Ka një diskutim ditët e fundit për disa figura të rëndësishme të LSI-së që janë larguar prej saj ose që nuk do jenë kandidatë për deputetë të kësaj force politike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Këtu përmenden disa emra të rëndësishëm që kanë dhënë kontribute në këtë parti. Mes tyre është Lefter Koka, Shezai Rrokaj, Edmond Panariti, Nasip Naço etj. Por ish-deputetja dhe nënkryetarja e LSI Kejdi Mehmetaj, tregon për largimin e tyre. Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU Mehmetaj tha se për secilin janë rrethana të ndryshme që lidhen apo jo me angazhimet e tyre personale.
-Kejdi, ka pasur disa largime nga LSI si përshembull Lefter Koka, Nasip Naço mendohet që të mos jetë etj. Unë jam shumë dakord për prurjet e reja, por ata që i kanë dhënë LSI-së duket sikur po largohen. Duken si të pakënaqur.
-Të pakënaqur? Ku qëndron pakënaqësia se hera e parë që e dëgjoj këtë. Unë jam rritur në shkallët e LSI-së dhe e njoh mirë mënyrën se si LSI funksionon. Nëse ka një gjë që në LSI realizohët në mënyrë perfekte, është bashkëjetesa ndërmjet të gjithë grupmoshave, por edhe të gjitha kategorive që përbëjnë LSI-në. Në LSI nuk ka pasur ndonjëherë konflikt brezash dhe besoj se edhe për një kohë të konsiderueshme nuk do ketë sepse është formati i tillë. Profesor Rrokaj nuk ka asnjë pakënaqësi me LSI-në, unë kam punuar me të nga afër. Ai ka një karrierë të jashtëzakonshme në fushën akademike dhe pas largimit që në bëmë nga parlamenti ai rizgjodhi t’i kthehet fushës akademike e cila ja pengon angazhimin në një parti politike dhe kjo është zgjedhja e tij, besoj tërësisht profesionale dhe personalisht ja vlerësoj pa masë duke i vlerësuar në të njëjtën mënyrë edhe kontributin politik. Sa i takon rastit të zotit Koka, pa dashur të qëndroj në detaje, nuk ka të bëjë fare me çështjen e listave pasi ai ka kohë që është larguar nga LSI. Nuk dua t’i hyj detajeve se cili është problem i tij, por mendoj se në momentin që shumica merr një vendim, na pëlqen, nuk na pëlqen kjo është të jetuarit në komunitet, ndaj janë votimet, proceset, ndaj partia ka institucione, ndaj ka struktura, që edhe nëse nuk jemi të kënaqur nga vendimet që merren, ne duhet t’i zbatojmë këto vendime./Fjala.al/Ke.Ba