Moikom Zeqo dhe Semantika e Gjuhës së tij Poetike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vangjush Ziko

 Veç këtyre luleve

Do t’ju le trashëgim,

Inteligjencat

E mia të fshehta të fjalëve!

 Moikom Zeqo

 Kam përpara librin e poetit Moikom Zeqo, “Eshtra Zodiaku”, Shtëpia Botuese “Abrakas”, 2017, ku përfshihen poezi të shkruara gjatë viteve 1999 – 2004. Në këtë përmbledhje poetike gjen një pasqyrim të plotë semantika e gjuhës poetike të tij, si në planin e përvojës personale, të përjetimeve dhe të zbulimeve të jetës intime krijuese dhe, përtej kësaj praktike, mbështetur në botëkuptimin e tij filologjik e filozofiko-estetik. Bota shpirtërore e heroit lirik të poetit është komplekse dhe plot “enigma të mëdha”.

Atë e mundon vetmia. Kjo nuk është, thjesht, një vetmi sociale, sa është një mbyllje meditative në vetvete mbi fatin, ëndrrat, misionin e vet si krijues.

Ai e ndien veten “të burgosur nën lëkurën” e vet, të mbyllur në “manastirin e un-it”.

Pasioni i tij është një pasion, të cilin mezi e mbajnë “yzengjitë e gjakut”, pasion që mposht dëshpërimin.  Dëshpërimi i tij është një dëshpërim i shenjtë: “Shoh si perëndon atdheu!/Ah, si ta mbaj pezull, mbi gjithçka, me duart e mia?”.

Është një dëshpërim i shkaktuar nga koha në të cilën jeton: “kohë me hekura çeliku” dhe me “mijëra mistere që ma ndjekin shpirtin”, kohë “me tempuj pa besimtarë”, kohë midis alternativës: “Gjithçka është kotësi” ose “Gjithçka është qejf”.

Dëshpërimi dhe shpresa e tij lëviz mes “një pylli arkitipash për njeriun e së Ardhmes”.

Heroi i tij lirik e ndien veten e vet një “kafaz të tigrit instiktiv të frikës”.

Këto ndodhin në sfondin metaforik kozmik të turbullt kur “yjet hapen dhe mbyllen si flegra kuajsh në beteja fatale” si në një “Vaterlo idesh” botërore.

Të gjitha këto janë çaste të mrekullueshme për të. Çaste kur ide të papritura i afrohen “si dashnore të fshehta” dhe ai e quan veten “postier të Amshimit”.

Këto dashnore të fshehta janë frymëzimet e tij pjellore, të pashterura, që “manastirin e un-it” të tij e kanë kthyer në një “tipografi, që punon natë e ditë”.

Kjo është përvoja e shpirtërore dhe krijuese, që e ndan me lexuesit e vet poeti. Një përvojë e jashtëzakonshme krijuese personale. Ai është i ndërgjegjshëm se poeti nuk mbetet dot i mbyllur në vetvete.:“Poetët bredhin, jashtë kalendarëve vetjakë!” . Aq më tepër, sepse veten e vet ai e quan: “qenie e pakufishme./Me eshtra zodiaku”. Një krijues suegeneris, me një frymëzim pa cak e pa kufi.

Vëllimin poetik ai e quan “Eshtra Zodiaku”. Një emërtesë astronomike, që përmbledh dymbëdhjetë yllësitë profetike të fateve njerëzore.  Ai e ka shënuar kështu emblemën semantike të ligjërimit të tij, që lidhet me enigmat e kozmogonisë dhe të fatit të jetës njerëzore: “Vetë zodiakun e ve në lëvizje si rrip transmisioni për tërë subjektet e poezive!”.

Kjo e ka përcaktuar, jo vetëm tematikën e vëllimit, por edhe tiparet e veçanta të frymëzimeve të

të veta universale. Moikom Zeqo ndriçon përvojën e tij semantike konceptuale me natyrën që e rrethon dhe e frymëzon me stihitë e saj, erën, shirat, vesën, drurët, stinët të cilat e shoqërojnë me misterin, larminë dhe bukurinë e tyre magjistare.

Moikomi është metafizik për nga botëkuptimi. Ai e pranon botën si qëllimshmëri fillestare, e cila  “lëviz në një dritë të stërlashtë, të paqenë,/në një tjetërkohë, që s’është/në asnjë kalendar.”

Ai e pranon ndryshueshmërinë e saj dhe të jetës njerëzore në lëvizje të pandërprerë.

