Tomori është thirrur “baba” që nga kohët homerike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Kujtim Mateli

 

Mali i Tomorit ka patur dhe ka vlerën e një institucioni fetar. Nisur nga ky konstatim i ditëve të sotme, adhurimi i njerëzve për këtë mal ka pika takimi, në mos është i njëjtë, me adhurimin e njeriut të kohëve para dhe pas homerike, që kishte hyjnizuar jo vetëm male e maja malesh, por edhe vende të veçanta që i konsideronte të shenjta. Krahas adhurimit për malin e Tomorit, ka ardhur deri në ditët e sotme edhe adhurimi për lisin e shenjtë. Adhurimi për malin Tomor dhe për lisin e shenjtë janë produkte të Dodonës pellazge, me ndikim të fuqishëm tek njerëzit jo vetëm në planin shpirtëror, por edhe mbi jetën politike, juridike, morale dhe ekonomike të shoqërisë. Nisur nga këto dëshmi dodonase të kohëve të sotme, u jam drejtuar burimeve historike për të gjetur lidhjet e hyjnizimit të malit Tomor dhe maleve të tjerë të hyjnizuar të antikitetit, veçanërisht me Olimpin. Patjetër, që burimi më i hershëm i kohës antike, janë poemat homerike. Ato do të ishin burim informacioni edhe për shenjtërinë e malit të Tomorit dhe hyjninë që banorët përreth tij, por dhe më gjerë, e adhuronin me një emër të veçantë që ishte Di patri. Ndryshe nga hyjnitë e Olimpit ambrozën hyjnisë Di patri ia çonin pëllumbat timor. Kjo praktikë ushqyerjeje në botën Helene, kishte mbetur pazëll,- na thotë studiuesi i Dodonës Herbert William Parke. Bota që e njihte këtë praktikë ushqyerjeje duhet të ketë qenë përtej njohjes së helenëve të cilët, popujt në veri të Dodonës i njihnin me emrin e përbashkët hiperboreanë. Pikërisht në botën e hiperboreanëve duhej të kërkoheshin pëllumbat timorë që i shpinin ambrozia hyjnisë Di patri. Në kohën e Bizantit emri i malit Tomor, vërtetuar me burime të shumta të autorëve bizantinë, quhej Timor. Pikërisht, pëllumbat e malit Timor, e shoqëronin hyjninë e tyre ngado që shkonte. Nëse tek helenët kishte qenë e panjohur kjo praktikë ushqyerjeje nëpërmjet pëllumbave timor, epitetit të hyjnisë së Timorit që ishte patri, i kishin dhënë kuptimin at apo baba. Në këtë kuptim përcaktori i togfjalëshit: Di patri është përkthyer në anglisht father, por edhe në greqishten e re pateras (πατέρας). Mali i Tomorit e ruan edhe sot kuptim e fjalës së vjetër patër, që kishte kuptimin baba, duke e quajtur malin: Baba Tomori. Po kur në ditët e sotme hyjnia e antikitetit me emrin Di është zëvendësuar me emrin Zeus, pothuaj në të gjitha përkthimet, kërkon të vërtetohet se në territorin e hiperboreanëve që më vonë u njohën si ilirë, a ishte hyjnia Di, hyjnia e tyre kryesore, apo ishte e lokalizuar vetëm me malin e Tomorit. Gjetjet arkeologjike në Epir dhe Iliri, vërtetojnë se në këto territore, në të gjitha mbishkrimet që janë gjetur, është nderuar hyjnia Di me një epitet të caktuar që ishte atribut i çdo qyteti në territorin e Epirit dhe Ilirisë.

 

1.Në kërkim të pëllumbit timor

Mali i Tomorit vazhdon ta sundojë botën tonë shpirtërore duke na dhënë energji dhe besim për të lëvizur përpara. Madje e thërrasim me një emër që na zhyt në thellësi të mistereve. E thërresim: baba. Ati apo babai na kujton se prej tij rrjedhin breznitë. Çfarë u ka dhënë shqiptarëve ky mal që e thërrasim me emrin baba? Në kërkim të zbardhjes së këtij misteri ndesha së pari në dy vargjet e mrekullueshme të Homerit te Odisea në analizën e studiuesit të Dodonës Herbert William Parke.

