Çelentano, një vullkan i papërmbajtshëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Këngëtari italian më i dashur i shqiptarëve Adriano Celentano lindi me 6 janar 1938, dhe sot mbush 83 vjeç

Ai ka lëshuar 40 albume me këngë. Këngët e tij janë më të shiturat në Itali. Ndikuar shumë nga idhujt e tij Elvis Presley dhe aktori komik Jerry Lewis, e ka ruajtur popullaritetin e tij në Itali për më shumë se 50 vjet si artist i shumëanshëm…

…Në 6 janar 1938, në Milano, lindi Adriano Çelentano këngëtar kompozitor, komedian, aktor, drejtor filmi e personalitet televiziv italian. Ai është biri i prindërve puljezë, të cilët emigruan në Milano, në kërkim të një jete më të mirë.

Adoleshenca e gjen Celentanon larg shkollës, i detyruar të bëjë punë të ndryshme për të mbijetuar, mes tyre, ai si të preferuar kujton zanatin e orëndreqësit.Megjithëse dukej ëndërr e largët, Adriano nuk u ndal kurrë para dëshirës për t’u marrë me muzikë dhe, për herë të parë debuton në Teatrin Smeraldo, së bashku me Tony Renis, në një grup muzikor që mbante emrin “Qejflinjtë e ritmit”.

Pas njërës prej shfaqjeve të fillimit, ai takohet me kampionin e muzikës rock-boogie, Bruno Dossena, i cili e fton të marrë pjesë në Festivalin e Rock’n’roll-it, që zhvillohej në Pallatin e Akullit në Milano. Atje Adriano Celentano mori pjesë i shoqëruar nga kompleksi “Rock boys”, ku bënin pjesë artistë që në të ardhmen do bëheshin firma të mëdha të muzikës italiane, si Giorgio Gaber, Enzo Jannacci dhe Luigi Tenco.

Megjithëse kishte shumë pjesëmarrës, dukej se i vetmi këngëtar i vërtetë rock, ishte ai “Adriano il Molleggiato” (i përdredhuri) i pari, madje i vetmi në Europë. Me këngën “Ciao, do të lajmëroj”, ai i shkatërroi krejtësisht konkurrentët e tjerë dhe vetëm pas tri ditësh nënshkruan kontratën e parë me shtëpinë diskografike milaneze “Saar”, me të cilën prodhon këngët hit “Rip it Up”, “Jaihouse Rock” dhe “Tutti Frutti”.

Në vitin 1958 ai është sërish pjesëmarrës në edicionin e dytë të festivalit të muzikës Rock’n”Roll dhe, për herë të parë shfaqet si figurant në filmin “Të nxituarit”. Data 13 korrik 1959 është dita e Festivalit të Anconës, ku Celentano, me këngën “Puthja jote është si një rock”, bëhet fitues dhe njëkohësisht pushtuesi i klasifikimeve muzikore në mbarë Italinë.

Kjo këngë e bën Adriano Celentanon të njohur. Është ky çasti kur Adriano nis ngritjen e tij artistike dhe, që nga ajo kohë nuk ka këngë apo album të tij që nuk ngjitet në vendet e para të klasifikimeve muzikore. Viti i suksesit në skenën e muzikës përkon edhe me pjesëmarrjen e tij në dy filma artistikë, “Djemtë e këngëve” dhe ” Këngë, thirrje dashurie”.

Vitet ‘60

Në vitin 1960 Celentano shfaqet në një sekuencë të rëndësishme të filmit të famshëm “Jeta e ëmbël”, të regjisorit Federico Fellini, i cili e kërkoi ta kishte me çdo kusht, pasi e pa në skenë duke kënduar “Reddy Teddy”. Në të njëjtin viti, ai interpreton në filmin “Ulërima pas hekurave”, “Jepi Johnny, jepi” dhe “Sanremo, sfida e madhe”.

Një vit më vonë, Adriano niset të kryejë shërbimin ushtarak dhe merr pjesë në festivalin e Sanremos me këngën “24 mijë puthje”.  Nuk fiton, sepse renditet në vendin e dytë, por disku shitet në më shumë se një milion kopje. Adriano në skenë këndoi duke ia kthyer shpinën publikut, dhe ky veprim bëri aq bujë sa u kthye në një çështje që u diskutua edhe në Parlament.

Shkëputjen nga “Saar” dhe themelon “Clan Celentano”, eksperimenti i parë i një artisti italian që zgjedh të prodhojë muzikë për vete dhe për këngëtarë të rinj.”Clan” bëhet shumë shpejt një etiketë diskografike që mbeti e pavarur. Modeli i kësaj etikete muzikore u frymëzua nga modeli i krijuar nga Frank Sinatra, por asnjë këngëtar italian para Adrianos nuk guxoi ta mendojë.

