ARKIVI / Maqo Çomo kundërshton Enver Hoxhën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Byroja Politike 1956, Vendimi: Të përgjysmohet numri i krerëve në oborret individuale të fshatarëve

Publikohet procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të 1956-s, ku Enver Hoxha vendosi që fshatarësisë t’i hiqej bagëtia. Procesverbali i kësaj mbledhjeje i cili ka qenë i klasifikuar si “tepër sekret”, botohet pas deklasifikimit të një vargu dokumentesh arkivore nga ana e Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë.

Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Më datën 15.08.1956
Byroja Politike e KQ të PPSH-së, më datën 15 gusht 1956 mori në shqyrtim këto çështje:
1. Mbi caktimin e delegacionit të partisë që do të marrë pjesë në Kongresin VIII të PK të Kinës, si dhe të delegacionit qeveritar që do të vejë në RP të Mongolisë dhe RDP të Koresë.
2. Mbi dërgimin e përgjigjes shokut Hurshov për kohën e ardhjes në vendin tonë.
3. Mbi pagën orare të punëtorëve pa norma dhe kategorizimin e disa procesve të punës.
4. Mbi numrin e bagëtisë personale që duhet të kenë familjet e kooperativave bujqësore.
5. Mbi emërimin e shokut Mihal Prifti ministër fuqiplotë në Republikën e Finlandës.
6. Mbi takimin e shokut Enver me ministrin jugosllav, Arsa Milatoviç.

Vendimi i Byrosë

Pika e katërt e mbledhjes: Mbi numrin e bagëtisë personale që duhet të kenë familjet e kooperativave bujqësore

Shoku Enver Hoxha:
Kemi çështjen e bagëtive për oborret e kooperativave bujqësore.

Shoku Hysni Kapo: Në statutin e sotëm të kooperativave bujqësore është caktuar sasia e bagëtive për çdo oborr. Komisioni që është ngarkuar për studimin e statusit dhe Ministria e Bujqësisë, janë të mendimit që të qëndrojë përsëri norma që ekziston.

Ne e pamë këtë me aparatin e Komitetit Qendror, unë bisedova edhe me shokët Muratov e Krillov dhe ata ishin të mendimit që të pakësohet norma që është sot. Ne mendojmë që të kufizohet numri i bagëtive për çdo familje kooperativiste. P.sh. nga 1-4 lopë ose buallica që i lejohet një familjeje kooperativiste, në bazë të statutit ekzistues, të caktohet 1-2 lopë ose buallica. Po kështu edhe për delet etj., siç paraqiten në relacion.

Po të marrim parasysh vendet e tjera, si Bullgarinë dhe Rumaninë, ata kanë më pak. Prandaj ne themi që mund të bëhet një zbritje e tillë sipas pasqyrës që është paraqitur. Ne e ngremë tani këtë çështje, pse do të botohet projektstatuti i kooperativave dhe pastaj nuk është mirë që në kongres të bëhen korrigjime të mëdha. Këta të Ministrisë së Bujqësisë kanë frikë se mos kjo do të shkaktojë një hezitim nga ana e fshatarëve për të hyrë në kooperativa.

Shoku Pilo Peristeri: Ata thonë që nuk kemi kullotë.

Shoku Hysni Kapo: Përveç bagëtisë kolektive këtu duhet menduar edhe për ushqimin e bagëtisë individuale. Puna është që këto të jenë për të plotësuar nevojat e tyre. Neve na ndodh sot që disa fshatarë të kenë bagëti individuale më shumë se ajo e kolektivizuar. Në demokracinë popullore kanë shumë kufizime.

Shoku Maqo Çomo: Qysh në fillim e diskutuam këtë çështje që ta mbajmë këtë numër ose jo, megjithëse është i madh. Ne mendojmë që të mbahet përsëri kjo normë duke qenë se jemi në fazën e kolektivizimit dhe kjo do të bëjë që të mbajmë edhe ato që kemi. Ne nuk mund të marrim në krahasim Rumaninë ose Bullgarinë, pse kanë 2-3 ha tokë kopsht personal. Ne themi që kjo çështje të mbetet në statut siç ishte, por të vëmë një nen ku të thuhet se asambleja të vendosë numrin më të ulët, dhe kjo bëhet me punë politike.