Homeri, Odisea, 12, 62

“Asnjë shpend nuk ka kaluar në atë udhë, As pëllumbat timor që sjellin ambrosia për Zeusin father”.

Parke thotë se këto vargje për komentuesit e Homerit ishin një puzzle. Po pse? Në botën helene, në mitet e saj për Zeusin, nuk njihej një praktikë e tillë e ushqyerjes së Perëndisë nëpërmjet pëllumbave. Atëherë Parke me të drejtë e gjen zanafillën e këtij miti tek origjina e Dodonës, zanafillë që përmendej tek autorët e antikitetit. Pëllumbi e ndaloi druvarin Hell të priste një lis duke e paralajmëruar se ishte lisi i Hyjnisë, i cili ende nuk ishte njohur si i shenjtë. Një pëllumb ndaloi edhe një tjetër banor të Dodonës me emrin Mardylas të priste një lis duke e paralajmëruar se ai ishte një lis i shenjtë. Nëse do t`i vihej një përcaktor këtij pëllumbi, këtë do ta merrte nga emri i vendit: pëllumbi dodonas (nga emri i qytetit apo dhe i luginës), ose pëllumbi tomar (nga emri i malit në të cilën ndodhej Dodona). Nëse pëllumbi do të kishte ndonjërin prej këtyre përcaktorëve, nuk do të mbetej puzzle për komentuesit e Homerit. Pëllumbi timor na thotë se Hyjnia kishte edhe një tjetër seli, përtej kufijve të Dodonës. Po ku? Për autorët grekë, të fillimit të antikitetit të mesëm, Dodona ka qenë skaji i njohjes së tyre. Njohjet shkonin deri në Dodonë, për shkak të tempullit dhe orakullit që i kushtoheshin Hyjnisë për të cilët thonë se ishin epiqendra e pellazgëve: Hesiodi (shek. VIII-VII para Krishtit)

Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve. Popujt në veri të Dodonës, nuk njiheshin prej tyre.

