“Rreshpja nuk ishte poet i cili vetëm shkroi poezi, i edhe jetoi poetikisht. Në mënyrë të çuditshme, aq sa ishte e rëndë jeta e tij, po aq e fuqishme u bë shprehja e tij poetike”…
…Sipas Dr. Gazmend Krasniqit: “Rreshpja është poeti shqiptar më i lakuar sot për sot dhe se prirja për ta përkthyer ka marrë përmasa të mëdha”. Ndërsa në libri “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”, shkruar nga Petrit Palushi, paraqeten kujtime tronditëse, dramatike të poetike të poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muaj para se ai të ndërronte jetë.
Poeti
Frederik Rreshpja ishte një poeti i pazakontë, i cili vdiq në vetmi! “Kur flasim për Rreshpjen, së pari ne duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një poet të një letërsie estetike. Është një poet modern, brenda klasikes dhe duke avancuar më tej, do të thosha se ky është Esenini modern i letërsisë shqipe” – shprehet shkrimtari Petrit Palushi.
Ndërsa shkrimtari tjetër, Shpëtim Kelmendi, thotë: “Fredi ishte një njeri që nuk i interesonte poezia, por poezia ishte e interesuar për Fredin. Kjo do të thotë që ka dy kategori poetësh, poetë që e duan poezinë, që janë 99,7% e poetëve dhe poetë që i do poezia, të cilët janë 0,3%. Fredi hynte te 0,3%. Ai nuk e ndiqte poezinë, por poezia e ndiqte atë. Le të themi që ishte një formë mallkimi për të”.
“Përballë një poezie që e kalon fuqinë e atyre shenjave që kanë letrat shqipe, mundet që komenti ta vrasë poezinë. Unë kam dëgjuar shpesh si një legjendë, një poet që e kanë burgosur, si dhe një situatë të një njohjeje personale, por Fredi ndryshe nga gjithë të tjerët, ka ardhur në bazë të një rregulli metafizik: ka ardhur poezia dhe poeti ka mbërritur me vonesë, jo se deshi të vinte vonë, por sepse pati pengesa, sepse e burgosën, por poezinë nuk e vranë dot”, shprehet studjuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka.
Jeta
Frederik Rreshpja u lind në Shkodër, në një familje me origjinë nga Dukagjini, më 19 korrik 1940. Ai ishte poet lirik, eseist, publicist dhe botues. Pend e tij është ndër më përfaqësueset të vargut shqip. Fëmijërinë e kaloi në lagjen Mëhalla e Çakajve. Në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 nëntori”. Studimet universitare i ndoqi me korrespondencë pranë Pedagogjikut në Tiranë. Punoi në gjendjen civile ne Dajç të bregut të Bunës, më pas nëpunës si përgjegjës kulturor pranë Kombinatit të Drurit në Shkodër.
Burgosja
Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhërin e një qarkoreje të ministrisë së Arsimit dhe Kulturës firmosur nga zv/ministri Mantho Bala për shkak të qëndrimit të autorit. Arrestohet dhe dënohet “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…” me 4 vjet. Ridënohet disa herë dhe në fund del nga burgu ne Sarandë.
Petrit Palushi sqaron: “Ai thoshte që kishte bërë gjithsej 17 vjet e 3 muaj burg. Për herë të parë është dënuar kur ka qenë gjimnazist, në moshën 16-vjeçare, për agjitacion e propagandë. Unë kam arritur ta shoh dosjen e tij, që është dënuar në vitin 1976. Materiali aty ka të bëjë kryesisht me letërsinë. Është i njëjti hetues që është marrë me Frederik Rreshpjen, ai që ishte marrë edhe në vitin 1975 me poetin Avzi Nela, i cili është varur publikisht në Kukës, më 10 gusht 1988. Hetuesi vetëm bënte pyetje: Pse ke lexuar Fishtën? Ku e ke takuar Kuazimodon? (Kuazimodo ishte poet i shquar italian) dhe marrëzi të tjera të tilla. Regjimi nuk e donte Fredin.”.
