Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i është rikthyer fushatës në më pak se dy javë pasi rezultoi pozitiv me coronavirus.
Me mijëra mbështetës ishin mbledhur gjatë takimit në Florida, ku Kreu i Shtëpisë së Bardhë rinisi daljen e parë ndërsa e presin edhe katër tubime të tjera elektorale, të cilat janë tashmë të planifikuara.
Kujtojmë se 74-vjeçari rezultoi pozitiv rreth 11 ditë më parë dhe u shtrua në spital.
“Gjëja më e bukur është se e kalova. Tashmë ata thonë se jam imun. Ndihem kaq i fuqishëm. Do të ecë përmes publikut. Do të ec mes jush, do të puth këdo në atë publik”, tha presidenti i SHBA.
Mjeku i Presidentit Sean Conley ka publikuar një dokument ku thuhet se Donald Trump tashmë rezulton negativ ndaj COVID-19.
Edhe gjatë daljes së tij të parë pas infektimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk mbajti maskë. Por nga ana tjetër, të gjithë mbështetësve iu mat temperatura përpara se të niste eventi.
Nën ethet e zgjedhjeve presidenciale, Trump dhe rivali i tij Joe Biden po përpiqen të sigurojnë sa më shumë vota. Të dy kandidatët janë duke u përpjekur të bindin votuesit dhe mbështetësit e tyre.
Nga ana tjetër, kandidati demokrat për president të SHBA-ve Joe Biden tha se “Unë po garoj si një demokrat krenar, por unë do të qeveris si një president amerikan. Nuk do të ketë shtete blu apo të kuqe. Është vetëm një Amerikë”.
Ndalesa e radhës e 77-vjeçarit është Florida cilësuar nga të dy kandidatët si vendimtare për arritjen e fitores. Ru. Do/ Fjala.al