Shepend Topollaj
Asnjëherë letërsia e një vendi nuk ka parë një triumvirat letrarësh gjigantë, me aq përkime fatlume, si për kohën kur jetuan, lidhjet mes tyre, respektin e ndërsjelltë për gjithësa shkruan, talentin e jashtëzakonshëm, anën humanitare, himnizimin e dashurisë, përjetësimin e të dashurave të tyre, Beatriçe Portinari, Laura dhe Marie D` Akuino, ideimin e Rilindjes evropiane, qëndisjen e gjuhës të re të vendit të tyre, mbajtjen e kurorave me dafina mbi kokë dhe ndikimin në gjithë letërsinë botërore në shekujt që pasuan, sa ajo e fjorentinasve gjenialë Dante Aligieri (1265-1321), Françesko Petrarka (1304-1374) dhe Xhovani Bokaçio (1313-1375).
Por, le t`i marrim me radhë.
DANTE: Vinte nga një familje pak a shumë e dëgjuar në Firence. Babai i tij quhej Aligiero, kurse nëna donna Bella (Gabriela), e cila vdiq shpejt, duke e lënë dy vjeç. I ati u martua sërish dhe nga kjo martesë solli në jetë edhe tre fëmijë, nga të cilët njeri ishte djalë, por që studiuesit nuk kanë gjetur kushedi çfarë për ta. Dantja i vogël edhe pse nuk dihet mirë se si u shkollua, dihet se parapëlqente studimin e shkrimeve të shenjta dhe përvetësimin e latinishtes. Thuhet, se gjithashtu kishte mësuar edhe gjuhën provansiale dhe atë franceze. Po ashtu, mendohet me arsye se e ka tërhequr letërsia e sidomos poezia italiane dhe romanet e autorëve francezë, sidomos ata kalorsiakë që aso kohe ishin në modë, pasi dihet se romani filloi të përhapet gjerësisht në Evropën Perëndimore, qysh në shekullin e XII – të. Autorë të preferuar për të ishin Horaci, Ovidi, Seneka e sidomos Virgjili dhe për mësues pati Bruneto Latinin. Kreu një shkollë bashkie dhe nisi Universitetin e Bolonjës në Emilia – Romanja, i cili qe njohur si i tillë me dekret perandorak qysh në 1088 – tën. Ja si shkruan vetë ai në këngën XXIII te “Ferri”: “Mue në Bolonjë më kanë pas thanë” tha frati, / Se djalli ka shumë leqe, e ndër të tjera / Se asht rencak e i rrenës vetë i jati.” Por nuk qe vetëm kjo; në këtë qytet ai pa dhe admiroi shumë vepra arti të shekullit të XI – të. Nuk dihet saktësisht në i vazhdoi studimet e larta edhe në Universitetin e Parisit, por dihet se në këtë periudhë studio shumë filozofinë dhe teologjinë, kryesisht atë kristiane. Por duhet thënë se formimi i tij kulturor ishte enciklopedik. Në verën e vitit 1300, për dy muaj u bë Prior, pra një nga dhjetë njërëzit e rëndësishëm që qeverimi i guelfëve kishte, e më pas shërbeu si ambasador në San Xhiminjano dhe përfaqësues në bisedimet me Papën në Romë. Ardhja e Karl Valuasë në Firence, bëri që të largohet nga kjo detyra, pasi të Zinjtë ia hoqën të drejtat qytetare, duke i konfiskuar edhe pasurinë. Është kjo ndofta dhe arsyeja pse ai në këngën e XXXI të “Parajsa”, krahas nostalgjisë, e quan qytetin e Firences “tokën e tij të mbrapshtë”. Koha kur Dantja kaloi adoleshencën, rininë e deri diku pjekurinë, ishte e mbushur me konfrontime të dhunshme mes familjeve të mëdha që kërkonin supremaci. Vrasjet prapa shpine, ndeshjet për çështje nderi, përplasjet me armë në luftën për pushtet e zgjerim pronash e territoresh, edhe midis qyteteve dhe krahinave të ndryshme, nuk çudisnin askënd. Qyteti i Firences, i rindërtuar nga Karli i Madh, legjendar për pushtime dhe përkrahjen e kulturës, dhe pas afro tre shekujsh e gjysmë i zhvilluar nga gruaja e famshme Matilde di Kanosa, qe bërë në 1200 – tën një vend mjaft i rëndësishëm nga ana ekonomike. Tendenca politike në këtë qytet ishte guelfizmi, rreth të cilit bashkoheshin të gjithë ata që nuk pranonin sundimin e një shteti të vetëm, sikur ai të drejtohej edhe nga vetë Papa. Por