Zv. kryeministri Erion Braçe thotë se angazhimi i policisë vetëm për ndëshkimin e atyre që lëvizin pa maska në rrugë nuk mjafton për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Braçe shprehet se policia duhet të jetë garante për izolimin e atyre që janë pozitiv me Covid-19, atyre që kanë bërë tamponin dhe presin përgjigjen, ndalimin e ceremonive mortore dhe zbatimin e protokolleve në bare, lokale dhe restorante.
Ai thotë se duhen bërë të gjitha këto veprime për të përjashtuar alternativën e një mbyllje të afërt që do e rrënonte vendin, ndërsa i bën apel qytetarëve të mos dëgjojnë këshillat e krerëve të opozitës për të lëvizur pa maska, referuar këtu deklaratave të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi.
“Ligji ligj e njësoj për të gjithë! Po a mund të bëhemi me efektiv? Patjetër që po! 1. Si qytetarë; Mbaje maskën për vete e familjen tënde, jo për qeverinë. E thamë, maska në fytyrën tënde nuk është politikë për politikë, por bashkë me distancën e duhur dhe higjienën janë shpëtim për ty! Ilir Meta që nuk mban maskë e kërkon tampon, nuk të mbron, thjesht tallet me ty; Monika Kryemadhi që nuk mban maskë sepse nuk duhet të mbajë gojën kundër gjithkujt, është rrezik për ty! E thjeshtë, mbro veten, mos e bëj veten për spital, kushton shumë më pak për ty e për shoqërinë!
Si shtetarë, ruajtjes të ligjit e rregullit; Është e thjeshtë kjo që sheh në foto, tre policë në detyrë që lëvizin me makinë, shohin dikë pa maskë e presin një gjobë. Po a është efektive kaq? Nuk mjafton! Ja përse; policia duhet të jete garante për izolimin e gjithkujt që është pozitiv, familjes së tij; policia duhet të jetë garante për izolimin e gjithkujt që ka bërë një tampon e pret përgjigje, familjes së tij”, shkruan Braçe.
Më tej ai shprehet se, “Policia duhet të jetë garante e ndalimit të çdo ceremonie mortore për çdo familje që ka pësuar humbje nga cilado arsye-Covid apo zemër, aksident etj; policia duhet të jetë garante e ndalimit të çdo dreke për vdekje a qëllim tjetër ku grumbullohen turma njerëzish; task forca e ngritur për këtë qëllim duhet të jetë garante e ndalimit të çdo shkeljeje protokolli në bare, lokale, restorante;
Duhet ta bëjë këtë me çdo çmim dhe cilido duhet të bindet; Alternativa për ta është një mbyllje e afërt, kolektive që do rrënojë ata e vendin! I bëjmë dot këto; Ju si qytetare e ne si qeveri! Bashkë! bashkë! Mos dëgjoni idiotë që ju duan të sëmurë, në spital patjetër, të vdekur madje për politikën e tyre të ndyrë!
E kuptoni; Këta mendojnë se sa më shumë nga ju të sëmurë, sa më shumë nga ju të vdekur, aq më e fortë garancia se Lyli, Monika, Saliu e Iliri vijnë në pushtet! Më të poshtër se kjo nuk ka! Ndaj mbaje maskën e zbato rregullat e sëmundjes”./Bl.Ba/Fjala.al