Samiti i 3-të Dixhital u mbyll sot dhe Shqipëria mirëpriti takimin ministror të Ballkanit perëndimor.
Përgjatë tri ditëve 26, 27 dhe 28, përfaqësues të BE-së dhe agjenci të sektorit shtetëror e privat shkëmbyen eksperiencat lidhur me digjitalizimin e bizneseve, shërbimeve dhe me besueshmërinë e rrjeteve.
Duke përshëndetur punën e këtij samit, kryeministri Rama tha se kjo është një iniciativë e zbatuar në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe Planit të Veprimit të Zonës Ekonomike Rajonale Shumëvjeçare (MAP REA) për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri shqiptar bëri thirrje për angazhim rajonal, për një agjendë të përbashkët digjitale, në përputhje me praktikat më të mira të tregut unik digjital të BE, për të siguruar më shumë mundësi dhe lehtësira për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit Perëndimor.
“Shoqëria digjitale mishëron sfidën më të madhe të këtij shekulli, por edhe mjetin më të madh për krijimin e një mjedisi ku njerëzit mund të jetojnë në një hapësirë tjetër të lirisë, përgjegjësisë dhe barazisë. Unë jam mirënjohës për qeverinë gjermane për gatishmërinë së saj për të ndihmuar këtë samit si në fazën përgatitore ashtu edhe gjatë seancave të punës. Shumë gjëra do të lindin si rezultat i angazhimeve të bëra në këtë rast, veçanërisht dy memorandumet e mirëkuptimit që do të nënshkruhen; një për transformimin digjital 5G të rajonit dhe tjetri për ndërlidhjen e rajonit me shërbime të besueshme në Ballkanin Perëndimor”, tha Rama.
Rama deklaroi se heqja e tarifave të roaming është një ndër qëllimet e qeverisë. Ai gjithashtu premtoi se 95% e shërbimeve qeveritare do të kryhen online dhe pa pagesë. Çdo qytetar do të ketë akses në këto shërbime në çdo kohë dhe pa asnjë shpenzim./Re.D/Fjala.al