Kryetari i PD, Lulzim Basha të shtunën ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 në vendin tonë.
Përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve, Basha ka hedhur akuza ndaj qeverisë, e cila sipas tij, nuk ndihmon qytetarët.
Basha thotë se i ka kërkuar kryeministrit që të marrë masat e duhura ndaj pandemisë, por deri më tani ai nuk ka zbatuar pikat e propozuara nga PD.
“Numri i atyre që kanë humbur jetën nga virusi, i të shtruarve në spital dhe i të infektuarve me COVID po rritet në mënyrë tragjike. Ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre në betejën me coronavirusin. Nuk ka gje me te dhimbshme se pamundësia per tu ardhur ne ndihme familjareve dhe te afermeve të sëmurë. Shqipëria ka nevojë për lidership, por për fat të keq, kjo mungon. Vendi gjendet në krize shëndetësore dhe ekonomike, pa asnjë masë dhe plan për menaxhimin e saj”, tha Basha.
Ai theksoi se spitalet janë të mbipopulluara, urgjencat janë përplot me qytetarë që presin ndihmë, ndërsa mjekët janë të mbingarkuar, të pambrojtur, pa mjetet e nevojshme për të luftuar sëmundjen dhe disa prej tyre e kanë paguar me jetë.
“Vendi ka nevojë për lidership ekonomik! Kjo qeveri ka dështuar të menaxhojë situatën. Sot, shqiptarët janë më të kërcënuar dhe më të varfër se çdo qytetar tjetër në rajon. Pamundësia ekonomike e ka bërë edhe me te veshtirë përballimin e krizës shëndetësore. Shumica e qytetarëve nuk përballojnë dot kostot e larta të medikamenteve që përdoren për të trajtuar koronavirusin. Kjo është e papranueshme! Si lideri i opozitës, në këtë situatë shumë të vështirë, me përgjegjësi te plote kam ofruar alternativa, kam ofruar zgjidhje. I kam kërkuar kryeministrit të përgjigjet me seriozitetin që i kërkon detyra dhe situata. E vetmja përgjigje është se “fajin e kane qytetarët”, u shpreh kryedemokrati.
Basha e mbylli videomesazhin duke iu bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë masata anti-COVID për të mbrojtur veten dhe të afërmit e tyre./Re.D/Fjala.al