Pierre Cabanes Historia e Adriatikut, Tiranë 2005

“Ideja e Bomonit është që ta përcaktojë vendin e hiperboreanëve diku në Epir, madje në afërsi të Dodonës dhe ai mbështetet në një shënim skoliastik A, tek Iliada (II, 750 dhe XVI 233) ku Dodona cilësohet si ‘vend në anët e hiperboreanëve’. Kjo e dhënë e vërteton mendimin se deri dhe këto krahina të veriperëndimit të Greqisë ndodheshin në skajin e botës së të gjallëve”. Sa për kërkimin e ndonjë vlere historike apo të një vendndodhje gjeografike të përcaktuar për këto legjenda, është e qartë se kjo është krejt e pamundur”. Komentuesi, emri i të cilit shënohet me A, është i qartë në komentin që u ka bërë vargjeve të Homerit. Ai ishte i qartë që i gjithë territori, nga skaji më jugor i gadishullit tonë deri në Dodonë, quhej Pellazgji. Përtej këtij territori pellazgjik, vendi ishte i hiperboreanëve. Ky emërtim vinte ngaqë banorët grekë i kishin pothuajse zero marrëdhëniet me popullsitë ilire që shtriheshin në veri të Dodonës. Po as Pierre Cabanes, as dijetarë të tjerë deri më sot, nuk mund ta kuptojnë këtë territor të hiperboreanëve duke e pranuar padrejtësisht Dodonën në jugperëndim të Janinës. Nëse hiperboreanët do të ndodheshin në veri të luginës së Carakovistës ku pretendohet deri më sot Dodona, kjo është vërtet e pakuptimtë, sepse Epiri në pjesën më të madhe do të ishte tokë e hiperboreanëve. Një territor siç është Epiri me kufij të përcaktuar mirë nga autorët e antikitetit, është përcaktuar si tokë e pellazgëve. Le të kujtojmë njërin prej tyre, Strabonin që thotë se pellazgët shtriheshin deri atje, në Epir. Shumë autorë të vjetër fiset epirote i kanë quajtur pellazgjike, sepse Epiri konsiderohej territor pellazg. Thënia e komentuesit A të Homerit dhe ajo e Strabonit do të vinin në kundërshtim me njëra-tjetrën, sepse kufiri verior i Epirit nuk është lugina e Carakovistës, përtej së cilës do të ishin hiperboreanët. Këto dy dëshmi të autorëve të antikitetit përputhen me njëra-tjetrën, nëse Dodonën do ta çojmë në vendndodhjen e saj reale, sipas dëshmive të autorëve të antikitetit, në veri të Epirit, në tokën e Molosisë. Jemi në shekullin e VI para Krishtit, koha kur veprat e Homerit: “Iliada” dhe “Odiesea” përktheheshin në greqisht, kur helenët nuk kishin njohuri për fiset në veri të Dodonës. Autorët e antikitetit e vendosin Dodonës në skajin më verior të Molosisë, përtej së cilës ishin hiperboreanët. Dodona ishte kufiri ndarës midis popullsisë në veri të saj që quheshin ilirë (hiperboreanë sipas Bomonit dhe skoliatit A të Homerit) dhe popullsisë në jug të saj që quheshin pellazgë nga Straboni dhe dhjetëra autorë të tjerë. Në këtë zonë në veri të Dodonës, të panjohur për grekët, duhet kërkuar dhe pëllumbi timor që i shpinte ambrozia Zeusit të vet kudo që Hyjnia ndodhej, madje edhe larg, në brigjet e detit Mesdhe. Po trajtimi jo shkencor që i bëjnë Dodonës pellazgjike disa nga autorët modernë, bën që pëllumbi timor të mbetet puzzle deri në ditët e sotme. Arsyeja është shumë e thjeshtë: autorët e sotëm nuk kanë burim tjetër përveç atyre të antikitetit. Përderisa në antikitet ishte puzzle, puzzle do të mbetej deri në ditët e sotme. Autorët e antikitetit i pengonte mosnjohja e territorit përtej orakullit të Dodonës, kurse autorët modernë i pengon vendndodhja e gabuar e Dodonës në Jugperëndim të Janinës. Autorët sot i pengon paragjykimi se Dodona duhet trajtuar si një faltore helene, në kundërshtim me autorët e antikitetit që thoshin se Dodona ishte një faltore pellazgjike. Nëse për emrin e malit Timor nuk ka pikëpyetje,(siç do të vërtetohet në vijim) ato shtrohen për vetë autorin e Iliadës dhe Odisesë. Nëse bashkësia helene nuk kishte njohuri për pëllumbin timor apo malin e Timorit, kjo dëshmi e nxjerr Homerin jashtë bashkësisë helene. Pra, i ka përkitur popullit tjetër që jetonte në hapësirën ballkanike. Homeri i shkroi veprat e tij në shek. VIII para Krishtit, kurse me alfabetin e fenikasve, siç thuhet deri tani, që u bë dhe alfabet i helenëve, këto vepra u regjistruan në shek.VI. Në cilin alfabet i shkroi Homeri veprat e tij? Ndonjë tezë se këto këngë u mbajtën gjallë për dy shekuj nga këngëtarët popullorë, nuk