Protesta për vrasjen e Klodianit, bilanci i të arrestuarve dhe policëve të plagosur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Policia e Tiranës ka arrestuar 59 persona, të cilët akuzohen se organizuan manifestim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën punonjësit e policisë. Ndërkohë, policia njofton se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 116 shtetas të tjerë.

Rreth orës 18:00 të datës 10.12.2020, para godinës së Ministrisë së Brendshme nisi një tubim i paligjshëm i cili u përshkallëzua në veprime të dhunshme ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët ishin në shërbim.

Më pas, pjesëmarrësit në tubim u ndanë në disa grupe dhe për rreth tre orë kanë ushtruar dhunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, tek Tajvani, në ish-Bllok, te 21-shi, tek ETC-ja, banka e Shqipërisë, ndaj një selie të një subjekti politik, Ministrisë së Financave, në shumë biznese private etj.

Gjithashtu, këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Komisariatin e Policinë Nr. 2.

Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 5 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti i pjesëmarrjes së të miturve në protestë është munduar të parandalojë përshkallëzimin e tubimit duke iu bërë thirrje të pandërprerë protestuesve që të shpërndaheshin pasi tubimi i i paligjshëm dhe veprimet e tyre ishin në kundërshtim të plotë më ligjin, por mbi të gjitha përdorimi i dhunës po rrezikonte jetën e punonjësve të policisë, të të miturve në tubim dhe të qytetarëve të tjerë.

Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë.

Strukturat operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre. Më pas, në përfundim të veprimeve procedurale është bërë arrestimi në flagrancë i 59 shtetasve, si dhe u proceduan penalisht 116 të tjerë, për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.

Lexo edhe :  Vrau 52-vjeçaren në banesën e saj dhe i vuri flakën, policia zbardh ngjarjen e rëndë

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjetër të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.

 

Policia e Shtetit apelon për prindërit që të mos lejojnë minorenët të marrin pjesë në tubime apo të keqpërdoren nga më të rriturit, pasi pjesëmarrja vetëm rrezikon integritetin e tyre fizik dhe vështirëson punën e Policisë në menaxhimin e tubimit, për të parandaluar dhunën dhe shkatërrimin e pronës shtetërore dhe asaj private.

Dhuna e ushtruar mbrëmjen e djeshme ndaj punonjësve të policisë dhe shkatërrimi barabar i pronës nuk përligjin qëllimin e tubimit, ndaj Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të distancohen nga këto veprime dhe të mos grumbullohen në tubime të paligjshme pasi do përballen me forcën e ligjit.

Policia është e Shtetit dhe në shërbim të qytetarëve, sikundër edhe institucionet dhe prona publike janë të qytetarëve dhe është detyrë e të gjithë të kontribuojmë për të mbrojtur këto dhe për të patur më shumë besim dhe mbështetje të ndërsjellë, me qëllimin e vetëm ndërtimin e një ambienti sa më të sigurt shoqëror.

Policia e Shtetit ndjehet thellësisht e keqardhur për aktin e patolerueshëm të efektivit të saj që hapi zjarr duke shkaktuar humbjen e jetës së një shtetasi. Efektivi është vënë menjëherë në duart e drejtësisë dhe drejtësia duhet të bëhet deri në fund. Por askush nuk mund ta njehsojë Policinë e Shtetit me një individ që kreu një akt të dënueshëm ligjërisht dhe askush nuk mund ta pengojë Policinë e Shtetit të kryejë detyrën e saj në mbrojtje të rendit publik, komuniteteve dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji. Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

18 të vdekur dhe 50 të zhdukur pas përmbysjes së varkës me emigrantë në Mesdhe

Të paktën 18 emigrantë humbën jetën në një anije të mbytur pranë qytetit lindor libian Tobruk gjatë fundjavës dhe...

Pse Nico Williams refuzoi Barcelonën? Vëllai i tij tregon sekretet

Inaki Williams i është rikthyer edhe një herë tjetër “telenovelës” së verës, ku protagonistë ishin vëllai i tij, Nico Williams dhe Barcelona. Për të dytën...

Gjermania i shkul veshin Vetëvendosjes: Politizuat atë që ndodhi në liqenin e Ujmanit

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dënon ashpër përpjekjet për politizimin e operacionit të kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit. Në një reagim ajo u shpreh...

Ben Andoni: Pabarazia në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër në kontinent

Shqipëria është vendi ku pabarazia të godet në çdo moment dhe të prek ngado. Goditjet e viteve të fundit të SPAK-ut dhe sekuestrimet e...

Po, ka një temë që e “detyron” Trump të bashkëpunojë me Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka treguar angazhimin e qeverisë së tij mbi një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë lidhur...

Lajme të tjera

Web TV