Zbulohen detaje të reja nga arrestimi i 37-vjeçarit Albert Zaja, i cili është autor i dyshuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt të këtij viti në rrethrrotullimin e Sheqit në Fier.
Arrestimi është bërë nga forcat operacionale në fshatin Larushkë të Niklës, ndërsa dyshohet se gjatë arrestimit ka pasur edhe të shtëna. Gjatë arrestimit, Zajës i është sekuestruar edhe një pistoletë e llojit “Gloc”, e mbushur me fishek ne gojë.
Të dyshuar për këtë vrasje janë Albert Zaja 37 vjeç, Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xhecuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç. Prej tyre është arrestuar vetëm Zaja, ndërsa 3 të tjerët janë ende në kërkim nga policia.
Mësohet se RENEA ka ushtruar kontrolle në disa banesa e biznese, ku dyshohej se fshiheshin katër të shpallurit në kërkim.
Në momentin e parë që ka kuptuar se policia ka zbarkuar në Nikël dhe kuptoi se ishte i rrethuar, Albert Zaja ka tentuar të largohet, por ka sukses. Pasi RENEA e ka ndaluar ai nuk ka bërë rezistencë.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Nikla”.
Operacioni nga Forcat Speciale “RENEA”.
Kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë që e posedonte 37 vjeçari.
Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së datë 01.02.2021 dhe kapjen e autorëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për vendodhjen e një prej autorëve të vrasjes së shtetasit Shkëlzen Kastrati, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Nikla”.
Në kuadër të operacionit , në fshatin Larushk të Krujës, Forcat Speciale RENEA bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Albert Zaja.
37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga Policia ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet , por është kapur dhe prangosur nga Policia.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale ka vendosur në mungesë për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Operacioni vijon për kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarje.
Si u ekzekutua Kastrati
Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, teksa po vinte nga ky drejtim me automjetin e tij Mercedez Benz, ndërsa autorët po e ndiqnin me një automjet tip Range Rover, nga edhe ku e qëlluan. Viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Viktima humbi jetën menjëherë pas atentatit.
Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në By-passin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip Range Rover. Grupi hetimor, brenda këtij mjeti, gjeti edhe armën tip automatik, me të cilën dyshohet se u krye ekzekutimi.
Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.