Shoku Gogo Nushi: Unë jam i mendimit që ta zbresim numrin e bagëtive personale, ashtu siç thotë shoku Hysni, pse e para është çështja e prokupacionit të njerëzve dhe ana tjetër është çështja e kullotës për të cilat duhet t’u caktojmë sipërfaje të mëdha për kullota. Unë them që është më mirë ta bëjmë këtë tani, sesa pastaj.

Shoku Rrapo Dervishi: Ne Gjirokastër kemi pasur propozime të zbritet numri i bagëtive personale, sepse ka ndodhur që fshatari mban për vete pjellat dhe kolektivizon shterpat. Në fillim kjo do të ketë një farë rezistence, por më pas do të rregullohet. Unë nuk e quaj këtë masë si të vështirë për kooperativat ekzistuese sesa për ato që do të ngrihen.

Shoku Spiro Koleka: Më duket që ne duhet të largohemi nga ajo që kemi pasur, pse këto shifra që kemi inkurajojnë ato të ekonomive private. Po të shikojmë në Bullgari, ata e ulën numrin e bagëtisë në një lopë ose buallicë, kurse ne e lëmë 1-2 lopë ose buallica, ata kanë 3-5 dhen kurse neve e lëmë 15-20 krerë. Unë them që ne të vendosim sipas propozimit të këtyre shokëve dhe kjo është dalja në bazë të situatës që kemi.

Lexo edhe :  7 Shkurt 1992/ Nënshkruhet Traktati i Mahstrihtit i Bashkimit Evropian

Shoku Beqir Balluku: Edhe unë jam për zbritjen e numrit të sotëm të bagëtive personale, sepse bagëtitë e oborreve po na kthehen në kope dhe kjo do të sjellë që këta të interesohen më tepër për kopenë e tyre sesa për kooperativën.

Shoqja Liri Belishova: Unë mendoj se ne tani jemi në kohën e kolektivizimit dhe në këtë fazë duhet të favorizojmë futjen e fshatarësisë në kooperativa. Pastaj ata të vendeve të tjera po e zgjerojnë, kurse neve po e ulim numrin e tyre. Ekonomia ndihmëse është një ndihmë për plotësimin e nevojave të tyre dhe neve kjo na intereson.

Për sa i përket kullotave, ata kanë mundësi t’i sigurojnë për vete më lehtë, kurse për ato të kolektivizuarat është më zor t’i ushqesh. Pastaj ne pse ta vendosim këtë në masa administrative, po të jemi të fortë, mund ta bëjmë me anën e bindjes.

Shoku Haki Toska: Në Korçë shumica e fshatarëve të kolektivizuar nuk i kanë arritur këto norma dhe bëjnë luftë për t’i arritur. Them që është mirë që këto t’i ulim sa më parë.

Shoku Rita Marko: Ata të Bullgarisë dhe të Rumanisë janë mësuar me lopë, kurse fshatari ynë është mësuar me dele dhe e llogarit një lopë me 20 dele. Unë mendoj që të mos shpejtohemi dhe të mos bëjmë që kjo ta kufizojë delen në një kohë që duhet ta shtojmë.

Shoku Koço Theodhosi: A ka mundësi kooperativisti që të mbajë 20-30 dele, lopë, derra etj. me atë ushqim që ka?

Shoku Hysni Kapo: Nuk ka mundësi dhe do të vijë një kohë që t’i sigurojmë ushqimin nga ana e shtetit. Puna është që sot nuk e kanë këtë shifër dhe n.q.s do ta korrigjojmë, është më mirë që këtë ta bëjmë tani, sesa më pas, kur do të kemi më shumë të pakënaqur.

Shoku Enver Hoxha: Unë them që kjo tabllo që paraqiti Maqua me shokët e Ministrisë së Bujqësisë nuk është në frymën e kolektivizimit të bujqësisë, kjo është për një individ të mirë dhe nuk lejon të ecësh përpara në shpejtimin e kolektivizimit. Sipas mendimit tim, nuk duhet të bëhen lëshime në këtë drejtim.

Çështje tjetër është që fshatari si çështje të rëndësishme ka tokën dhe pastaj vjen bagëtia. Kur të vijë çështja që partia ta bindë fshatarin të futet në kooperativë, për të futur tokën, kjo është një gjë ndihmëse. Pastaj për dëshirën që ka ai për kooperativën duhet t’ia fusim edhe për bagëtinë që është ekonomi ndihmëse. Pastaj ta marrim konkretisht, këto nuk ka kush i ushqen, prandaj është më mirë që ne të shikojmë se ku do të kullosi bagëtia kolektive sesa ajo individuale, se ashtu na dalin dy probleme. Tani kullotat janë të numëruara, nga një anë kemi direktivën e Kongresit dhe duhet të hapim toka të reja. Ne do të interesohemi për kolektivat.

Praktikisht ai nuk ka ku t’i ushqejë ato. Është e vërtetë që nga kjo masë tani do të mbeten disa të pakënaqur, por nesër do të jenë më shumë, prandaj më shumë ta bëjmë qysh tani. Unë them që në interes të kooperatizizmit, të të ardhmes etj. është që ne të vendosim këtë. Prandaj unë jam dakord me atë që propozojnë shokët e aparatit, bile unë isha me Spiron që dhentë e dhitë të ishin më pak, por më mirë të mbeten sipas pasqyrës së paraqitur. Si përfundim, Byroja Politike është dakord që numri i bagëtive personale i familjeve kooperativiste të jetë sipas pasqyrës që është paraqitur nga ana e aparatit të KQ.

Shoku Maqo Çomo: Unë e kuptoj këtë që thoni ju, por them se për konditat e sotme nuk është mirë të bëhet.

Shoku Enver Hoxha: Kjo nuk është e drejtë që thua ti, me u lënë më shumë bagëti ekonomive individuale, pse kjo e pengon kolektivizimin. Në fund vendoset që për këtë çështje të dalë një protokoll i Byrosë Politike, i cili t’u dërgohet për njoftim sekretarëve të parë të komiteteve të partisë të rretheve e të qarqeve dhe të vihen në dijeni kuadrot kryesorë të partisë e të shtetit.
(AQSH, Fondi 14 /AP V.1956, d.47, f.39)

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Barcelona triumfon në transfertën e Sevillas dhe futet sërish në garën për LaLigën

Barcelona ka mposhtur Seviljan në transfertë me shifrat 4-1. I zakonshmi Lewandowski ishte ai që kaloi në avantazh skuadrën në...

Barazpeshë në “Maradona Stadium”, Napoli ngec ndaj Udineses dhe nuk arrin të shkëputet

Napoli nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 përballë Udineses. Sfida pati vlerë për javën e 24-të të Seria A dhe Napoli humbi mundësinë për...

Simpatizuesit e LVV-së nisin festimet në Mitrovicë, Gjilan e Lipjan

Simpatizues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të festojnë pas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deri më tani janë numëruar 23.5% e votave,...

Ndodh edhe kjo! Majmuni i ‘fik dritat’ Sri Lankës, mbetet pa energji elektrike për 3 orë

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Sri Lanka, ku një majmun ka hyrë në një nënstacion në rrjetin elektrik dhe ka shkaktuar një...

Breshëri tërmetesh në Santorini, lëkundjet ndihen edhe në Athinë

Një tërmet me magnitudë 5.0 Rihter është regjistruar mbrëmjen e sotme në brigjet e Santorinit. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Athinë. Protothema.gr bën me dije se...

Lajme të tjera

Web TV