur se Shqipërinë dhe nacionalizmin shqiptar e mbajtën gjallë më të interesuarit, oxhaqet dhe personalitetet që e kishin lidhur fatin e tyre me fatin e Shqipërisë. Dinastia Zogolli njihet si njëra prej tyre. Ahmet Zogu, bir i kësaj dinastie, përfaqësoi krahinën e Matit në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë. Në rojë të pavarësisë së saposhpallur të vendit, ishte pikërisht Ahmet Zogu që organizoi dhe angazhoi forcat e tij në Kakarriq kundër forcave serbo-malazeze, duke vënë jetën e tij në sakrificë për lirinë e Atdheut.

Intuita, interesimi dhe detyrimi i brendshëm kombëtar, do ta shtynte atë të bëhej një nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës, ku mori përgjegjësinë e madhe të sigurisë së punimeve të tij. Me meritë, Kongresi e caktoi ministër të Brendshëm, një post që kërkonte kurajë dhe guxim. Në mbështetje të vendimit së qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës për ta bërë vendin me kryeqytet, ishte vendosmëria e Ahmet Zogut që i hapi rrugën qeverisë së re për t’u zhvendosur dhe instaluar në Tiranë.

Ministri i Brendshëm A. Zogu me trupat e xhandarmërisë që sapo krijoi, vuri autoritetin e shtetit me rend dhe siguri në të gjithë territorin e vendit. Koha, kontributet, këmbëngulja, vendosmëria, vizioni dhe angazhimi me burime njerëzore e financiare do ta sillte natyrshëm që Ahmet Zogu të besohej në postin e kryeministrit të vendit, një post që, kur e mori, e mbajti pa ndërprerje për rreth dy vjet. Jetëgjatësia si kryeministër ishte një kontribut domethënës për stabilitetin e vendit.

Kujtojmë se nga viti 1912 e deri në atë kohë, Shqipëria kishte ndërruar 17 qeveri. Jetëgjatësia e tyre ishte mesatarisht 7 muaj, madje, pati qeveri që zgjatën vetëm disa orë! Nëse vijonin qeveri me paqëndrueshmëri të tillë, me siguri do t’i kushtonin rëndë shtetit e kombit shqiptar, veçanërisht në periudhën tepër kritike midis dy luftërave botërore. Nën autoritetin e kryeministrit Zogu, vendi fitoi një status të qëndrueshëm në të gjitha drejtimet. Për herë të parë dhe të vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë, Parlamenti u formësua në dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve.

Në kushtet kur përvoja politike shqiptare ishte e mangët dhe roli i kryeministrit relativisht i prekshëm, një Parlament me dy dhoma ishte zgjidhja më e mirë, për të vendosur e ruajtur ekuilibrat politikë. Me kalimin në sistemin e Mbretërisë, këtë ekuilibër e garantonte vetë mbreti. Me shpalljen e Mbretërisë, Ahmet Zogu e orientoi të gjithë strukturën dhe institucionet e qevrisjes për nga modelet më të mira perëndimore. Si rrallë herë në historinë e Shqipërisë, ai thirri ekspertizën më të mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të shteteve perëndimore.

Lexo edhe :  SPAK-u nuk është koka e drejtësisë, por vetëm një palë në të

Statuti Themeltar, Kodi Civil, Kodi Tregtar, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Civile etj, të hartuara nën këtë ekspertizë, shënuan shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientuan zhvillimin e Shqipërisë për nga potencialet demokratike. Ministrat, deputetët, ambasadorët e kohës së Ahmet Zogut u zgjodhën nga njerëzit më të ditur të vendit. Ata u vunë në shërbim të shtetit dhe shtetasve sikurse e kërkonte formimi dhe statusi i tyre. Nuk mund të imagjinohej që ata t’i përdornin këto poste në shërbim të interesave të tyre. Mbi këto baza u krijua edhe administrata e shtetit, ku edhe sot, dokumentacioni i asaj kohe mbetet si etalon korrektese ligjore.

Me përvojën dhe autoritetin e krijuar, kontrolli i territorit u forcua në atë shkallë sa, në të gjitha kohërat më pas, kujtohet me nostalgji fakti që një xhandar i vetëm mbante rendin e qetësinë në një zonë të caktuar. Me ekspertizën më të mirë perëndimore u ngrit ushtria kombëtare, me të gjitha strukturat krahasuese evropiane, së cilës iu dha një mbështetje e pashembullt, duke i alokuar buxhet përparësor.