“Clan Celentano” ua hapi rrugën etiketave të tjera muzikore italiane, si “Numero Uno” e Mogol-Battisti ose “PDU” e Minës.”Qëndro larg meje”, më 1962, është kënga e parë që del me etiketën “Clan” dhe shet një milion e treqind mijë kopje. Pasohet nga këngët “Do të lutem”, “Faleminderit, më fal, rikthehem” dhe “Tango e rëndë”.

Adriano prek vendet e para të klasifikimeve më 1963-shin, me këngën ‘E shtunë e trishtuar”, dhe interpreton përkrah të madhit Totò në filmin “Murgu i Moncës”. Në të njëjtën periudhë, gjatë xhirimeve të filmit “Një tip i çuditshëm”, njihet me Claudia Morin, gruan e tij të ardhshme, me të cilën vendos një vit më vonë.

Rikthimin në Sanremo, artisti e bën më 1966-n, me një këngë që për herë të parë ngjit në skenat muzikore evropiane temën e ndotjes urbane.Titulli i saj është “Djaloshi i rrugës Gluck” dhe suksesin ia garantojnë një milion e gjysmë kopje të shitura në mbarë botën, ku kënga u përkthye në tetëmbëdhjetë gjuhë. “Bota në Mi 7″, një tjetër sukses i Adrianos, ku flitet për drogën, korrupsionin dhe ekologjinë.

Këngëtari u largohet paksa temave shoqërore dhe, përkrah të shoqes Claudia Mori regjistron këngën me titull “Çifti më i bukur në botë”. Kjo këngë vlerësohet me çmimin e parë të Sanremos, më 1970-n. Adriano i kthehet Sanremos me këngën “Canzone” që, edhe pse vlerësohet e treta në festival, mban vendin e parë në shitje. Por 1968-a mbetet në kujtesë si viti i këngës “Azzurro”, një tjetër krijim i rëndësishëm në panoramën e muzikë së lehtë italiane, së bashku me “Përkëdhelja në një grusht”, që u editua në të njëjtin vit.

Lexo edhe :  Shenjat e horoskopit që do të kalojnë bukur javën e fundit para Krishtlindjes

Një tjetër “Charlie Chaplin”

I ftuar nga regjisori Pietro Germi, Adriano debuton në kinemanë elitare me filmin “Serafino”, ku fiton çmime në festivalet e Berlinit, Moskës, Francës. Njëlloj si Italia mbarë, Europa çmendet për Celentanon. Interpretimit në kinema, përkrah bashkëshortes, Clentano i kthehet më 1973 me filmin “Rugantino”, kur, në të njëjtën kohë, këngëtari bindet nga regjisori i famshëm i filmave horror Dario Argento që të luajë në filmin e tij me titull “Pesë ditët”.

Artisti shumëplanësh ka pasur gjatë gjithë karrierës dashurinë e pandarë të publikut, por në vitin 1974, pas daljes në kinema të filmit “Yuppi Du”, i shkruar, drejtuar, interpretuar dhe prodhuar nga vetë Celentano, edhe kritikët e kinemasë thirrën njëzëri: “Ka lindur një Charlie Chaplin i ri!”.

Periudha nga viti 1975 deri më 1985 sjell për Adriano Celentanon intensitet të pazakontë në aktivitetin si aktor. Filmat e tij janë të parët në historinë e kinemasë italiane, që sjellin të ardhura deri në dhjetë milionë euro. Dalja e albumit “Svalutation”, ku ndihet haptazi ironia mbi ekonominë e lodhur italiane, bën që Celentano të jetë në krye të shitjeve, jo vetëm në Itali, por edhe Francë e Gjermani, ku edhe sot ai është idhull. Suksesi i albumit nuk vjen i vetëm, sepse, po në atë periudhë, këngëtari interpreton bashkë me të madhin Anthony Quinn në filmin “Bllofi”.

Fillimi i viteve 90 e gjen Celentanon duke projektuar suksese të tilla, si “Mbreti i injorantëve”, “Erdhën njerëzit”. Një bum artistik i publikut dhe i kritikës ishte albumi që ai dhe Mina nxorën në treg në vitin 1998, me titullin “Mina & Celentano”. Pasi shiti një milion kopje nga ky disk, Adriano editon një të ri me titullin “Unë nuk di të flas për dashurinë”, i cili shiti plot dy milionë kopje. Televizioni shtetëror e lut që të drejtojë një spektakël, duke shpresuar në rikthimin e suksesit që ai pati me “Fantastico”. Celentano nuk zhgënjen dhe sjell në ekranin e Raiuno-s, para një publiku disa milionësh dhe vëmendjes së medieve, programin e titulluar “Shkurt, nuk më intereson”.

