Shtetet e Bashkuara më 7 dhjetor përfshinë Iranin, Pakistanin, Taxhikistanin dhe Turkmenistanin në një listë prej 10 vendesh të kategorizuara për “shqetësim të veçantë” mbi lirinë fetare.
Lista u shpall nën Aktin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare të vitit 1998 “për përfshirje ose tolerim të shkeljeve sistematike, të vazhdueshme, dhe të ashpër të lirisë fetare”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një njoftim për media.
Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu Rusinë dhe tre vende të tjera në një Listë Vëzhgimi të Posaçëm. Në këtë listë janë vendet, qeveritë e së cilave, kanë përfshirë ose toleruar “shkelje të rënda të lirisë fetare”. Shtetet e Bashkuara “edhe një herë morën masa për të mbrojtur ata që thjesht duan të ushtrojnë këtë liri thelbësore”, tha Pompeo.
“Shtetet e Bashkuara janë të palëkundura në angazhimin e tyre për lirinë fetare. Asnjë vend ose entitet nuk duhet të tolerohet të ndëshkojë njërëzit për shkak të besimit të tyre. Këto përcaktime vjetore tregojnë se kur liria fetare sulmohet, ne do të veprojmë”, shtoi Pompeo.