lufta e tyre me partinë e Gibelinëve, solli shkretime e bëri dëme të mëdha. Është koha kur Dante merr pjesë në luftën e Kampaldinos, ku shumë patricë humbën jetën. Më pas, pra kur në vitin 1293, pas daljes së asaj që u quajt nga Xhano dela Bela si “Rregulloret e Drejtësisë”, dhe fuqinë e morën esnafët, pra, iu dha përparësi borgjezisë fiorentinase, Dantja, tani 28 vjeçar, u bashkua me të Bardhët. Ai, për të marrë pjesë në jetën publike, iu desh të rregjistrohej në shoqatën e mjekëve. Në këtë kohë, përleshjet u fuqizuan dhe midis përkrahësve të familjeve Çerki e Donati, pas krijimit nga partia Guelfe të fraksioneve; të Bardhë e të Zinj. Aq e turbullt ishte situata, sa mjafton të kujtojmë se edhe vetë Papa Bonifaci i VIII – të i cili qëndroi në fron për nëntë vjet, dhe u quajt nga vetë Dantja përgjegjës për internimin e tij në 1302 dhe dënimin tjetër për djegje në turrën e druve, si dhe shkatërrimin e Firences, pati një jetë ngarkuar me sherre të pafundme, që nga burgosja e paraardhësit të tij që kishte abdikuar, nënshtrimi i peshkopëve Kolona e deri te shkishërimi i sovranit të Francës Filipi i Bukur (i vrarë gjatë gjuetisë nga një derr), kapja prej tij rob me ndihmën e Xhakomo e Pietro Kolonës, akuzat për vrasje e simoni, pra mëkatar që bënte tregti me sendet e shenjta, çlirimi nga kryengritësit dhe vdekja pak muaj më vonë. Vetë Dantja i shprehu bindjet e tij në traktatin “Monarkia”, dhe në Firence nuk erdhi asnjëherë. Luftrat e paprera dhe gjakderdhjet të cilat ai ishte përpjekur t`i shuante me sa kishte mundur, e brengosën së tepërmi. Ajo që atij i kishte mbetur në mendje e pse jo, edhe në zemër, ishte dashuria platonike për një vajzë që e pa për herë të parë kur ishte në kishë. Ai ishte vetëm nëntë vjeç dhe ajo quhej Beatriçe Portinari që ishte e bija e Folkos, komshiut të tij. Vite më vonë, ajo i dhuroi një përkulje koke, duke marrë përfundimisht rolin e vetë Mnemozinës. “Kjo bëri që ma ngrohu shpirtin – do shkruante ai – m`u duk se e kisha arritur lumturinë më të plotë… ndjeva një ëmbëlsi e lektisje ndjenjash, ashtu i dehur dhe i trullosur ika nga sytë këmbët”. Iku, por i mbeti mendja tek ajo, kujtimi e saj e mbante të freskët dhe e mbushte me emocione, i këndoi, e qau me lot zemre si martsën e saj me Simone de Bardin, ashtu edhe kur ajo vdiq në vitin 1290, sapo kishte mbushur 23 vjeçe dhe e bëri udhërrëfyese të kryeveprës së tij “Parajsa”, drejt Zotit. Po ashtu është ajo që i kërkon Publius Virgilius Maros, poetit të vjetër mantovas, autorit të “Eneida” – s, që ta nxjerrë poetin Dante nga “pylli i egër” ku ai ka hyrë. Fundja, Virgjili mbeti për Danten, përfaqësuesi i arsyes njerëzore dhe Beatriçja, përfaqësuesja e arsyes hyjnore. Sonatat kushtuar asaj i përmblodhi rreth viteve 1293 – 1295 te “Jeta e re”. Dhimbja dhe pikëllimi për humbjen e saj, të prekin thellë, por edhe të tregojnë se sa madhështore është dashuria dhe sa të pavdekshme janë ndjenjat për të. Së bashku me poetin dhe mikun e ngushtë Guido Kavalkanti zhvilloi më tej atë që u quajt “Dolce stil nuovo”. Dantja nuk u ndal vetëm te poezitë për vajzën e dashur, dhe në periudhën 1280 – 1290 shkroi nja pesëdhejtë të tilla, por ato i kushtohen erotikës në përgjithësi, moralit, deri edhe humorit. Po ashtu, me vlera të mëdha janë dhe traktatet e tij, ku veç “Monarkia”, ku ai kërkon ndarjen e kishës nga shteti, njihen edhe “Gostia”, sprovë e prozës shkencore italiane dhe “Mbi të folmen popullore”, ku ai e mbron si rrallëkush atë. Pa e harruar për asnjë çast vezullimin e Beatriçes, tetë vjet pas vdekjes së saj, Dantja martohet me Xhema Donatin , vështrimin