Në mijvjeçarin e ri

Më 2000 del një tjetër album, “Dal rrallë dhe nuk flas shumë”. I tërhequr në jetën familjare, artisti vendos që pas dy vjetësh të risjellë një CD me titull “Përgjithmonë”. Bashkë me albumin, Celentano drejton përsëri një spektakël të suksesshëm, ku debatohet për temat më të nxehta të realitetit, me titullin “125 milionë idiotllëqe”. Fundi i tetorit 2003 sjell në treg “Të gjitha rastet, ku Celentano ka qenë numër 1”, album ku përfshihen 17 këngë të zgjedhura, mes 100 të kënduara në vite nga këngëtari i madh.

Pasi pret vetëm një vit, artisti i kthehet prodhimit të albumeve dhe nxjerr një të ri, të titulluar “Ka gjithmonë një motiv”. Shitjet e albumit ecin shume mirë, ndaj Adriano Celentano tregon interesin më të madh ndaj televizionit, por një grindje me drejtuesit e Rai-t bën që ai të heqë dorë nga një projekt që kishte në kokë asaj kohe.Pas spektaklit “Rockpolitik” (tetor 2005), talenti i pashoq Celentano rikthehet pas dy vjetësh në televizion, gjithmonë në kanalin shtetëror Rai, me programin titulluar “Situata e motrës sime nuk është e mirë”.

Po në muajin nëntor, kur ai është në krye të këtij spektakli, nxjerr në treg albumin me titull “Fli e dashur, situata nuk është e mirë”. Provokimi i fundit “alla Celentano” titullohet “Situata e motrës sime, nuk është e mirë”. Me fjalën “motër” ai nënkupton planetin Tokë. Publiku e përpiu edhe këtë punë të fundit të artistit të dashur, i cili miqve të tij u rrëfeu se ky ishte një nga programet televizive më të vështira që kishte bërë ndonjëherë. “Situata e motrës sime, nuk është e mirë” u ndoq nga nëntë milionë e 200 mijë telespektatorë.

Jeta familjare

Vetëm një femër si Claudia Mori, mund të drejtojë, mbrojë dhe dashurojë një vullkan si Adriano Celentano. Claudia, aktore dhe këngëtare nga Roma, e takoi Celentanon në sheshxhirimin e filmit “Një tip i çuditshëm”; dhe që nga ai moment ata janë çifti më solid në show-bizin italian. Martesa e tyre u bë shumë sekrete në vitin 1964.

Kjo lidhje u solli atyre tre fëmijë: Rosita, më 1965, Giacomo, më 1966, dhe Rosalinda, më 1968. Jeta në çift e Adrianos dhe Claudias ka rrjedhur e qetë dhe shumë e rezervuar për publikun, përveç viteve tetëdhjetë, kur u fol për një divorc dhe ata jetuan për disa kohë të ndarë. Flitet se një flirt i Adrianos me seks-simbolin e kinemasë italiane Ornella Mutti ishte shkaku i kësaj krize. Pasi i fashitën hijet e ftohjes, çifti i famshëm u gjend përsëri bashkë në filmin me titull “Joan Lui”.

Të fundit

Durim Bami para gjykatës në Dubai, pritet vendimi për ekstradimin në Shqipëri

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, Durim Bami vijon të mbahet i arrestuar në Dubai prej më shumë...

Bombardimet në Gazë, Papa Françesku: Kjo është mizori, nuk është luftë

Papa Françesku përsëri i ka dënuar bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, duke thënë të shtunën se kjo nuk është luftë, por “mizori”. Një ditë...

Sulmi terrorist në Magdeburg, qytetarët vendosin lule në shenjë nderimi për viktimat

Në qytetin qendror gjerman të Magdeburgut, njerëzit dhe shërbimet e urgjencës janë mbledhur në numër të madh për të vendosur lule për ata që...

Mbyllja e ‘TikTok’ në Shqipëri, kryeministri Rama: Ja sa zgjasin procedurat

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë në takim me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të masave për sigurinë në shkolla. Ai...

Protesta e PD, policia nuk pranon kërkesën: Rrugët mos bllokohen, përbën vepër penale

Organizatorët e protestës së opozitës më 23 dhjetor, kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë. Policia e...

Lajme të tjera

Web TV