Në një pjesë të madhe të mediave ditën e djeshme u raportua lajmi se Çiljeta Xhilaga ishte larguar nga Partia Demokratike, duke u shprehur e zhgënjyer nga drejtimi i Lulzim Bashës. Këngëtarja nuk është e panjohur për kontributin që ka dhënë në PD gjatë viteve, megjithatë ajo që habiti më shumë fansat e saj dhe jo vetëm, ishte fakti se ajo kishte deklaruar që në zgjedhjet e ardhshme do të votonte për PS-në dhe Kryeministrin Rama. Më saktësisht, më media u tha se në një intervistë Çiljeta ishte shprehur kështu:
“Unë jam larguar nga PD-ja sepse kam pakënaqësi nga Lulzim Basha. Unë kam ndryshuar dhe vota ime këtë vit shkon për PS-në dhe Edi Ramën. Sigurisht që habiteni por Rama e meriton, demokratët janë zhgënjyer nga Luli”.
Gjithsesi duket se një intervistë ku këngëtarja të ketë shprehur këtë qëndrim nuk është realizuar dhe lajmi i shpërndarë ka qenë i rremë. Këtë e ka konfirmuar vetë Çiljeta, me anë të një postimi në Instagram sot, ku ndër të tjera thotë se fjalët e saj janë të shpikura. Ajo shprehet se nuk ka folur për bindjet e veta poltiike dhe nuk ka ndërmend të flasë, pasi janë personale, ndërsa thotë se është e pavërtetë që është larguar nga PD si e zhgënjyer.
Në fund ajo ka edhe një kërkesë për gazetarët që shkruajnë histori të tilla.