e syve të cilës nuk e përballoi dot. Ndjenjat e tij tani janë të pështjelluara dhe ai sido që të jetë, mendjen po atje e ka, te Beatriçja: “Mendërisht u thosha syve këto fjalë: “Jeni mësuar të më detyroni që të derdh lot për cilindo tek vë re trishtimin që i teptis me tepri; tani po më duket se dëshironi që ta harroni adhurimin tim, dhe po e bëni për hir të femrës që ju pëlqen ta sodisni, sepse edhe sytë e saj ju ledhatojnë, kurse ajo vashëza plot hire (Beatriçja), të cilën u mësuat ta vajtoni, po ju rëndet. Vetpërmbahuni, pra, sa të mundni, sepse jam unë ai që do t`jua kujtoj shpesh atë vashëzën time. Sy të mallkuar, lotët kurrë nuk duhej të pushtonin së rrjedhuri prej jush, vetëm kur t`ju pllakosë vdekja!” Sidoqë Xhema lindi me të katër fëmijë, Antonien, Beatriçen, Jakopin dhe Pjetrin, përsëri Dantja atje në emigrim, e braktisi familjen. Jetoi në disa vende dhe “Komedia Hyjnore” mendohet se nisi aty, nga viti 1313, pra në moshën 47 vjeçare deri më 1321. Kurse dihet që e përfundoi në Ravenë, kur jetës së tij, natën e 13 – 14 shtatorit të këtij viti i erdhi fundi. Por të pafundme qenë edhe ngjarjet dhe personazhet që ai pa e njohu. Jo se nuk kishte njerëz të virtytshëm, por se të liqtë ishin po ata që përshkruante vetë mitologjia. Dantja e njeh mirë atë dhe filozofinë e vjetër. Ndofta, nuk ka arritur t`i studiojë nga afër gjithë doktrinat e tyre, por indirekt është pajisur me mendimin teorik të Demokritit, Sokratit, Platonit, Pitagorës, Epikurit, Aristotelit etj. me konceptet që ata kishin për botën, njerëzit e marrëdhëniet mes tyre. E kishte përfytyruar madhërishëm strukturën e kësaj poeme me 14.233 vargje, ku përdor tercinën (Terzina – trevargësh apo terza rima – e treta rimë), pra rima të alternuara dhe ku strofat mbarojnë me një varg që shkon me vargun e parafundit të trevargëshit të fundit. Dhe këtë e kanë realizuar në shqip, përkthyes të mrekullueshëm si Pashko Gjeçi e Mark Ndoja, aq sa të duket se e gjithë poema e Dantes, më bukur tingëllon në gjuhën tonë. “Ferri”, “Purgatori” dhe “Parajsa”, në vetvete janë një trilogji që na jep një kohë, dhe i shërben të gjitha kohrave, veçanërisht me skalitjen e ligësisë, poshtërsisë, korrupsionit, pabesisë, pangopësisë, imoralitetit etj. E them këtë, pasi më erdhi ndërmend diçka teksa rilexoja një libër rreth Talejranit, të historianit të shquar Tarle, ku thuhej: “Anëtari i Akademisë Franceze Brifo në sallën që zgërdhihej dhe qeshte me të madhe nuk e kurseu sarkazmin tek deklaronte se djalli i qe drejtuar Talejranit, kur ky pas vdekjes qe gjendur në ferr, me fjalët: “I nderuar mik! Ju faleminderit për vizitën, por pranojeni se i keni kapërcyer udhëzimet që jap unë”. Se a nuk janë të tillë edhe personazhet që na skalit Dantja, të cilët me ligësitë dhe veset e tyre ja kalojnë edhe djallit vetë? Kujtojini edhe një herë ata: Frati qejfli dhe i pabesë Alberigu, si dhe vrasësi Malatestino Malatesta, tradhtarët Buezo, Ganeloni, Karlini, Tebaldelo, Ruxheri me Ugolinin (Kënga XXXIII, ndofta më e mrekullueshmja) e Boka që vrau flamurmbajtësin etj. hajdutët, Vani Fuçi, Çanfa, Anjola e Kavalkanti me shokë, deri Adimari që përvetësoi pasurinë e vetë Dantes, i pandershmi peshkop Andrea de Moci e mashtruesi Çampolo, fajdexhinjtë Bujamonte, Vitalioni, i korruptuari Gomita që për para lëshoi të burgosurit, i egri Acolini, vëllavrasësi Napoleone, kopraci Skrovenji, plangprishësi Kaç d`Ashjan, vetvrasësit si gjykatësi Loto deli Ali e kancelari Pjer dela Vinja etj. etj. Ndër shekuj njerëzimi ka parë shumë kriminelë, por ata janë harruar. Kurse pena e Dante Aligierit, ata të kohës së