Ai ec paralel me kohën, me “ëndrra paralele” me të.

Semantika e Moikom Zeqos u referohet konceptualisht botëkuptimeve filozofike të njohura historikisht, mitologjisë dhe besimeve të ndryshme. Këto koncepte janë referencat e tij kulturore, janë trashëgimia historike e ndërgjegjes njerëzore. Atë e tërheq, mbi të gjitha, forma figurative e besimeve të lashta dhe më të reja, antikiteti, mitologjia, fetë monoteiste, veshja e tyre metaforike, aspekti estetik i tyre, jo thelbi doktrinar, ideologjik. Nga botëkuptimi mitologjik ai, në radhë të parë, pranon sinkretizmin e tablosë së botës bashkë me simbolikën e zhvillimit dhe të funksionimit të trupave kozmike. Ai përdor si artifis artistik lidhjen e kohëve, të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Prej botëkuptimit metafizik ai e bën të tij bindjen në qëllimshmërinë fillestare të natyrës së gjallë. Nga historitë e feve të ndryshme dhe nga mitologjia, ai shfrytëzon subjekte, heronj, bëma, zota. Ai i çmitizon dhe i përdor të gjitha si burime dhe gjymtyrë të figurave letrare, si metafora dhe struktura konceptuale të sendeve apo të qenieve të gjalla.

Vjeshtën e krahason me Providencën apo me “Magna Natura, shtatzënë me miliarda fëmijë”.

Lexo edhe :  Marrin fund ditët me diell, meteorologia tregon si do të jetë moti për ditët në vijim

Frymëzimi i tij “bredh në pyjet e proverbave ebraike” dhe “mjel Udhën e Qumështit”.

Sendet janë “harpa Orfeu pa tela”.

Poeti i modernizon idetë dhe nocionet: “kalorësit e mesjetës” i kthen në “kozmonautë”.

Kurse Fati për poetin është një “përplasje aksidenti”. Ai heq paralele me veprimet mistike biblike:“ky peizazh shekullor, po i lëviz gjymtyrët, si i paralizuari, pas/prekjes së Krishtit”.

Kujtesa e tij strehohet te një dorëshkrim “si asketi në shpellën e thellë të Sinajit”. Kurse me lumin e Heraklitit ushqen “zjarrin e trurit”. Shpesh poeti mbart terminologjinë dhe konceptet mistike biblike për të përkufizuar nocione morale apo degradime dramatike shoqërore të kohës:

Dhe shpall Dashurinë –Amnistinë e Krishtit”

Epifanitë e mëdha të Krishtit

I këmbejnë

Me ekstazat e egra të drogës”.

Të rralla janë mbartjet semantike të procesioneve apo veprimeve të figurave të ndryshme mitologjike apo biblike:

 

Zëri i Orfeut i shqyen hapësirat dhe vendin e gjithëfuqishëm dhe të palëvizshëm!”

Ngjitem në mal/Zotit shurdh/T’i fishkëllinj në vesh”.

Kap dorezën e derës së studios e hyj në sallën e Ponts Pilatit,

këmisha më spërkatet nga gjaku, plagët e të kryqëzuarit misterioz

bëhen vjeshtë e mijëvjeçarëve!”

Semantika e fjalës së tij përcjell nocione biblike apo shkencore:

Secili nga ne/Jetojmë gjysmëjetë./Gjysma tjetër është gjumë,/ me manivelën e Diellit do t’i ndez, patjetër do t’i/ndez, motorët e kozmosit”.

Ky është, në leximin tim, poertreti i heroit lirik të Moikom Zeqos me “vegime mendore” që i përdor “lëndëndërtimi” për spektrin e dyfishtë të semantikës së tij.

Një hero i veçantë për nga intonacioni i ligjërimit poetik. Një ligjërim me nota lirike dhe epike të veçanta, ku gërshetohen natyrshëm personalja me të përgjithshmen, tokësorja me universalen.

Në të gjejmë veçori të botëkuptimit mitologjik. Në të gjejmë të realizuar sinkretizimin e kohëve, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja së bashku. Gjejmë një tablo poetike kozmogonike. Gjejmë një pasqyrim të botkuptimit metafizik, që na flet për ndryshueshmërinë e organizuar të botës.

