Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me planin e menaxhimit të trafikut tek rrethrrotullimi “Shqiponja” për shkak të punimeve në “Unazën e Madhe”.
Ai ka thumbuar opozitën ku shkruan se ata e bllokuan për 3 vite dhe i lanë rrugët rrugëve.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë video informuese mbi planin menaxhimit të trafikut që nis sot në nyjën e Sheshit Shqiponja, për shkak të punimeve që po kryhen në Unazën e Madhe të Tiranës të cilën për 3 vite e bllokuan ata që i lanë rrugët rrugëve, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia kanë prezantuar më herët planin e menaxhimit të trafikut, për shkak të punimeve që po kryhen tek Unaza e Madhe në kryeqytet.
Sipas tyre, përmbyllja e kësaj faze do të zgjasë 4 muaj, dhe kërkon sakrificë e mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve për të arritur, që kjo nyje të përballojë mbi 45 mijë mjete në ditë dhe të mos ketë më bllokim.
Një tjetër problematikë që do t’i jepet zgjidhje në 3 javët e ardhshme është qarkullimi i ambulancave, për të cilat kreu i ARRSH-së tha se do të krijohet rrugë aksesi.
Kreu i ARRSH Ergys Verdho sqaroi se, drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu duhet të përdorin urën e Babrroit, ndërsa ata nga jugu do të kalojnë në rrugën Tiranë-Elbasan, dhe ata që vijnë nga Kavaja të përdorin rrugën e Ndroqit./Bl.Ba/Fjala.al