Të dënuar për vrasje, OFL u kërkon deklarimin e pasurisë 4 personave: Keni 48 orë kohë

Tre të dënuar për vrasje e tentativë vrasje nga Dibra si dhe një tjetër nga Tirana janë subjektet e radhës të Operacionit Forca e Ligjit të cilët duhet të deklarojnë pasurinë e tyre.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Besnik Lamçe, banues në Tiranë, i dënuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja me armë”;

Qemal Kaçi, banues në Burrel, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;

Ermal Lila (Reçi), banues në Peshkopi, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” (vrasja e funksionarëve publikë);

Vehap Shehu, banues në Fushë Bulqizë, Dibër, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./Bl.Ba/Fjala.al