Qeveria rrit pagën minimale në 30 mijë lekë të reja

Këshilli Kombëtar i Punës i drejtuar nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, miratoi sot vendimin për rritjen e pagës minimale në vlerën e 30 mijë lekëve.

Ministrja Denaj theksoi se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar më tej kulturën e dialogut social.

“Përfshirja e Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është një shëmbull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas edhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Punës, shenjë e angazhimit në kuadër të përgjegjësisë sociale, u shpreh Ministrja, duke theksuar,  se  legjislacioni i punës përcakton kornizat ligjore dhe institucionale për dialogun social trepalesh, bisedimet kolektive dhe zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve të punës”, tha ajo.

Denaj shtoi se qeveria synon të ruajë nivelin e jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor.

Rritja e pagës minimale ka qenë gjithmonë iniciativë e Qeverisë, në kuadrin e “Pagës së Denjë” për “Punë të Denjë”, duke patur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatave, ndërkohë që  “përgjegjësia sociale” e biznesit për punën e denjë, është e matshme, përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërisht me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore.

Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM  nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur  me  15.4 %,  tha Ministrja , duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”, u shpreh Denaj.

Gjatë takimit diskutimet u përqendruan në informimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi masat e marra nga Qeveria për mbështetje financiare për punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë periudhës së shkaktuar nga pandemia Covid – 19, informimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi masat e marra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe  informim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për masat e marra për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor.

Lexo edhe :  Rama publikon pamjet nga Qendra e Artit “Vaçe Zela”/ Një hapësirë e re për qytetin

Ministrja Denaj  gjatë kësaj mbledhjeje i kushtoi vëmendje  zbatimit të legjislacionit  të punës,  veçanërisht për kohën e punës dhe pushimit. Lidhur më këtë një prezantim të detajuar  për anëtarët e KKP-së, dha Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.

Kujtojmë se Kryeministri Rama deklaroi para disa javësh se paga minimale do të rritej deri në 30 mijë lekë dhe pas pak kohësh kjo gjë u bë realitet.

Pa.Va/Fjala.al