tij, duke i vendosur sipas meritës në rrathët e Ferrit, i ka damkosur e përjetësuar, aq sa ky është dhe ndëshkimi më i turpshëm dhe më i rëndë që u bëhet atyre. Dhe a ka profeci më të madhe, qoftë dhe për ne shqiptarët, sesa thënia e tij: “Njerëzit e rinj, fitimet e pafund, / shfrenim, mëndjemadhsi kanë ngjallë në ty, / sa qetësi, Firencë, s`po gjen askund”. A nuk vlen evokimi i historisë së politikanit Mark Krasi (115 – 53 para K.) të pangopurit me pasuri, që pasi e vranë në luftën me parthët dhe kokën e prerë ja çuan mbretit Orod, ky urdhëroi që të shkrinin ar dhe t`ja hidhnin në gojë, teksa thosh: “Ti ke pasë etje për arin, pi pra tani!” Sido që rrugën nga Ferri për Purgator poetin e merr nga dora dhe e drejton vetë i adhuruari i tij, Virgjili, i cili ja dorëzon atë për të vazhduar drejt Parajsës, Beatriçes që për të mbeti sinonim i virtytit të lartë, lexuesit nuk i largohen asnjëherë nga mendja ato që ndeshi gjatë “Ferrit”. Të vdekurit e atij konit me të cilin identifikohet Purgatori qëndrojnë në pritje të jetës së amshuar. Ata, si edhe në Ferr, shpesh mpleksen me njerëzit e dëgjuar të kohës së shkuar, ashtu sikurse edhe vetë ata vishen shpesh me petkat e personazheve biblike e mitologjisë. Dhe Dantja di ta bëjë këtë me një mjeshtëri të rrallë, aq sa kushdo beson se historia s`është tjetër, veçse vazhdim i kësaj mitologjie. Edhe këtu ndeshim teoritë filozofike si fjala vjen ajo platonikja, e mbivendosjes së shpitrave etj. këtu na dalin para syve shtatë mëkatet që po s`u spastruan duke ngjitut malin e Purgatorit, mund të sjellin vdekjen dhe që janë; krenarjia, smira, idhnia, zymtia, koprracia, grykësia dhe epshi. Dhe mbi këtë bazë janë ngritur dhe rrathët që duhen ngjitur për të mbërritur te Parajsa. Një galeri e tërë personazhesh e një pafundësi ndodhish nga më të çuditshmet e bëjnë edhe “purgatorin’, një enciklopedi më vete. Dalja në dritën e praruar të parajsës na jepet me një si moto të poetit të huazuar nga Ungjilli ku thuhet: “Beati mundo corde”, pra “Qofshin të lumtur ata që e kanë zemrën të pastër.” Dhe përfundimi del qartazi: Të pastër e kanë shpirtin vetëm ata që dinë të vlerësojnë dashurinë, dashurinë për jetën, atdheun, të bukurën, të mirën, gruan etj. se pa to, në jetë nuk mund të shkosh larg. Shumë, shumë, do të ngecësh diku në një nga rrathët e Ferrit. Firencia, që sa qe gjallë Dantja, nuk e pranoi, ka shekuj që krenohet me emrin dhe veprën e tij. Ai jo vetëm për guximin e pashembullt qytetar dhe vërtetësinë me të cilën na e solli epokën kur jetoi, por më shumë për vizionin e tij largpamës, që duke kaluar epokat e mëpasshme, ka mbërritur kaq aktual deri në ditët tona, njëzëri është quajtur i pavdekshëm. Por që unë do të shtoja edhe diçka tjetër; Dante Aligieri, më shumë se i pavdekshëm është i palindshëm. Nga ana tjetër, ai nuk u përket thjeshtë italianëve, por është konfirmimi më domethënës, se deri ku mund të shkojë gjenialitetit i racës njerëzore, gjenialitet për të cilin Xhovani Bokaçio është shprehur qysh në kohën e tij se: “emni i tij sa ma shum që do të lëmohet nga koha, aq më i qartë e ma i ndritshëm ka për t`u ba.” Dhe për fatin e vet të madh, shoqëria njerëzore, jo ashtu si Sibila e Kumës, të cilës era ja shpërndante gjethet e pemëve ku kishte shkruar profecitë e veta, e ka të plotë veprën e profetit Dante të botuar në të gjitha gjuhët e botës. Si e tillë, ajo mbetet në jetë të jetëve, pronë e shenjtë dhe e padiskutueshme e tyre. Se për Dante Aligierin, patjetër ndodh ashtu siç është thënë; “Muor Giove e l`inno del Poeta resta”, që do të thotë se ‘vdesin perënditë, himni i Poetit mbetet!