qëndron. Këngëtari popullor nuk mund të këndonte vargje që nuk ua dinte kuptimin, siç është rasti konkret për pëllumbin timor. Këto vargje do të ishin zëvendësuar me vargje që ua dinin kuptimin, ose do të ishin hequr fare. Mundësia kryesore është që Homeri veprat e tij t`i ketë shkruar në një gjuhë tjetër dhe në shekullin e VI janë përkthyer në gjuhën helene bashkë me alfabetin e ri të fenikasve. Dihet që Hyjnia kishte si vendbanim të tij male që lartësoheshin mbi të tjerët. Në veri të Dodonës, një mal i tillë është vetëm mali i Tomorit të Beratit, i cili adhurohet si mal i Zotit edhe në ditët tona. Po a e ka patur ky mal emrin Timor, prej të cilit kishte marrë dhe emrin pëllumbi që i shpinte ushqimin Hyjnisë ? Në librin “Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë” apo “ Dokumente të periudhës bizantine për historinë e Shqipërisë” shek VII-XV  shohim që autorët e kohës së Bizantit e përmendin emrin e malit Tomor pranë Beratit si: (Τμωρος, Τιμωρος, Τιμωρον). Pra, në gjuhën shqipe emri i malit ka qenë Tmor apo Timor, në një kohë kur mali i Dodonës quhej Tmar apo Tomar. Në dëshmitë bizantine, Berati (Belgrad) dhe Tomori (Τιμωρος) janë përdorur shpesh, (disa dhjetëra herë nga disa autorë bizantinë) dëshmi e sigurt kjo se në periudhën bizantine shek.(VII-XV) mali quhej ende Tmor dhe Timor. Po në kohën e Bizantit në malin e Tomorit (Timorit) kishte një fortesë që quhej Timor sipas emrit të malit. Në lindje të malit ka dhe një krahinë që në kohën e Bizantit quhej Timoricë. Në kohën e Bizantit mali thirrej Timor, kalaja prej emrit të malit thirrej kalaja e Timorit, kurse krahina Timoricë. Në kohën e sotme mali quhet Tomor dhe sipas emrit të malit krahina në lindje të tij thirret Timoricë, kurse kalaja thirret me emrin e malit: kalaja e Tomori  tNga koha e Bizantit na vjen një tjetër dëshmi, jo vetëm për emrin e malit që quhej Timor, por edhe për shenjtërinë e këtij mali. Eustathi i Selanikut (Eustathius of Thessalonica) jetoi në shekullin e XII pas Krishtit (1115 – 1195/6) Njihet si komentues i Homerit, i cili shfrytëzoi komentuesit e shumtë para tij. Komentuesit e Homerit, por dhe gjeografë dhe udhëtarë të shumtë në kohën, kur ekzistonte Dodona, e japin malin e Dodonës me emrat Tmar dhe Tomar. Ndryshe nga këta, Eustathi i Selanikut thotë: “Unë kam vërejtur se tempulli i Dodonës gjendet mbi malin Timor”. Në kohën e Eustathit, Dodona nuk ekzistonte. Mali që vazhdonte të vizitohej si mal i shenjtë ishte Timori (Tomori i sotëm) i cili identifikohej si mal i shenjtë me pëllumbin timor që ushqente hyjninë Di patri. Kjo dëshmi (mbase është e vetmja) që e vendos tempullin e Dodonës mbi malin Timor. Si mund të interpretohet kjo dëshmi e tij në ditët e sotme? Në kohën e Eustathit Dodona pellazge kishte 8 shekuj që ishte zhdukur. Duhet të shënojmë se Eustathi nuk ishte një kërkues i Dodonës, por një komentues i Homerit. Ndaj dhe ai do ta përqaste malin e Dodonës me atë çfarë paraqiste realiteti i kohës së tij. Mbi malin e Timorit kishte një tempull drejt të cilit shkonin me atë intensitet dhe përkushtim si në kohën kur ekzistonte Dodona, drejt së cilës vinin nga larg popuj të ndryshëm. Ai na flet për një realitet që nuk është shuar as në ditët e sotme. Në antikitet flijonin në tempuj kafshë të ndryshme (sidomos qingja e viça) dhe bënin një lutje e kërkonin t`u realizohej një dëshirë. Pa asnjë ndryshim, kështu vepronin me po atë intensitet edhe në shekullin e kaluar duke bërë flijime dhe i drejtoheshin Tomorit me lutjen që t`u sillte shi për të mbjellat. Shiu ishte atribut i kryeperëndisë dodonase dhe ky rit erdhi deri në ditët e sotme pothuaj i pandryshuar. Banorët përreth trevave të Tomorit që nga oborri i shtëpisë apo në arat ku punonin, i drejtoheshin malit me lutje që t`u realizohej një dëshirë. Ky rit të kujton Akilin në Luftën e Trojës që i drejtohej hyjnisë së Dodonës nga larg, që nga fusha e betejës. Dhe, nëse do t`u besojmë enianëve që Akili rridhte nga fisi i tyre (sipas dëshmisë së Plutarkut) dhe enianët ishin banorë në afërsi të Dodonës, atëherë kuptohet fare qartë pse ky rit vjen i pandryshuar që nga Lufta e Trojës deri në ditët e sotme.

