Red Bull” zgjedh meksikanin si partner të holandezit në 2021-shin, Albon mbetet pilot rezervë. Formula 1 është drejt plotësimit të tablosë së pilotëve për sezonin që vjen, pasi edhe Serxhio Perez është konfirmuar si shok skuadre i Maks Verstapenit tek “Red Bull”-i. Konfirmimi i meksikanit lë tanimë vetëm një pikëpyetje sa u përket pilotëve të 2021-shit, por edhe kjo pritet të marrë së shpejti përgjigje, pasi edhe kampioni në fuqi i botës, Ljuis Hemilton, pritet të rinovojë me skuadrën e “Mercedes”-it.
2020-ta ka ofruar, në ditët e fundit të saj, edhe një lëvizje të madhe në merkaton e pilotëve të Formulës 1, teksa është bërë e ditur se Serxhio Perez do të zëvendësojë vitin që vjen Aleks Albonin si shoku i skuadrës së Maks Verstapenit tek “Red Bull”-i. Alboni, pozicioni i të cilit ishte duke u shqyrtuar prej disa kohësh, do të bëjë një hap prapa, pasi do të shërbejë si piloti rezervë i skuadrës, me një fokus të veçantë tek 2022-shi.
Pasi e pati humbur më herët gjatë këtij viti vendin e tij kundrejt Sebastian Fetelit tek skuadra e “Racing Point”, që do të njihet në vazhdim si “Aston Martin”, u duk se Perezi mund ta kalonte 2021-shin jashtë pistë, edhe pas fitores së tij të parë dhe spektakolare në Sakhir. Por, pas një lëvizjeje që ka të ngjarë t’i japë shkas festimeve në vendin e tij të lindjes, në Meksikë. “Red Bull”-i ka zgjedhur t’i besojë njërën nga makinat 30-vjeçarit, fillimisht me një marrëveshjeje njëvjeçare, teksa synojnë të sfidojnë “Mercedes”-in me teknologjinë e ngjashme me atë që u përdor në 2020-ën.
Duhet theksuar se Maks Verstapeni dhe Serxhio Perezi kanë fituar së bashku 11 gara dhe janë ngjitur 52 herë në podium, por kujtojmë këtu se pjesën kryesore të këtyre arritjeve e ka siguruar holandezi. “Aleksi është një anëtar i vlefshëm i skuadrës sonë dhe jemi menduar shumë dhe gjatë për këtë vendim”, – deklaroi kreu i “Red Bull”-it, Kristian Horner. “Pasi kemi marrë gjithë kohën që na duhej dhe kemi analizuar të gjitha të dhënat e paraqitjes së dy pilotëve dhe kemi vendosur që Serxhio është i duhuri për t’u rreshtuar përkrah Maksit në 2021-shin dhe ne mezi presim t’i urojmë atij mirëseardhjen në skuadrën tonë”, – shtoi ai.
Perezi e ka dëshmuar veten si një nga garuesit më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të Formulës 1 në 10 vitet e konkurrimit të tij në këtë nivel, me një fitore dhe 10 podiume, edhe pse asnjëherë nga ka pilotuar makinat kryesore. “Mundësia për të konkurruar për një skuadër pretendente për titull është diçka për të cilën unë kam shpresuar që nga koha kur erdhe në Formula 1, – ka deklaruar meksikani, duke shtuar: “Dhe do të jetë një çast krenar ai kur të dal në pistë me ngjyrat e “Red Bull”-it.”
Konfirmimi i Perezit lë tanimë vetëm një pikëpyetje sa u përket pilotëve të 2021-shit, por edhe kjo pritet të marrë së shpejti përgjigje, pasi edhe kampioni në fuqi i botës, Ljuis Hemilton, pritet të rinovojë me skuadrën e “Mercedes”-it, përtej aludimeve për të kundërtën.
Pa.Va/Fjala.al