Moti ka filluar të ftohet, por, përkundër kësaj, atmosfera në kampin e Dinamos ka filluar të nxehet. Përveçse e ka mbyllur 2020-ën në vendin e parë të renditjes së grupit A, apo grupit të Veriut të Kategorisë së Parë, 18-herë kampionia e Shqipërisë ka pushtuar titujt e lajmeve sportive të ditëve të para të vitit të ri, duke sjellë në Tiranë dy emra të njohur të futbollit përtej Adriatikut, siç janë Françesko Moriero dhe Fabricio Mikoli.
Një bast në dukje i madh ky, por jo për presidentin e bluve kryeqytetas, Marko Pontrelin. “Për mua, ky nuk është një bast”, – thotë ai, duke folur posaçërisht për gazetën “Fjala”. “Mua sot më jep mjaft kënaqësi të kem këtu një ish-lojtar të madh të Dinamos, si Sulejman Demollari, por edhe që kam zgjedhur këta dy kampionë të mëdhenj që, le të themi, i njohim të gjithë, – ka vijuar italiani.
– Ata kanë ardhur këtu me një mision të qartë, janë të dy mjaftueshëm profesionistë dhe unë kam nevojë për profesionistë. Sidoqoftë, kanë diçka më tepër se një javë që kanë ardhur këtu dhe kanë marrë në dorë drejtimin e skuadrës së Dinamos. Dhe sot kam ardhur për ta kaluar gjithë ditën me ta dhe me skuadrën, për të kuptuar se cili është itinerari që do të përshkojmë.” Por si ish-futbollisti i Interit, ashtu edhe ndihmësi i tij, ish-futbollisti në të tjera i Juventusit dhe përfaqësueses axurre, duket se e kanë këtë bastin e jetës së tyre në stol.
“Po, kam 12 vjet që e bëj këtë punë dhe kam patur vetëm dy përvoja më parë jashtë Italisë, një në Bregun e Fildishtë, ku kam fituar kampionatin dhe një tek Lugano në Zvicër, – ka pohuar Moriero. – Këto kanë qenë dy përvojat e mia, por kjo është një përvojë e rëndësishme, sigurisht, dua të bëjmë mirë, sepse në futboll stërvitesh dhe luan për të fituar.”
“Është një përvojë që, sipas meje, më ndihmon të rritem, sepse njoh një kulturë të re, njoh lojtarë të rinj, një lloj tjetër futbolli, – ka shtuar trajneri i Dinamos. – Prandaj, për bagazhin e një trajneri, kjo është e rëndësishme.” Ndërsa Mikoli thekson se, për të, “kjo është përvoja e parë si bashkëpunëtor, si ndihmëstrajner”. “Trajneri Moriero i ka idetë e qarta dhe basti ynë është që kemi ardhur këtu duke kërkuar që të bëjmë mirë, të punojmë, të përkushtohemi, të japim maksimumin dhe të vlerësohemi për atë që jemi”, – ka theksuar ai. “Prandaj, shpresojmë të bëjmë mirë, skuadra është e fortë dhe urojmë më të mirën”, – ka shtua ish-lojtari i Palermos.
Në fakt, ndikimi në grupin aktual duket se ka qenë i menjëhershëm dhe këtë e pohon edhe futbollisti italian, Damiano Pontreli, i cili beson tek ndryshimet që po bëhen. “Po le të themi që është ende herët që të ndryshojnë gjërat, – thotë ai.
– Padyshim, fizionomia e tyre në aspektin sportiv na ka rritur përqendrimin, sepse janë dy persona që, në botën sportive, i kanë dhënë historisë së futbollit italian.” “Kështu që kemi respekt maksimal për ta dhe, kur priten ndryshime, edhe përqendrimi rritet dhe prandaj skuadra është shumë e përqendruar dhe urojmë që këto ndryshime të jenë edhe më të dobishme sesa ato të mëparshmet”, – shton sulmuesi 25-vjeçar.
Ndërkaq, dyshja e re teknike e ka vlerësuar lart grupin aktual të dinamovitëve. “Kam gjetur një skuadër të predispozuar të punojë, me lojtarë punëtorë, një grup të shkëlqyer, një grup të fortë si teknikisht, ashtu edhe sa i përket karakterit”, – thotë trajneri Moriero, duke analizuar atë që ka parë.
“U kam shpjeguar se jam këtu për të vazhduar në rrugën që kanë nisur dhe për të shtuar diçka më tepër që është vizioni im për futbollin, – vijon ai. – Duke e ditur që vij nga një futboll ndryshe, jam unë që duhet të përshtatem sa më shpejt, të mësoj, sepse jam këtu për këtë përvojë, por, mbi të gjitha, për të mësuar, për ta pasuruar bagazhin tim teknik. Kështu që ata më janë vënë në dispozicion për të mësuar diçka ndryshe, por edhe unë jam në dispozicion të tyre për të mos tronditur asgjë, por për të shtuar diçka dalëngadalë.”
Fjalëve të trajnerit u bën jehonë edhe ndihmësi Mikoli, që thotë: “Kam gjetur një skuadër të mirë dhe jemi duke punuar. Kemi vetëm pak kohë që jemi këtu, por skuadra më pëlqen, më pëlqen shumë… Mirë, mirë, janë djem të jashtëzakonshëm dhe një grup i bukur… na kanë pritur mirë, prandaj jam i kënaqur.” Të njëjtën ndjesi përcjell dhe përgatitësi atletik, Kristian Parabita.
