Faik Ballanca, vdekja tragjike e shkrimtarit

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Edhe pse e ndërpreu krijimtarinë letrare në moshë të re, F. Ballanca arriti të krijonte individualitetin e veçantë si shkrimtar i vërtetë i mirënjohur   

Lindi më 5 maj 1945 në Tiranë. Faik Ballanca rrjedh nga një familje intelektuale ardhur nga Dibra e Madhe. Pasi kreu gjimnazin dhe mbaroi Fakultetin Histori-Filologji (dega e gazetarisë), punoi gazetar e redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”dhe në revistën letrare “Nëntori” të LSHASH-së. Që nga viti 1962 nisi të botonte tregimet e para dhe të përkthente e të botonte prozë nga gjermanishtja, italishtja e frëngjishtja. Edhe pse e ndërpreu krijimtarinë letrare në moshë të re, F. Ballanca arriti të krijonte individualitetin e veçantë si shkrimtar i vërtetë i mirënjohur, në sajë të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit krijues. Ndahet tragjikisht nga jeta më 21 dhjetor 1997, duke vrarë veten.

Vepra të botuara të Faik Ballancës

Rrëmbimi – tregime (1970)

Mbasdite të lagura – tregime (1971)

Katër orë larg shtëpisë – novelë (1972)

Shtigje me helm – novelë (1972)

I fundit – novelë (1972)

Letra anonime – tregime e novelë (1973

Pritësit e rrufeve – tregime e novelë (1975)

Tregime të zgjedhura (1976)

Perëndia e shtëpisë –  tregime e novelë (1985)

Nomeja e largët – roman (1989)

Kënga e fundit e Marko Boçarit – novelë (2002)

Mbama pak pallton çun – tregime të zgjedhura (2003)

Kënga e fundit e Marko Boçarit dhe tregime të tjera – (2008)

Helena Kadare për Faik Ballancën

Kam pasur fatin të kem qënë një nga miqtë e afërt të Faik Ballancës. Ishte një miqësi që nuk kërkonte prova dhe as fjalë të bujshme. Sepse një gjë nuk ndryshoi kurrë tek ai: në të gjitha rastet, sido që të ishin rrethanat, kur gjëndeshe në vështirësi, atë mik do ta kishe përherë në  krah. Këtë e kanë  provuar, pa përjashtim, të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Dhe kjo ishte arsyeja që miqësitë e tij ishin të qëndrueshme. Vetë karakteri i tij, edhe pse fare i ri në moshë, kishte atë cilësi të veçantë, që e kanë të gjithë njerëzit e fortë shpirtërisht: ai rrezatonte besim dhe siguri te të tjerët. Dhe kjo nuk ishte një gjë e vogël për kohën. S’ishte as rastësi. Faiku ishte nga ata njerëz që punonte me një përkushtim prekës për përsosjen absolute të mendjes dhe të shpirtit të vet. Tërë qënia e tij, krejt fiziku i tij i brishtë i’u vihej përherë  provave të vështira, për të arritur më të lartën, më të pamundurën. Kështu bënte ai me gjuhët e huaja, me leximet e shumëlarmishme, qofshin ato të fushës filozofike apo artistike, madje edhe me llojet e sporteve që i zgjidhte enkas të tilla. Vështirë të gjëndet ndonjë njeri që të ishte aq kërkues sa ç’ishte ai ndaj vetvetes. Sikur ta ndiente se kohën në  këtë botë e kishte të shkurtër, ai nxitonte të përvetësonte dhe përpinte me një frymë gjithçka, thua se një demon i pangijshëm e nguste përbrenda pa rreshtur.

Në vitet shtatëdhjetë, të gjeje libra të huaja për të lexuar nuk ishte punë e vogël. Them se ky shkëmbim librash ka qënë dhe fillimi i miqësisë sonë. Çdo libër i ri që na binte në dorë, ishte atëherë gati si një festë. Por ndoshta ishte pikërisht kjo vështirësi gjetjeje që u jepte atyre leximeve një shije aq të veçantë. Si tani e kam para syve kur ai shfaqej, në zyrat e redaksisë ku punonim, me ndonjë  libër të sapo gjetur. Fytyra, zakonisht e vrenjtur, në këto çaste i merrte një përndritje fëminore, pa hequr dorë, megjithatë, nga ajo shprehje kryeneçe aq e njohur për të: gjysmë gazmore e gjysmë ironike. Sepse në përgjithësi ai ishte një tip i shqetësuar, nervoz, i pakënaqur me vetveten, i ndjeshëm dhe gjeneroz si rrallëkush.

Lexo edhe :  Personazh/ Face Yoga, kultura e re e jetesës hyn në Shqipëri

Në ato kohë na ishte bërë zakon të shkëmbenim edhe ato gjëra që shkruanim vetë. Përherë më ka habitur aftësia e tij për të dëgjuar bashkëbiseduesin me tolerancë për të mos imponuar shijet e veta. Edhe vërejtjet të tilla i bënte: plot takt, me maturi, të kujdesshme. Kurse kur vinte radha të jepje ti mendime për të, atëherë kjo ishte tjetër gjë. Qysh në tregimet e tij të para dukej që atje tej një tharm i veçantë, që kanë fatin ta kenë vetëm ata njerëz që kanë lindur me dhuntinë e të bërit të artit të madh.

