Ismail Qemali për Le Matin (1913)/ Mendimi për Esad Pashën dhe e ardhmja e Shqipërisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Le Matin” ka botuar, të martën e 29 prillit 1913, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me Ismail Qemalin në Paris, pak para se të nisej për në Londër, ku do të përcaktohej edhe fati i Shqipërisë.

Nga Aurenc Bebja

Ismail Qemal Beu, një shqiptar nga Shqipëria, deputet i Vlorës në Dhomën e Deputetëve të Kostandinopojës, kreu i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë të formuar në Vlorë disa kohë më parë, sapo kaloi nëpër Paris.

Dje, ne realizuam me të një intervistë, para se të nisej për në Londër.

Ne e pyetëm atë:

— Çfarë mendoni, çfarë mendon qeveria e përkohshme shqiptare për Esad Pashën për lajmin që ai e ka shpallur veten Mbret të Shqipërisë?

Ismail Qemal beu na u përgjigj:

— Unë e njoh shumë mirë Esad Pashën. Ai është një njeri trim dhe guximtar. Nuk mund ta pranoj lajmin që gazetat po botojnë se ai ka bërë një marrëveshje me mbretin e Malit të Zi. “Nëse të jap Shkodrën, më lini Shqipërinë.” Nuk dua ta besoj, sepse nëse kjo do të ishte e vërtetë, jo vetëm që Esad Pasha do ta tradhtonte Shqipërinë tonë, por gjithashtu ai do të kishte treguar pak inteligjencë dhe largpamësi, sepse populli shqiptar — tek i cili ai mbështetet — nuk do t’ia falte asnjëherë aktin e tij të tradhëtisë. Ai do t’i kundërshtonte çdo përpjekje të tij për të imponuar vullnetin dhe respektuar dëshirat e tij.

— A besoni, edhe nëse lajmet për marrëveshjen e tij me mbretin Nikolla janë të pasakta, që Esad Pasha mund të qëndrojë dhe të bëhet, në fakt, mbret i Shqipërisë?

— Nuk e besoj. Së pari, ne nuk duam që një vendas të jetë princi i Shqipërisë. Ne nuk e duam atë, sepse, për të pasur marrëdhënie të dobishme dhe fitimprurëse, ne kemi nevojë absolutisht për një princ të huaj, një princ të huaj të caktuar nga vetë Fuqitë, i cili, falë situatës dhe marrëdhënieve të tij personale, mund të siguronte për Shqipërinë atë që do t’i duhej nga jashtë. Një vendas nuk do të mund të vendoste kurrë marrëdhënie të kënaqshme me të huajt ashtu si një sovran i huaj, anëtar i ndonjë familje princërore, ose i lidhur me njërën prej tyre, dhe i cili, për më tepër, do të siguronte dashamirësinë e Fuqive të Mëdha.

— A mendoni se Esad Pasha do të mund të qëndrojë (në pushtet) në Tiranë apo në ndonjë vend në Shqipëri?

— Jo, nuk e besoj atë. Ushtria e tij e vogël do të shpërbëhet dhe populli nuk do ta ndjekë atë. Ai nuk ka mjete për të ushqyer ushtrinë e tij dhe mund të llogarisë vetëm tek populli për t’i siguruar këto mundësi. Ai nuk ka municione për të mbajtur një qëndrim të rrezikshëm. Nuk besoj se Esad Pasha mund të mbajë pushtetin.

Lexo edhe :  1969 – Shpërthen “Lufta e Futbollit” mes El Salvadorit dhe Hondurasit

— A mendoni se ai do të ketë mbështetjen e shteteve të Ballkanit?

— Jo, nuk e besoj atë. Vetë Mali i Zi nuk do të kishte interes për të mërzitur fuqitë e mëdha, të cilat me siguri nuk do të duan të dinë asgjë për Esad Pashën.

— Si e shihni krijimin e shtetit të ri shqiptar? A keni burime për jetën dhe administratën e vendit?

— Ne me siguri do të kemi burimet e nevojshme. Nëse kufijtë e vendit tonë mbeten ata të vendosur nga Evropa, ne do të kemi një popullsi prej rreth 1.200.000 shpirtrash. Popullsia është homogjene, shqiptare, do të flasë vetëm një gjuhë; do të ketë të njëjtat zakone, të njëjtat ambicie. Pavarësisht se njerëzit tanë janë katolikë, myslimanë apo ortodoksë, kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi. Nuk do të ketë tek ne mosmarrëveshje për arsye të besimeve të ndryshme fetare. Ne do të kemi, me taksa të arsyeshme, të ardhura prej 60 milion frangash, të cilat do të jenë më se të mjaftueshme për një administratë të mirë dhe për pagat e një xhandarmerie dhe një milice.

— Pra, ju nuk doni një ushtri?

— Jo! Për çfarë do të na duhej një ushtri? Ne do të kemi një milici, si në Zvicër, ashtu dhe në Mal të Zi.

Kështu që unë them se të ardhurat tona do të jenë të mjaftueshme për të paguar mirë nëpunësit tanë civilë, përveç interesit të një kredie që do të duhet të marrim për ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe ndërtesave të shërbimeve publike. Ne nuk duam shumë nëpunës publik, por ata që do të punësojmë do të paguhen mirë. Ne e duam Shqipërinë për shqiptarët. Ne duam të jemi të pavarur. Ne nuk duam të jemi vasalë të Turqisë ose të ndonjë vendi tjetër. Kushtetuta jonë do të bazohet në formulën e mëposhtme: “Shqipëria dëshiron pavarësinë kombëtare nga ana ekonomike dhe politike. Shqipëria dëshiron të ecë në harmoni të plotë me shtetet e tjera të Ballkanit. Shqipëria dëshiron të gëzojë dashamirësinë e të gjitha fuqive të Evropës pa përjashtim.”

Të fundit

Daily Express: Shqipëria destinacioni më i mirë europian për pushime

Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime në vitin 2025. Blogeri i njohur...

Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot përfundimin e punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Bashtovës, një prej monumenteve historike më...

Përballen për herë të parë, caktohet stadiumi ku do luajë Shqipëria miqësoren e shtatorit

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Gjibraltarit më 4 shtator. Të dyja federatat kanë rënë dakord që kjo ndeshje të...

Na u sulët si bisha kur thamë se PD po i paguan kot ato para/ Muli tani rrezikon burgun

Ylli Manjani ka komentuar vendimin e fundit të SHBA, për të mos komentuar më proceset zgjedhore në vendet e tjera. “Më në fund doli dikush...

“Nuk do të ketë asnjë strukturë mbi trotuare”/ Rama ndan pamjet nga ‘çlirimi’ i Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot përmes një postimi në Facebook, ku ka dhënë detaje mbi ecurinë e aksionit për çlirimin e hapësirave publike,...

Lajme të tjera

Web TV