Lexo edhe :  Çfarë po sjell era Bardhi për PD-në e Rithemelimit

 

2.Duke kërkuar origjinën e emrit: Baba Tomori

I marrin përsëri në analizë dy vargjet e Homerit të përkthyera në anglisht nga Herbert William Parke. Tani dhe në greqishten e vjetër dhe atë të re Homeri, Odisea, kënga 12, vargjet 62-63

Teksti në greqishten e vjetër: “τῇ μέν τ᾽ οὐδὲ ποτητὰ παρέρχεται οὐδὲ πέλειαιτρήρωνες, ταί τ᾽ ἀμβροσίην Διὶ πατρὶ φέρουσιν.”

Teksti në greqishten e re: “καθώς σαλεύουν ασταμάτητα, δεν γίνεται να τις διαβείπουλί πετάμενο, μήτε τα φοβισμένα αγριοπερίστερα, αυτά που φέρνουναμβροσία στον πατέρα Δία· κάποιο κάθε φορά το κόβει.”

Shohim që hyjnia në original, në greqishten e vjetër, nuk është Zeusi, por Hyjnia Di. Me këtë emër është nderuar hyjnia e malit Timor. Edhe përkthyesi i anglishtes, nuk duhej ta përkthente father Zeus, por father Dia, ashtu siç është bërë në greqishten e re: πατέρας Δία.

