Reforma në drejtësi përplas presidentin dhe kryeministrin

Nga Fernada Cenko

 

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë luajtur sërish dje në tavolinën e ping-pongut të akuzave. Reforma në drejtësi përplasi kreun e qeverisë dhe kreu i shtetit. Duke folur për taksën e sheshtë dhe premtimet që bën opozita për këtë taksë, Rama ka akuzuar Ilir Metën dhe Sali Berishën se duan të rivënë kontrollin mbi Drejtësinë, duke përdorur kryedemokratin Lulzim Basha. “Sot, oborri i krushqve të uritur dhe dhëndrit aty, faktikisht është shfaqur që pamjen e buzëqeshur që Iliri dhe Saliu e përdorin këtë dhëndër thjesht e vetëm si një pararojë, të asaj që është qëllimi i tyre, për të rivënë në kontroll drejtësinë dhe thonë do të rikthejmë taksën e sheshtë. Domethënë do të rikthehemi në kohën kush fitonte më pak paguante më shumë, kush fitonte më shumë paguante më pak”, ka thënë Edi Rama nga qyteti i Fierit. Nuk ka munguar përgjigja e Ilir Metës, por kësaj here nga sheshi “Nënë Tereza”. Duke gjetur hapësirë në një komunikim me gazetarët, Meta i është kundërpërgjigjur Ramës sa i takon drejtësisë. Ai tha se reforma s’mund të jetë më e kapur se sa është tani duke e lidhur përgjigjen e tij edhe me letrën që bashkia i dërgoj partisë Fryma e Re Demokratike për të liruar zyrat. Ai mori si shembull edhe dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, për të cilat tha se nga peshkaqenët u kalua tek ca cironka. “Si mund të jetë më e kapur se sa është e kapur reforma në drejtësi. Si mund të jetë më tepër se sa kaq. Vetëm rasti që përmendëm pak më parë. Ka ndonjë ndjekje penale për ta. Kush i del për zot letrës së bakallit. Së dyti, ju e shikoni si u katandisën dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, nga peshkaqenët që ishin që i ka parë gjithë botë, të cilët janë akoma në listat për deputetë kalohet tek ca cironka. Njësoj si me çështjen e drogës, në vend që të vihen para përgjegjësisë ata që pastrojnë lekët e drogës, kapen ata për 2-3 gram kanabis”, deklaroi Meta. Presidenti i Republikës, i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili bëri thirrje që gratë dhe vajzat të ruhen nga harbutëria e Metës dhe Berishës. Meta tha se për të nuk është ankuar asnjë gazetare dhe të gjithë e dinë se sa i durueshëm dhe i respektueshëm është ai. Po ashtu shtoi, se dihet se si Rama i ka marrëdhëniet me femrat. “Nuk është ankuar ndonjë gazetare për prekje me dorë nga Ilir Meta dhe përkundrazi ju e dini sa i durueshëm dhe i respektueshëm kam qenë me të gjitha ju dhe e dini kush bën presione ndaj gazetarëve që bëjnë pyetje që nuk kanë kaluar nga zyra e propagandës më përpara apo pronarët e mediave të detyruar nga presionet, një pjese e tyre janë detyruar të anashkalojnë pyetjet provokuese. Sigurisht mund të ketë vend për përmirësime në sjellje me gratë, vajzave, nënave, do të bëjmë më të mirën për këtë drejtim. Por kur rekomandime të tilla vijnë nga një person kur dihet se si është sjellë me to është qesharake”, ka thënë Meta.