Ai njihet për poezinë e tij thellësisht lirike. Dhe shumë moderne njëkohësisht. Duket se ka qenë vetë natyra e qytetit buzë liqenit që e ka thelluar për më tepër lirizmin e tij. Për dashurinë dhe liqenin do të shkruante pafundësi, nëse do të kishte mundësi. Nuk do lodhej asnjëherë. Dhe asnjëherë nuk do t’i tretej frymëzimi. Sepse ai ishte i dashuruar me liqenin dhe qytetin e tij. Dhe nga e bukura padyshim që ndihej i frymëzuar në çdo çast. Ndaj ishte ai që shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpitin e shqiptarëve
Se s’dashuronja-as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija.
Vargjet e tij do të pasojnë kohët me krenari të përjetshme për mbarë shqiptarët. Ai ishte poeti i cili nuk bëri kurrë kompromise me artin e tij. Dhe kjo padyshim e kishte një çmim, sepse i kushtuar një gjendje jo të mirë ekonomike dhe indiferentizëm nga shtypi zyrtar i kohës.
Lasgushi është autor i më se shumë se 100 poezive, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe.
Jeta
Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci lindi më 27 dhjetor 1899. në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. Pseudonimi letrar me të cilin njihet vjen nga rrudhja e emrit të tij përfshi atësinë, Llazar Sotir Gusho (La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur endonimin e vendlindjes, Poradeci. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916. I ati më pas e nisi në Athinë, ku u regjistrua në liceun e Etërve Maristë në kryeqytetin grek – ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi.
Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit.
Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu. Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.
Pas pushtimit italian, qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Vitet 1944-’47, ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me bashkëshorten. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974. Përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.
Ndahet nga jeta në Tiranë më 12 nëntor 1987. Varroset në Pogradec.
Vlerësimet
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”. Ndërkohë që Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci. Ndërsa në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla “9-vjeçare Lasgush Poradeci”. Por dhe rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës mban emrin Lasgush Poradeci.
Vepra
Lasgush Poradeci shkroi herët por poezitë i botoi nga fillimi i viteve ’20. Vallja e Yjeve (1933) ka këtë strukturë ciklore: I. (Në vend parafjale) Zog i Qiejve, II. Vallja e Qiellit, III. Vallja e Dherit, IV. Vallja e Yjeve, V. Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë.
Më 1937, u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore jetoi në vetminë e vet. Krijoi edhe tri vepra të mëdha poetike: “Mbi ta”, “Kamadeve” dhe “Eskursioni teologjik i Sokratit”.
Në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë.