Nga procesi i fiskalizimit qeveria synon të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit me 10% dhe 20% në raport me të gjithë kontrollet.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vë fokusin në dy elemente të rëndësishëm, siç janë thjeshtimi i deklaratave dhe raportimi online i shërbimeve për bizneset, çka ka lehtësuar procedurat dhe ka ulur kontaktin fizik.
Gjatë vitit 2021 parashikohet vënia në zbatim e 5 regjistrave të rinj si ai i hartuesve të pasqyrave financiare, regjistri i administratorëve, regjistri i llogarive bankare, regjistri i aseteve apo regjistri i pronarëve përfitues.
Ndërkohë në mbledhjen e të ardhurave një rol të madh do të luajë edhe përmirësimi i kontrolleve nëpërmjet GPS, rritjes së efektivitetit të inspektorëve, apo rritja e gjurmimit Track & Trace.
Puna e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ndërtimin e këtyre sistemeve ka nisur dy vite më parë.
“Jemi të ndërgjegjshëm se koha në të cilën ne duhet të punojmë nëpërmjet njerëzve ka përfunduar. Ne punojmë nëpërmjet sistemeve. Kjo është një kërkesë jo vetëm e një qeverisjeje më të mirë por e kohës dhe dua të theksoj dhe një herë se kthimi në sistemet e mëparshme të vitit 2013 me të ardhura të ulëta në buxhetin e shtetit, me sisteme të cilat nuk sigurojnë një qëndrueshmëri afatmesme dhe afatgjatë në rritjen e të ardhurave por dhe në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me biznesin është një kohë e cila ka kaluar”, dka bërë të ditur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.