Donald Trump do të qëndrojë në detyrë deri më 20 janar të 2021, kur t’i dorëzojë postin pasardhësit të tij dhe të bashkohet me klubin ekskluziv të ish-presidentëve të SHBA-së.
Mirëpo, çfarë pritet të ndodhë më pas me politikanin dhe biznesmenin e njohur?
Jimmy Carter u përfshi në disa kauza humanitare dhe George W.Bush iu përkushtua artit. Por Trump nuk ka qenë kurrë një politikan tradicional. Më poshtë, ne po rëndisim disa nga mundësitë e tij.
Ai mund të konkurrojë përsëri?
Donald Trump mund të kandidojë përsëri në zgjedhjet e 2024, një shenjë kjo që ndoshta ka filluar të pranojë humbjen e zgjedhjeve të vitit 2020, edhe pse ende jo zyrtarisht. Sipas dy burimeve të ndryshme të cituara nga faqja e lajmeve Axios, Trump u tha bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë se ai po e konsideron mundësinë për të kandiduar edhe njëherë tjetër për Shtëpinë e Bardhë.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se “asnjë person nuk mund të zgjidhet në zyrën e Presidentit më shumë se dy herë”.
“Unë do ta vendosja atë absolutisht në listën e njerëzve që mund të garojnë në 2024”, tha së fundmi ish-shefi i shtabit Mick Mulvaney.
Trump i do shumë garat zgjedhore, prandaj ka marrë 71.5 milionë vota në zgjedhje, një shifër kjo që tregon qartë një mbështetje të konsiderueshme në mesin e publikut amerikan.
Shpëtimi i perandorisë së tij të biznesit
Para se Trump të bëhej politikan, ishte një biznesmen i pasurive të patundshme, një yll televiziv dhe një ambasador i markës së tij personale. Ndoshta, Trump mund të dëshirojë të marrë vendin që braktisi katër vjet më parë me dëshirën për t’u kthyer përsëri në biznes.
Neë York Times raportoi se Trump ka mbi 400 milionë dollarë kredi për t’u paguar gjatë viteve të ardhshme, edhe pse ai deklaroi se kjo shumë përfaqëson veçse “një përqindje të vogël” të vlerës së tij neto. Kompania Trump ka disa biznese dhe kurse golfi, si dhe prona të firmës Trump në Mumbai, Stamboll, Filipine dhe natyrisht në Uashington. Kurset e golfit janë të shpërndara në SHBA, Dubai, Britaninë e Madhe dhe Indonezi.
Nëse, Trump do të zgjedhë një rrugë të tillë në janar, përpara do të ketë shumë punë për të bërë. Shumica e sipërmarrjeve të tij të biznesit janë në sektorin e udhëtimeve dhe kohës së lirë, i cili është prekur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Revista “Forbes” ka përllogaritur se Covid-19 mund të ketë ndikuar deri në 1 miliard dollarë në pasurinë e Trump.
Një manjat i medias
Media të ndryshme në SHBA kanë hamendësuar se presidenti do të merrte qindra oferta për të shkruar libra dhe për të bërë shfaqje televizive, ku dhe mund të fitonte deri në 100 milionë dollarë.
A mund të dalë në pension?
Trump do të ketë një pension presidencial dhe shumë përfitime të tjera kur të largohet nga detyra. Akti i ish-presidentëve, i miratuar në 1958, ofron përfitime duke përfshirë një pension vjetor prej 207.800 dollarë. Ish-presidentët, gjithashtu mund të përfitojnë mbrojtje nga inteligjenca amerikane gjatë gjithë jetës së tyre, përfitime shëndetësore dhe pagesat për mbajtjen e zyrës personale. 74-vjeçari tani mund të vendosë edhe të dalë në pension pa zhurmë./Re.D/Fjala.al