Festival, protesta e debat për Kosovën në Beograd

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Grupe ultranacionalistësh serbë protestuan të enjten në Beograd, kundër festivalit me emrin “Mirëdita, Dobar Dan”, nëpërmjet të cilit synohet shkëmbimi i veprimtarive artistike si mjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Forcat e policisë rrethuan qendrën kulturore në Beograd, ku nga sot deri më 24 tetor mbahet festivali, ndërsa protestuesit po brohorisnin “Kosova është Serbi” dhe po hidhnin parulla kundër pavarësisë së saj.

Në hapje të festivalit pati përpjekje për ndërprerjen e tij. Festivali që ka filluar të mbahet që nga viti 2014, prezanton filma, ekspozita dhe organizon debate për t’i afruar serbët dhe shqiptarët, thellësisht të ndarë që nga lufta e viteve 1998 – 1999. Festivali organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi në bashkëpunim edhe me organizata nga Kosova.

Sipas organizatorëve, gjatë festivalit do të diskutohet mes të tjerash edhe për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Para fillimit të festivalit, në një debat on line, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se procesi i bisedimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, i vështirë e sfidues dhe si i tillë kërkon kompromise.

Ai i bëri këto komente në debatin e organizuar në kuadër të punimeve të Forumit të Beogradit për Siguri, në të cilin morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Ky forum mbahet nga viti 2011 dhe është nismë e organizatave joqeveritare në Serbi.

Zoti Lajçak tha se kompromisi nuk mund të jetë “fitore për njërën palë dhe humbje për tjetrën”, duke theksuar se gjatë procesit po synohen tri qëllime në të njëjtën kohë. “Së pari, për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve. Së dyti, për të ndërtuar procese dhe zgjidhje të ardhshme, bazuar në normat dhe vlerat evropiane dhe së treti, për të kontribuar në qëndrueshmërinë rajonale”, tha zoti Lajçak. Ndonëse të dy zyrtarët e lartë të Kosovës dhe Serbisë u shprehën të përkushtuar për bisedimet, qëndrimet e tyre janë tërësisht të ndryshme.

Lexo edhe :  "PD do pranojë të hyjë në Kuvend dhe të marrë 3300 euro rrogë nga Rama"

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se nuk është e lehtë të flitet për qasje racionale, për sa i përket marrëveshjes as në Serbi e as në Kosovë. “Kur flasim për zgjidhje kompromisi, nuk mund të jetë kompromis që Serbia ta njohë Kosovën e pastaj Kosova do ta njohë Serbinë. Neve nuk na duhet kjo. Ne jemi vend i njohur ndërkombëtarisht. Duhet një zgjidhje kompromisi dhe duhet të kuptoni pozicionin e Serbisë, që duhet të kujdesemi për serbët në Kosovë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se palët nuk po bisedojnë për ndonjë marrëveshje tregtare, por për një marrëveshje paqeje dhe në bisedime të tilla nuk mund të shtrohet çështja se kush humb e kush fiton. “Është me rëndësi të njihet realiteti dhe që të dyja vendet do të fitojnë fqinjësinë e mirë, normalizimin e marrëdhënieve, që t’u mundësohet qytetarëve lëvizje e lirë, bizneseve të bëjnë tregti në kushte të barabarta. Kemi shumë çështje të hapura nga e kaluara, në radhë të parë çështjen e personave të zhdukur, por jemi të gatshëm të ulemi në tryezë për të arritur një zgjidhje afatgjatë ndërmjet dy vendeve tona”, tha kryeministri Hoti.

Ndërkaq, Ryan Tully, nga Këshilli amerikan për Siguri Kombëtare, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i arritur në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, do të ndihmojë procesin e normalizimit politik. “Administrata e presidentit Donald Trump do të mbetet e angazhuar në këtë rajon dhe ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë partnerët tanë në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Bisedimet Kosovë – Serbi rifilluan në korrik të këtij viti, por planet për vazhdimin e tyre muajin e kaluar dështuan, për shkak të mospajtimeve rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Serbia ngul këmbë që të diskutohet për këtë çështje, të cilën Kosova e cilëson të mbyllur./Zëri i Amerikës/

Të fundit

“Irani po planifikon një raketë që mund të godasë Evropën”

Irani po zhvillon aktualisht një raketë balistike të aftë për të arritur zemrën e Evropës." Kështu deklaroi kryeministri izraelit...

Skandal në Universitetin e Mjekësisë: Shefja e departamentit pa doktoraturë

Një tjetër çudi në sistemin akademik shqiptar është zbuluar së fundmi nga ish-ministri i Arsimit, Taulant Muka. Në një status të publikuar në rrjetet...

Trump: George dhe Alex Soros të akuzohen si organizatë kriminale!

Donald Trump nisi një sulm ndaj George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros në një postim në platformën "Truth Social", duke i bërë...

Berisha: Rama tallet! Zjarrfikësit duan mjete dhe jo lëvdata boshe

Sali Berisha përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar në lidhje me dekoratat që Kryeministri Edi Rama i shpërndau punonjësve që u përfshinë...

Pse Milani e refuzoi? Boniface më në fund tregon “sekretin”

Viktor Boniface ka thyer heshtjen dhe për herë të parë ka zgjedhur të flasë hapur për transferimin e tij të dështuar te Milani. Sulmuesi...

Lajme të tjera

Web TV