Por. mbi të gjitha, gjejmë një gjuhë dhe një semantikë të veçantë dhe të re në poezinë tonë bashkëkohore. Në themel të poetikës së tij është loja e pasionit dhe e mendjes së ditur që lind një figuracion të jashtëzakonshëm. Krijimtaria e Moikom Zeqos përcjell zbulimin, përjetimin, ndriçimin, energjinë vizuale të një përvoje të re poetike. Poeti shfrytëzon erudicionin dhe mendjen e vet për të bashkërenditur ide të ndryshme, për të krijuar krahasime të jashtëzakonshme, gjykime dhe konkluzione të ndryshme, të cilat ai i quan “inteligjencat e mia të fshehta të flalëve”.

Fjala poetike, nga natyra e vet e veçantë dhe specifike, përcjell disa kuptime të fjalës në të njëjtin kontekst, sepse, siç shkruan M.M. Bahtin, “gjuha zbulon të gjitha mundësitë e veta…ajo i shtrydh të gjitha lëngjet e gjuhës” dhe fiton atë që R. Jakobson e quan “figurshmëri psikologjike” të saj.

Kjo në poezinë e Moikomit realizohet nëpërmjet të tropeve, të figurave letrare, si metafora, krahasimi, sinekdota, paralelizmi, inversi etj., të cilat e “transformojnë” kuptimin fillestar të fjalës, e pasurojnë atë.  Ky proces, te Moikomi, është i lidhur dhe i ndërvarur ngushtë me botkuptimin e tij mbi botën, me filozofinë e tij mbi gjuhën dhe estetikën.

Semantika e tij e fjalëve bazohet konceptualisht, përtej praktikës së tij poetike, në metafizikë dhe në kozmogoni. Filozofia e tij krijuese është një gërshetim i tokësores me kozmiken, i të zakonshmes me të jashtëzakonshmen, i mitologjikes me realen, i të tashmes, me mendjen nga e kaluara, dhe me vështrimin nga e ardhmja.

Ky botëkuptim ka ndikuar edhe në aspektin estetik, si dhe në preferencat e tij ndaj mjeteve të caktuara artistike. Fjala artistike e Moikomit ka, vërtet, plot të “fshehta” dhe befasira paradoksale, të pazakonta, të mishëruara në Metaforën e tij konceptuale “akiliane”:

Dhe heshtën akiliane të guximit të çmendur, munë e bëra direkun e anijes së metaforave”

Në veprën e tij “Centauri i fundit” ai na e ka pohuar qartë sekretin e ligjërimit të tij poetik:

Poeti krijon epet e tij në funksion të një uni imagjinar. Poeti artikulon me syfytyra shekujsh.

Ai i jeton në një kohë të gjitha kohërat. Ai është egërsisht i gjallë pa asnjë Post Mortum.

Të gjitha elementet e universit janë pseudonime të brishta dhe të kërthnesta të tij”.

Moikom Zeqo është dhe do mbetet një krijues i jashtëzakonshëm i poezisë, i cili mori mbi vete një angazhim krijues të vetëdijshëm suksesplotë.

Ai e tha fjalën e tij të re në poezinë tonë bashkëkohore me frymëzim, mençuri dhe me një guxim të paparë krijues./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Si të fshini llogarinë tuaj në Instagram dhe të rikuperoni të gjitha fotot

Ju mund të dëshironi të shkëputeni nga rrjetet sociale duke fshirë llogarinë tuaj , por rreziku është që të humbni materialin fotografik...

Jeni dhurues i rregullt i gjakut?/ Ja ndryshimet gjenetike që pëson organizmi juaj

Ndryshime gjenetike janë identifikuar në qelizat burimore të gjakut nga dhurues të shpeshtë që nxisin gjenerimin e qelizave të reja për të zëvendësuar ato të humbura , por...

5 gabimet e pafalshme që produksioni i BBVA këtë bërë këtë sezon me banorët dhe ndjekësit

Ky sezon i “Big Brother VIP Albania” ka qenë një nga më të diskutuarit për shkak të situatave të papritura dhe vendimeve të diskutueshme...

‘Çmendet’ Lamborghini, prodhon linjën e karrocave për fëmijë/ Kushton plot 5.000 dollarë

Prodhuesi i makinave luksoze Lamborghini, po hyn në tregun e paisjeve për fëmijë duke bashkëpunuar me markën britanike të artikujve për fëmijë Silver Cross...

Republika Sërpska drejt shpalljes shtet?/ Dodik sfidon urdhërarrestin

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska po mban një seancë të posaçme ku po diskutohet miratimi i një kushtetute të re, që do ta përkufizonte...

Lajme të tjera

Web TV