“Në aspektin fizik kam gjetur një skuadër me një bazë të mirë, të shkëlqyer dhe më duhet të them që përpara meje është bërë një punë e mirë”, – ka pranuar ai. “Kështu që duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të kërkojmë ta ruajmë këtë gjendje fizike deri në fund të kampionatit, për të arritur jo vetëm objektivin sportiv, por edhe atë fizik. Megjithatë, kam gjetur një skuadër të përgatitur mirë.
Do të ndryshojmë diçka në këtë drejtim. Qartësisht, në mënyrë graduale, do të fus edhe unë diçka nga programi im, por pa shkaktuar asnjë tronditje.” Edhe pse kanë pak kohë në Shqipëri, Moriero dhe Mikoli kanë krijuar një ide, edhe pse minimale, të nivelit të kampionatit këtu, duke këmbëngulur se Shqipëria paragjykohet në këtë drejtim.
“Kam parë disa ndeshje dhe është një futboll fizik, në të cilin vrapohet mjaft, luhet një për një dhe për këtë është një futboll i ndryshëm, – thotë ish-mesfushori i Interit, i njohur ndryshe me nofkën “Çeko”. – Por e përsëris që ne jemi gati, sepse stërvitemi për këtë, por ka edhe skuadra të tjera të mira.
Nuk jam dakord kur thonë se ky kampionat është një kampionat i lodhur, sepse, sipas meje, ka këtu lojtarë shumë të mirë, prandaj e dimë se me çfarë duhet të përballemi. Dhe e përsëris, që duhet të përballemi me përkushtim në punë dhe me përunjësi.”
“Përunjësi nuk do të thotë të kesh frikë, por do të thotë që të përballesh me kundërshtarin me 100%-shin tënd”, – shton Moriero. “Kemi parë videot e disa ndeshjeve dhe duhet të themi që futbolli në Shqipëri po njeh rritje të madhe, – thotë Mikoli në anën tjetër. – Të gjitha skuadrat janë të organizuara, skuadra që punojnë mirë, prandaj do të jetë e vështirë për ne, por ne duhet të japim maksimumin tonë.” Megjithatë, drejtuesit e Dinamos e pranojnë se skuadra ka nevojë për përforcime. “Sapo kemi hapur fushatën për përforcime të reja, duke u mbështetur mbi reflektimin që kemi bërë këto ndeshjet e fundit, – thotë presidenti Marko Pontreli. “Unë po merrem personalisht me këtë çështje, duke vënë re që Dinamo ka nevojë për ca përforcime, në ca pika strategjike do të ishte më e mira për ne duke patur parasysh atë që na pret, – ka vijuar ai.
– Po, jemi në bisedime të vështira me dy kandidatura, por po punoj pandërprerë personalisht për këtë. Shpresoj që t’ia arrijmë për të mirën e këtij grupi të madh, që duhet thënë se është i veçantë.” Edhe pse trajneri i ri e ka të qartë që pjesa në vazhdim e sezonit nuk do të jetë e lehtë, në kampin e Dinamos optimizmi është në nivele të larta si kurrë më parë. “Shiko, unë jam i lumtur me lojtarët që kam, – thotë Morierio.
– Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni presidentit. Sidoqoftë, di që presidenti dhe klubi po shohin rrotull, për ta përmirësuar edhe më tepër këtë grup. Por, edhe nëse kjo nuk ndodh, unë jam prapëseprapë i kënaqur, sepse kam diçka më tepër se një javë që jam këtu dhe djemtë më kanë dëshmuar dëshirë të madhe dhe ajo, që unë u kam është që ajo që ata e kanë bërë shumë mirë gjatë pjesës së parë të sezonit, nuk them se duhet ta harrojnë. Por pjesa e mbetur do të jetë edhe më e vështirë.”
“Sepse do të jenë skuadra që do të duan të bëjnë një figurë të mirë përballë nesh dhe, për t’i fituar këto ndeshje, duhet të kesh përunjësi, sepse në futboll luhet me 11 kundër 11 lojtarëve dhe fiton ai që vrapon më tepër dhe që lufton më shumë në fushën e blertë”, – thekson trajneri i Dinamos. Po a është ngjitja në Superiore një mision i mundur këtë sezon? “I mundur apo i pamundur, le t’ia lëmë kohës ta tregojë, – këmbëngul presidenti Pontreli.
– Për mua është një mision që duhet përballuar ditë pas dite, me sakrifica të mëdha, me përkushtim dhe profesionalizëm, në administrim, në futboll. Kështu që, për mua, e pamundur nuk është asgjë, sepse, derisa bëmë mrekullinë e mbijetesës sezonin e shkuar, gjithçka është e mundur… Kampionatet janë gjithmonë të vështirë dhe asnjëherë nuk ka gjë të lehtë.
Por ne do të bëjmë tonën dhe mundësitë janë të mëdha.” Ndërsa futbollisti Damiano Pontreli përcjell optimizmin që gëlon në skuadër. “Sigurisht që ne të gjithë besojmë tek ngjitja më lart, – thotë ai. – Jemi grup fantastik, një familje, kështu që i kemi të gjitha ato që na duhet për t’u ngjitur në Superiore. Të humbasësh është e thjeshtë, të fitosh është gjithmonë e vështirë. Por ne do të luftojmë deri në fund për ta çuar këtë skuadër aty ku e meriton të jetë.”