“No winged thing even passes by that way, not even the timorous doves which bear ambrosia to father Zeus.” Në përkthimin anglisht përcaktori për Hyjninë është përkthyer baba (father). Pra kuptimi i togfjalëshit “Διὶ πατρὶ” ka qenë “Di babai”. Edhe përkthyesi nga greqishtja e vjetër tek greqishtja e re, togfjalëshin Di patri e ka përkthyer: πατέρας Δία, që dotë thotë Baba Dia. Pra fjala patri e kohës homerike ka patur kuptimin baba. Shtrohet pyetja. Fjala “patri” është një fjalë e shqipes apo e greqishtes së vjetër? Që kjo është një fjalë e shqipes e vërteton fakti që helenët e shekullit VI para Krishtit, nuk e njihnin botën e hiperboreanëve. Fjala patri është një fjalë e hiperboreanëve e sjell në botën helene nga Homeri. Por dhe ndërtimi morfologjik i kësaj fjale lidhet me shqipen, siç lidhet dhe fjala di me hyjninë Di. Fjala patri në shqip është një fjalë në trajtën e shquar, ka marrë mbaresën e gjinisë mashkullore: -i. Atëherë cila është trajta e pashquar e kësaj fjale? Trajta e pashquar është patër. Në format trajtë e pashquar-trajtë e shquar kemi: patër-patri. Kjo mënyrë ndërtimi korrespodon me fjalët e shqipes që mbarojnë me -ër si: breshër- breshri, dimër-dimri, emër-emri, misër-misri, mjeshtër-mjeshtri, numër-numri, ajër-ajri, drapër-drapri, dhëndër-dhëndri, gjarpër-gjarpri, urdhër-urdhri etj. Pra, forma morfologjike e lidh me shqipen. Togfjalëshi homerik Διὶ πατρὶ, ku përcaktori patri ka patur kuptimin e fjalës së sotme baba ka hyrë në greqisht si togfjalësh i një gjuhe tjetër. Greqishtja duke ruajtur kuptimin e fjalës patër, e futi në strukturat e saj morfologjike dhe, duke i shtuar mbaresën e saj -as, krijoi fjalën pateras (πατέρας) të cilën e ka në përdorim në ditët e sotme. Në greqishte krahas fjalës pateras (πατέρας) ekziston dhe fjala baba, të dyja fjalët përdoren me kuptim të njëjtë. Në gjuhën shqipe fjala e vjetër patër ka dalë nga përdorimi dhe përdoret vetëm fjala baba. Që fjala patër-patri ka patur kuptimin e fjalës baba dhe që kjo fjalë në udhëtimin e saj fonetik ka kaluar nga patër në baba e vërteton vetë emri i malit të shenjtë që thirret në ditët e sotme: Baba Tomori. Dikur hyjnia quhej Di patri që do të thotë Di babai, pas rënies së qytetërimit të Dodonës dhe lindjes së qytetërimit të krishterë, përcaktori i hyjnisë iu mbart malit, që do të ishte në ndërtimin e vjetër sintaksor Tomor babai, por që në ditët e sotme ky togfjalësh ka ndërruar pozicionet dhe mali quhet Baba Tomori. Nëpërmjet këtij teksti të vjetër të Homerit arrihet të kuptohet pse shqiptarët e quajnë këtë mal me emrin baba. Nëpërmjet këtij teksti arrijmë të kuptojmë kohën, kur shqiptarët e kanë vendosur hyjninë e tyre me emrin baba, e cila shtrihet para periudhës homerike dhe Luftës së Trojës. Kjo dëshmi është e mjaftueshme për të kuptuar që shqiptarët ndodhen në këto troje në disa mijëvjeçarë para Krishtit dhe gjuha e tyre lindi një nga mrekullitë e kësaj bote: lindi Dodonën dhe qytetërimin e saj. Ritet fetare që kryhen në ditët e sotme në Tomor dhe gojëdhënat që e shoqërojnë atë, janë burime të rëndësishme për të depërtuar në thellësi të mijëvjeçarëve, pikërisht në atë epokë që emërtohej pellazgjike. Nga epoka homerike, kur në malin Tomor adhurohej Di Patri apo Di Babai deri në ditët e sotme ku mali adhurohet si Baba Tomori është një periudhë historike mbi tre mijëvjeçare dhe një zinxhir brezazh që mund të shkojë deri në 1500, që i kanë transmetuar njëri-tjetrit thesarin dodonas, si provë e sigurt se janë shqiptarët krijuesit dhe mbajtësit e Dodonës pellazgjike përgjatë gjithë historisë së saj.

 

