Punimet tek “Unaza e Re”/ Balluku: Nesër nis shembja e ndërtesave

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku u shpreh se nga nesër do të fillojë shembja e ndërtesave për t’i hapur rrugë ndërtimit të lotit të tretë të rrugës në “Unazën e Re”.

Balluku shtoi se gjatë kësaj periudhe trafiku do të vijojë të mbetet i kufizuar.

“Kemi ardhur në kantierin e Shqiponjës pas na duhet t’i tregojmë qytetarëve të Tiranës se këtu punohet ditë e natë. Deri tani punimet kanë qenë nëntokë. Qytetarët shikojnë bllokimin dhe mendojnë se nuk po punohet. Nyja e Shqiponjës është mjaft e rëndësishme dhe me tre nivele që do të shpërndajë të gjithë trafikun”, u shpreh Balluku.

Nga ana tjetër, Drejtori i ARSH Ergys Verdho tregoi se punimet parashikohet të zgjasin përreth 4 muaj.

Kujtojmë se shembja e ndërtesave në këtë zonë ka sjellë protesta të shumta nga banorët e tyre.

Pa.Va/Fjala.al