Ishte pikërisht kjo periudhë, kur ai nisi të më fliste për vajzën që donte, gruan e tij të ardhshme. Lirizmi, pastërtia morale, idealizmi i tij i skajshëm, të shpërndara bukur në tregimet që shkruante ishin, si për çudi, pjesë të personalitetit të atij vetë. Faiku njeri dhe Faiku shkrimtar ishin e njëjta gjë.

Vite më vonë, kur m’u dha rasti të takoj vajzën e tij, atë që s’arriti dot ta njohë babanë, befasimi im qe i papërshkrueshëm. Qysh në sekondën e parë, në sytë e saj të qeshur, spikata vështrimin e drejtëpërdrejtë të mikut tim të paharruar. Por jo, nuk ishte krejtësisht ashtu. Tek ajo vajzë ishin vertetë sytë e të atit, por tanimë, një dorë hyjnore e padukshme, me një pastel të lehtë e të butë, kishte çliruar prej tyre atë demon të mundimshëm, me të cilin aq shumë qe përleshur babi i saj në ngjallje.

Lavdi zotit, mendova. Me sa duket, asgjë nuk shkon e humbur në këtë botë. Ai do të kishte qënë vërtetë i lumtur, më në fund, për gjithçka që kishte lënë pas.

Thënie mbi Faik Ballancën

Vath Koreshi: “Jo rrallë më ndodh që, duke lexuar tregime të Faik Ballancës, më vjen në vesh zëri i tij gjithmonë i shtruar dhe i mbushur me magjinë e zemrës dhe mendjes së tij aq të mprehtë. Faiku ngjallet sa herë, sepse gjithmonë ne kemi nevojë të na plotësojë me diçka që na mungon. Kur jemi të padrejtë, ai na ofron ndershmërinë e tij, kur na tut jeta, ai na bën më të guximshëm. Ai di të na shtyjë gjithmonë që të bëhemi më shumë njerëz, më shumë shokë dhe më shumë të mençur. Gjithë artin e tij ky njeri me zemër vezullimtare e vuri në funksion të fisnikërimit të njeriutë të tregojë se ç‘rrezatim të fuqishëm ka një shpirt që do, që dhemb dhe që nuk e pranon meskinitetin”.

Dritëro Agolli:” “Faik Ballanca e pati të shkurtër kohën e krijimtarisë, ashtu siç e patën Lermontovi, Migjeni, Veli Stafa apo Drago Siliqi. Nga kjo anë, e fundit të dhimbshëm të jetës së shkurtër, megjithëse në rrethana të ndryshme shoqërore, ai u shëmbëllen në fatin tragjik këtyre shkrimtarëve, që nuk i dhanë dot të gjitha ato që mund të jepnin. Megjithatë, ky i dashuruar i marrë i librave, la një trashëgimi të vyer letrare, që përcjell te njerëzit një kënaqësi të vërtetë estetike edhe sot e kësaj dite”.

Ismail Kadare, për romanin e tij të parë “Nomeja e largët”: “Asnjë nga akuzat që i bën redaksia nuk qëndrojnë. Ky është romani i tij i parë dhe çuditem se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne”

Të fundit

Zgjedhjet e 25 Prillit/ Lulzim Basha zgjedh Mark Markun përfaqësues politik për Lezhën

Ish-deputeti dhe pedagogu i njohur Mark Marku është zgjedhur drejtuesi politik i PD-së për Lezhën. Më herët, Basha ka zgjedhur...

Nxehen gjakrat live/ Përplasje të forta mes Kleoniki Delijorgjit dhe Alesia Bamit

Modelja dhe këngëtarja shqiptare, Kleoniki Delijorgji e ftuar në "Shiko kush luan", bëri një deklaratë që tërhoqi jo pak vëmendjen. E pyetur se cilën nga...

Franca në krizë për mjekë/ 75-vjeçarët do të vaksinohen në shtëpitë e tyre

Duke filluar nga sot në Francë personat që janë mbi moshën 75-vjeçare do të vaksinohen në shtëpitë e tyre. Mirëpo, ekziston frika se nuk...

“Do ju presim kokat”/ Kjo është vajza me flamur serb që kërcënoi shqiptarët

Opinioni malazez dhe ai shqiptar në Mal të Zi janë ndjerë të tronditur pas shfaqjes së një videoje në rrjetet sociale, ku një shtetase...

Si rrallë herë Xhemi Shehu publikon foton romantike me bashkëshortin, duken kaq të lumtur

Moderatorja Xhemi Shehu është tepër e rezervuar kur bëhet fjalë për jetën e saj private. Ajo pëlqen t’i ndajë gjërat e bukura në Instagram,...

Lajme të tjera

Web TV