Përfundim

Njohja e helenëve për popullsitë që shtriheshin në veri të Dodonës, mund të ndahet në dy faza. Faza e parë është ajo, kur njohja e tyre shkonte deri në Dodonë për shkak të famës që kishte orakulli i Dodonës mbi popujt që ndodheshin rrotull, në afërsi, por dhe larg saj ku mund të përfshijmë dhe atë popullsi që quhej helene. Në këtë fazë ata i quanin popujt në veri të Dodonës me emrin përmbledhës hiperboreanë. Nëse helenët do ta kishin njohur pak më tepër Dodonën (është absurd mendimi që ata e zotëronin atë) ata do t`i kishin njohur me emra fiset që banonin në veri të saj. Faza e dytë i përket njohjes nga ana e helenëve të popullsive në veri të Dodonës dhe ata u quajtën apo quheshin me emrin përmbledhës ilirë. Kjo është faza kur gjeografët mundën të japin një panoramë të këtyre fiseve që shtriheshin përgjatë detit Adriatik. Në këtë fazë Dodona jepet në kufijtë verior të Epirit, në tokën e Molosisë, në shpat të malit Tomar. Mund të shënojmë se malin Tomar, në periudhën e Teodosit, e quanin mal të Molosisë ku ndodhej Dodona pellazge, por edhe si mal të Atintanisë ilire. Nuk ka asnjë dyshim që Dodona, kur njohuritë ishin të pakta për të, ishte në kufijtë e hiperboreanëve dhe, kur këto njohuri u plotësuan dhe madje mund t`i konsiderojmë të sakta, Dodona ishte në kufijtë e Ilirisë. Nëse në kohën më të hershme mali Timor, Di patri dhe pëllumbat timor duhet të kërkoheshin në tokën e hiperboreanëve, në kohët e mëvonshme ato ndodheshin në territorin e Ilirisë dhe pikërisht ishte mali i Timorit që mbante në trup të tij tempullin e famshëm të Di patrit, i cili u bë tempulli i përbashkët i gjithë shqiptarëve me misionin e tij historik mbi 3 mijëvjeçarë: të bashkojë shpirtërisht shqiptarët në cilëndo hapësirë që ata mund të ndodhen. Di patri i Timorit apo Baba Tomori ka qenë për shqiptarët hyjnia rreth të cilit janë ndjerë më afër me njëri-tjetrin, tek i cili kanë besuar dhe besojnë. Tomori edhe në ditët e sotme mbart përmasën universale të përbashkimit të njerëzve. Shqiptarët i kanë të dokumentuara rrënjët e origjinës së tyre tek ky mal që flet me gjuhën e perëndive. Në këtë hapësirë europiane, mbase është i vetmi mal që adhurimi për të nuk është ndërprerë në asnjë periudhë historike, por erdhi deri në ditët e sotme si provë e patjetërsueshme se në këto hapësira në perëndim të gadishullit Ballkanik ndodhet vatra që ngriti në këmbë shoqërinë njerëzore. Detyra jonë është që ta mbajmë të ndezur këtë vatër dhe në kërkimet tona të evidentohet vendndodhja e tempullit të Di patrit. Të gjitha ato rite pellazge që manifestojnë banorët e trevave jugore, por dhe më gjerë, kudo ku ka shqiptarë, duhet të ruhen dhe të vazhdojnë, pavarësisht besimeve moderne që shqiptarët kanë përqafuar në rrjedhë të shekujve. Ky mal bashkë me tempullin dodonian të Di patrit që mban në trup të tij, bashkë me ato rite dhe zakone që e shoqërojnë atë, duhet të shpallet Monument Kulture dhe kjo vlerë që është krijuar të paktën në tre mijëvjeçarët e fundit, të mbrohet nga UNESCO si vlerë universale.

Të fundit

Zhdukja e 3-vjeҫarit në Durrës/ Pas gjyshit, vihet në pranga dhe një tjetër i dyshuar

Para pesë ditësh në Durrës, është zhdukur një 3-vjeçar, ku sipas policisë së Durrësit, ende nuk asnjë gjurmë të...

Meghan Markle lançon produktin e parë nga brandi i saj i ri

Dukesha e Sussex Meghan Markle ka lançuar produktin e parë nga biznesi i saj i ri ‘American Riviera Orchard’, duke u dërguar influencuesëve dhe...

Përmbytjet në Emiratet e Bashkuara Arabe/ Shkon në 20 numri i viktimave

Përmbytjet në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë shkaktuar 20 viktima, raporton BBC. Përmbytjet bënë që të ndërpriten fluturimet në aeroportin e dytë më të ngarkuar...

Media amerikane: Ksamili, vendpushimi mesdhetar i ngjashëm me Maldivet

Për shkak të fluturimeve të pakëndshme dhe të shtrenjta në distanca të gjata në Maldive, britanikët po shfaqin më shumë hezitim për të udhëtuar. Harrojini...

VIDEO/ Rama publikon pamjet, ja si duket spitali i Mirditës pas rikonstruksionit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga transformimi i spitalit të Mirditës. Spitali i është nënshtruar një rikonstruksioni jo vetëm në fasadën e jashtme,...

Lajme të tjera

Web TV