Djali i Remzi Hoxhës: I japim fund dhimbjes, nuk do kërkojmë më për trupin

Me rastin e 25 vjetorit të zhdukjes dhe më pas të vrasjes së biznesmenit Remzi Hoxha, familja e tij, ka njoftuar se ka vendosur t’i japë fund kërkimit të eshtrave për ta mbyllur këtë kapitull të tmerrshëm të jetës së tyre.

Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, Ardiani, i cili deklaroi se të mërkurën do të ketë edhe një konferencë për mediat në lidhje me çështjen.

“Pas 25 vite vuajtje, maltretime dhe tortura psikike e emocionale, familja jonë ka vendosur t’i japi fund kërkimit të pafund të eshtrave të tija dhe të mbyllim këtë kapitull të tmerrshëm të jetës tone,” thuhet në njoftimin e familjes Hoxha.

Ndër të tjera, Familja njofton se në 2021 do të realizojnë ndërtimin e varrit dhe memorialit të Remzi Hoxhës.

Kujtojmë se paraditen e datës 21 tetor 1995, katër persona të prezantuar si punonjës të SHIK-ut morën me makinë biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, teksa ky i fundit ndodhej në firmën e tij të duraluminit “Albatros”.

Sipas dëshmitarëve, Remziu u fut në një makinë me ngjyrë të bardhë dhe pas askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të.

Por ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli.

Të mbijetuar nga torturat gjatë hetimeve të vitit 1997, ata rrëfyen se SHIK-u i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar, duke i akuzuar si agjentë të huaj.

Për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk dinin se ku kishte përfunduar.

Ish-punonjësi i SHIK-ut Budjon Meçe u dënua bashkë me Ilir Kumbaron, por në momentin e fundit në gjyq mbërriti një “raport mjekësor”, sipas të cilit, Budjon Mece ishte “në gjendje koma në një spital privat” në Tiranë. /Re.D/Fjala.al