Deputeti
Në vitin 1991 Frederiku u bë kryeredaktori i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste të Shkodrës. Nga fillimviti i viti 1992 shpërngulet nga Shkodra në Tiranë, ku bëhet themelues i shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese “Europa” dhe drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër. Në shtëpinë botuese, ku përfshihen botimet dhe redaktimet, nxjerr “Erdhi ora të vdes përsëri” më 1994 dhe “Lirika” më 1996. Pas vitit 2000 përjetoi një varfëri të skajshme e më pas pësoi një hemoragji cerebrale më 2001. Më 2004 nxjerr vëllimin “Në vetmi” ku në parathënien e Shpëtim Kelmendit përmendet se çmonte De Radën, Mjedjën, Lasgushin edhe Ali Asllanin.
Vepra
Poezia e parë e shkruar prej tij i qe kushtuar s’ëmës, Files – siç e quante. Nga Adriatik Kallulli i botohet përmbledhja poetike “Rapsodi shqiptare” më 1967. Vitin tjetër “Tri përralla për fëmijë” dhe “Trimi i fshatit Bardhë”, “Eranda” më 1969. Boton romanin “Zëri i largët i kasolles” më 1972, dramën “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” më 1973, për t’iu rikthyer sërishmi poezisë me përmbledhjen “Në këtë qytet” po atë vit. Poezia “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare“ – pas një viti u arrestua sërish. Botimet dhe shkrimet ndër të përkohshmet e kohës u pritën mirë nga kritika por kjo gjë nuk zgjati për shumë kohë. Për Primo Shllakun Rreshpja është një rishtar i realsocializmit deri në këtë fazë të krijimtarisë së tij.
Intervista
Më 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: “Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. (…) Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë”.
Vetmi e trishtim poetik ky që do thuktohej në vëllimin poetik që do të vinte.
Shpëtim Kelmendi do të shprehej: “Në qoftë se ka diçka që duhet theksuar te Fredi është fakti se, si te çdo njeri tjetër, stili i jetës, mënyra e të jetuarit sigurisht që ndikon dhe në cilësinë poetike. Ai ka jetuar si një bohem dhe poezitë e tij janë poezi prej bohemi. Ai ka qenë i vetmuar dhe poezitë e tij janë poezi vetmie. Ai ka qenë nostalgjik për fëmijërinë dhe poezitë e tij janë poezi për fëmijërinë. Është rast unikal ku shkrihet stili i jetës me cilësinë poetike. P.sh. të veçantë fare e bën fakti se çdo poezi që shkruan Fredi, duke qenë se ka shumë sëmundje në trup, për të është e fundit, pastaj ai mund të shkruajë edhe 30 të tjera, por secila prej tyre është e fundit dhe imagjinoni pak sikur të kemi një libër me poezi të fundit. Çdo poet, poezinë e fundit e ka madhështore. Mendoni një libër me këto poezi. Kjo e bën atë special sepse ai nuk ka kohë të shkruajë një tjetër, pavarësisht se zoti jep kohë”.
Përfaqësimi
Përfshihet në vëllimin “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001” nga Hasan Hasani, mbasandej në vëllimin “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsie-t të 2003. Përfaqësohet me disa poezi në “Anthologie de la poésie albanaise” të Aleksandër Zotos (Chambéry, 1998) dhe në “Antologjinë e poezisë shqipe – Gjysmëshekulli i artë” të Ali Aliut (Tetovë, 2000) si dhe e rrumbullakson punimin e G. Krasniqit “Poezi. Sprovë antologjike” (Tiranë, 2003).
I vendosur ndër shkallaret e arketipit të poetit shqiptar sipas kritikës, kishte komunikim direkt me etnit e poezisë – gjë e cila e bënte t’i kalonte kornizat e kohës, burgut, etj.
Epilogu
Frederik Rreshpja ndahet nga jeta më 17 shkurt të 2006 në Shkodër dhe varroset të nesërmen në varrezat e Rrëmajit. Në kujtimet e tij Moikom Zeqo është shprehur: “Nuk ishin më shumë se 80 njerëz në ceremoninë e varrimit. Nga Tirana, kishte ardhur vetëm shkrimtari Shpëtim Kelmendi, si edhe poeti Myftar Gjanaj; kurse shkrimtarët e Shkodrës nuk ishin të pranishëm. Përse vallë? Përtonin të vinin në varreza? Po ç’janë këta shkrimtarë përpara Frederik Rreshpes? Nuk kanë mësuar ende të nderojnë të vdekurit e mëdhenj? Nëse nuk kanë mësuar të nderojnë të vdekurit e mëdhenj, atëherë përse shkruajnë?
Përgatiti për botim: L.Veizi