U shenjtërua prona dhe kadastra si elemente themelore të së drejtës. Liria e shprehjes dhe e shtypit në epokën zogiste ishte e plotë. Është fakt, që në atë periudhë u botuan gazeta të gjithfarllojshme opozitare, në të cilat nuk ishte blasfemi dhe nuk ndëshkohej kush pse shkruante kundër qeverisë apo edhe vetë mbretit. U vunë në efiçencë të plotë pasuritë tokësore e nëntokësore të vendit.

U ndërtua nga fillimi infrastruktura rrugore dhe ura të shumta. Pikërisht në atë kohë mori formë kryeqyteti shqiptar, me korpuset kryesore, të cilat akoma edhe sot përbëjnë pasaportën e identitetit të tij urban. Shteti në kohën e mbretit Zog, e bëri krenar shqiptarin, ku me politikat e ndjekura, iu garantua lëvizja e lirë me një pasaportë të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës. Paraja shqiptare, napoloni i famshëm, ishte një nga monedhat më të forta të kohës.

U masivizua arsimi kombëtar, duke i dhënë prioritet edukimit të brezit të ri me frymën kombëtare. U respektuan, si në asnjë vend fqinj, të drejtat e minoriteteve për arsimim në gjuhën e tyre. Mbretëria Shqiptare garantoi me ligj lirinë e besimeve fetare. Me një lëvizje të vendosur dhe të papërsëritëshme, krijoi të gjitha kushtet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare (12 prill 1937). Ndërkohë, Zogu qysh në vjeshtën e vitin 1925, kishte garantuar ngritjen në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. U krijuan kushte dhe u kërkua që shoqëria të emancipohej në të gjitha planet.

Në këtë kuadër ajo u çlirua nga ngarkesat e paarsyeshme fetare, sikurse ishte mbulesa e jashtme e grave. Sot, shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare, gjithnjë e më shumë po i evokojnë vlerat, kontributet dhe arritjet e Mbretërisë Shqiptare. Ajo zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një trashëgimi të pashlyeshme e cila, në shumë drejtime, është e paarritshme edhe sot. Faik Konica, një nga mendjet e ndritura të kombit shqiptar, deklaronte se “Shqipëria ka njërin prej ekzekutivëve më të shquar të botës”. Ndërsa Fan Noli, kundërshtari politik i Ahmet Zogut, deklaronte se “Ahmet bej Mati, është djalë fare i ri, por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri”. Këto vlera bëhen akoma më të prekshme e të ndjeshme, kur shqiptarët bëjnë krahasimin se çfarë panë pas Ahmet Zogut, nga prilli 1939 dhe shohin ende sot./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Lady Diana, princesha që la klasën e parë për të ndihmuar nënën me fëmijë tek ekonomiku

Lady Diana është lajm sa herë përmendet emri i saj, për gjithë thjeshtësinë dhe ngrohtësinë që shfaqte si princeshë....

Skandal financiar në Britani, nis hetimi për mashtrim në projektin gjigand HS2

Një hetim i thelluar është hapur në Mbretërinë e Bashkuar pas dyshimeve për mashtrim fiskal dhe keqpërdorim fondesh në një nga projektet më ambicioze...

Zbulohet lista: Kush janë futbollistët më të paguar të Botërorit të klubeve?

Leo Messi përfaqëson MLS-në në Botërorin e klubeve si lojtari më i paguar i kontinentit amerikan dhe është pjesë e listës së 20 futbollistëve...

Anija kozmike e Agjencisë Hapësinore sjell pamjet e para të polit jugor të Diellit

Videoja dhe imazhet e para të polit jugor të Diellit janë dërguar në Tokë nga anija kozmike Solar Orbiter e Agjencisë Hapësinore Evropiane. Imazhet...

Befasia e madhe nga Juventusi: 70 mln euro për sulmuesin më të kërkuar në Europë

Përveç klubeve të Premier League, në garë për Viktor Gyökeres futet seriozisht edhe Juventus. "Corriere dello Sport" raporton se Juventus, brenda pak ditësh do...

Lajme të tjera

Web TV