AlbControl futet në grevë, ushtria merr Aeroportin

AlbControl në mënyrë të papritur u përfshi dje në grevë për shkak të uljes së pagave, duke sjellë si pasojë pezullimin e fluturimeve në Aeroportin e Rinasit. Nga situata e paprecedent ndërhyri FNSH dhe ushtria, duke “marrë” nën kontroll Aeroportin Ndërkombëtar të  Rinasit. Rama bën përgjegjës Metën dhe Berishën për: “inskenim me pasoja”. Meta: “Lënie nervash nga të dyja palët”.

Nga Fernada Cenko

Kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë nisur një grevë për shkak të uljes së pagave si pasojë të pandemisë. Një vit pas uljes së rrogave kontrollorët e trafikut ajror kanë vendosur që të bllokojnë fluturimet me një grevë, duke futur totalisht në kolaps Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, dhe të vetmit që lidh Shqipërinë në rrugë ajrore me shtetet e tjera. Sipas kreut të shtetit, punonjësit e Albcontrolit kanë pasur një takim me të duke i shprehur shqetësimet për uljen e pagës dhe ndryshimet e procedurave operative. Braktijsen e punës së kontrollorëve i është përgjigjur Ushtria dhe FNSH duke marrë kontrollin e aeroportit. Pas akuzave të politikës, Belinda Ballaku ministrja e Infrastrukturës dhe Niko Peleshi Ministri i Mbrojtjes, kanë lajmëruar se kontrolli i “Nënë Terezës” është marrë nga ushtria. Drejtuesit e lartë të ushtrisë kanë shprehur gatishmërinë për të marrë nën kontroll trafikun ajror të Rinasit. Kontrollorët aktualë do të zëvndësohen me të paktën 8 kontrollorë të ushtrisë, të cilët do të kthejnë në normalitet trafikun ajror në Rinas dhe do të bëjnë të mundur rinisjen e fluturimeve.