Në ditën e pestë të protestës për Klodian Rashën, reperi Stresi ka vendosur të tërhiqet. Gjatë një videoje live në Instagram, reperi është shprehur se nuk do të përfshihet më në të dhe se mund ta vazhdojë kush të dëshirojë.
Ai ka deklaruar se nuk ka pasur qëllime politike pas kësaj proteste, duke qenë se është akuzuar se e ka organizuar në emër të Partisë Demokratike. Me një video nga shtëpia e tij, Stresi tha se rrezikon burgun, dhe se është ende në arrati, pasi është shpallur në kërkim nga policia.
“Sot për sot jam në kërkim dhe rrezikoj burg. Unë çfarë pata me bërë në ditën e parë, e bëra me zemër. Unë jam ai që hapa kauzën më të fortë dhe nuk më intereson se çfarë vjen pas kësaj kauze. Pashë dhe videon që Erion Veliaj shkoi te familja e të ndjerit, unë nuk i kisha pranuar kurrë ata që më vranë djalin, as në mort dhe tek dera e shtëpisë. Nuk kam gjë kundra, është dhimbje shumë e madhe.
Nëse unë e kam bërë për arsye politike, Zoti ma çoftë në familjen time. Nuk e kam bërë për arsye politike, vetëm kam hyrë me shpirt, me lot në sy, kam qenë në protestë. Mundem me të kallzue të gjithë protestuesit për çfarë e kam bo. Mu ka tha fytyra prej lotëve. Momentin e parë që kryetari i Bashkisë ka shkuar aty, nuk ka qenë desht me i pritur ata hiç, mos me lënë asnjë të pushtetit aty, por unë këtej jam.
Unë nuk tutna por ruhna, idiota, ka ikur koha e luftërave. Unë e hapa çfarë deshta me hapur, tani ta vazhdojë kush të dojë. Zoti ju rujtë të krejtve dhe faleminderit të gjithë të rinjve shqiptarë që më kanë përkrahur deri më tani”, u shpreh reperi.