Sekuestrohen 1.2 kg kokainë në Lezhë, pranga një gruaje, në kërkim burri

Rreth 1.2 kg kokainë janë sekuestruar në një operacion të koduar “Stacioni” në Lezhë. Një grua është arrestuar, ndërsa ish-burri i saj është shpallur në kërkim. E arrestuara është 50-vjeçe me inicialet V. P. banuese në Ishull, Lezhë.

Në kërkim është ish-bashkëshorti i saj D. M. 52 vjeç i dënuar më parë për vjedhje, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi, për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, por zanatin e vjetër e ka vijuar serish.

Por si u zbuluan? Policia thotë se mbi bazën e informacioneve të siguruara se në Ishull Lezhë, këta persona posedonin lëndë narkotike u ndërhy në servisin në pronësi të 52-vjeçarit, që ishte i përshtatur si banesë për ish-bashkëshorten V. P.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjet dhe u sekuestrua 1.184 kg kokainë dhe një peshore elektronike. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

l.m/Fjala.al