Aksident masiv me dy të vdekur dhe disa të plagosur është regjistruar paraditen e kësaj të shtune në autostradën A32 Torino-Bardonecchia, Itali.
Të paktën 25 makina janë përfshirë në aksident në pjesën e autostradës që kalon nëpër Luginën e Susa, në Piemonte, pak para tunelit Serre La Voute, në Salbertrand, në zonën e Torinos.
Sipas informacioneve të para, nga aksidenti kanë mbetur të paktën dy viktima dhe disa të lënduar. Pas alarmit të ngritur nga shoferët, disa automjete të urgjencës kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa mjekët po trajtojnë rastet më pak të rënda në vend, ndërsa janë transportuar në spitalet më të afërta ata që kërkojnë më shumë kontrolle.
Për shkak të përplasjes masive në pjesën e pasme, e gjithë rruga u bllokua me dhjetra automjete të ndaluara. Për këtë arsye, por edhe për të lehtësuar shpëtimin e të plagosurve, autoritetet kanë vendosur të mbyllin të gjithë pjesën e autostradës në provincën e Torinos.
Dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë akulli që u formua në asfalt si rezultat i temperaturave shumë të ulëta që ka përfshirë vendin në orët e fundit.