Militantët demokratë tentuan të ndalonin zgjedhjet/ Thirret në prokurori kreu i PD në Shkodër dhe disa anëtarë të Kryesisë

Kreu i PD në Shkodër Xhevdet Amuli dhe disa anëtarë të Kryesisë janë thirrur nga prokuroria në lidhje me ngjarjet e ndodhura para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Në 18 qershor 2019 disa militantë demokratë dogjën disa materiale zgjedhore të vendosura në shkollën “Shejnaze Juka”, pas një proteste të zhvilluar në Shkodër.

PD nuk mori pjesë në ato zgjedhje, ndaj mbështetësit e demokratëve tentuan të mos lejonin zhvillimin e tyre vetëm me pjesëmarrjen e PS dhe aleatëve të saj.

Në atë kohë policia arrestoi disa qytetarë dhe procedoi disa të tjerë, ndërkohë që pas 1 viti i gjysmë dosja është ende e hapur.

Kryedemokrati i Shkodrës Xhevdet Amuli pretendon se kjo është një formë presioni para zgjedhjeve të 25 prillit, ndërkohë që në prokurori ka deklaruar se Partia Demokratike ka marrë leje në çdo protestë.