Rreziqet e shtetit-media

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatos Çoçoli

 

Fushata zgjedhore e prillit 2021 nxori në pah edhe njëherë me të gjithë diapazonin e butaforisë dhe fanfarave partiake edhe në kohë pandemie, rreziqet e kapjes së ndërgjegjes sonë publike nga shteti-media dhe politika-media. Kanë kaluar disa vite që interneti u krijoi mundësinë veprimtarëve kryesorë të partive politike që të hyjnë në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarin, pa patur nevojën e ndërmjetësimit të mediave tradicionale, si gazeta dhe televizione. Në mjedisin “online”(në internet), partitë mund të jenë vetë media, të kenë Web televizionet(televizionet në internet) e tyre, të krijojnë kanalin e vet në YouTube, faqe ndjekësish në rrjetet sociale, etj. Kaluan katër vjet nga hapja në mars të vitit 2017 e kanalit televiziv ERTV në internet, i cili transmeton, përveç kronikave, edhe lidhje “live”(drejtpërdrejt). ERTV është kthyer në markë mediatike dhe videot e tij i gjejmë të transmetohen shumë shpesh në televizionet tona, por me një rol të kthyer së prapthi. Nëse për gati dy dekada politika thërriste në ndihmë mediat tradicionale(televizionet dhe gazetat) për të ndërmjetësuar në komunikimin e saj me qytetarin, tani janë mediat tradicionale që i drejtohen në ndihmë politikës (ERTV-së, por edhe mesazheve të drejtuesve politikë në FaceBook dhe Twitter) për të marrë informacionin për ngjarjet politike dhe reagimet e përfaqësuesve të politikës për to. Tani duket model i vjetërsuar konferenca për shtyp. Po përdoret gjithnjë e më rrallë, e zëvendësuar nga statuset e politikanëve në profilet individuale apo institucionale në Facebook apo në Twitter. Numri i lajmeve që gjenerohen duke u bazuar në ERTV dhe në këto statuse vjen në rritje të frikshme, gati duke përbërë më shumë se gjysmën e lajmeve politike të televizioneve dhe gazetave kryesore! Marrja pa mundur as edhe ta interpretojnë, e deklarimit politik drejt e nga statuset ose kronikat nga ERTV dhe linqet e partive të tjera, thekson pozicionin e nënshtruar të mediave tradicionale shqiptare ndaj politikës. Qëndrimin kritik ndaj premtimeve dhe aktiviteteve të partive politike, mediat janë të detyruara ta shprehin vetëm nëpërmjet opinioneve të analistëve që angazhojnë, ose në emisionet e shkurtra satirike për deklaratat dhe qëndrimet e politikanëve. Kjo është pak, shumë pak, krejtësisht e pamjaftueshme për të sjellë realitetin e antagonizmit politik tek ne. Mediat tona tradicionale(televizionet dhe gazetat) i kanë tejet të rralla emisionet investigative dhe analitike të tyre, që përballin faktet. Mediat sociale online (portalet) provojnë të prodhojnë investigime, por me fakte e pseudo-fakte të marra nga burime në internet, pa intervista dhe analiza me protagonistë ose qytetarë viktima të politikave të shtrembëta apo të shërbimeve të munguara publike. Kjo mungesë e sjelljes së të vërtetës nëpërmjet fakteve kokëforta, ka zbehur natyrën e pavarur dhe kritike të mediave tona tradicionale, duke i detyruar të kapitullojnë pa kushte përpara politikës dhe shtetit-media. Ky kapitullim e ka ulur besueshmërinë e mediave tona tradicionale tek qytetari në nivelin më të ulët të këtyre tre dekadave funksionim të mediave të pavarura. Tani nuk kemi më media tradicionale që anojnë nga njëri krah apo krahu tjetër politik, por media të kapura nga partitë kryesore politike. Retorika populiste e tre partive kryesore në skenën tonë politike dhe rreshtimi i mediave kryesore tradicionale pas tyre ka prodhuar anashkalimin apo injorimin e medias tradicionale si burim i së vërtetës. Mohimi ose denigrimi i qëndrimit kritik të saj ndaj qeverisjes vetëm sa rrit fuqinë autoritare të partisë në qeverisje, në raport me qytetarin, duke i servirur veç “të vërtetën” virtuale të Shtetit-media. Në perspektivë afatgjatë, Shteti-media kultivon një perceptim negativ dhe një frymë mohuese për median dhe për gazetarët pa dallim, duke e lënë publikun të jetë, nga njëra anë pre e morisë së shtuar të “të vërtetave” të servirura nga partia në pushtet. Bombardimi i përditshëm i qytetarit me vetëm “të vërtetën” shtetërore rrezikon të prodhojë një autoritarizëm të ri, me pasoja për demokracinë. Nga ana tjetër, shndërrimi i vetë politikës apo i shtetit në media mund të konsiderohet edhe si përpjekje për një lloj delegjitimimi të “pushtetit të katërt” të medias tradicionale, duke e nxjerrë atë nga loja dhe duke e kthyer informimin në një funksion të pushtetit ekzekutiv, apo të partive në opozitë, si dhe të marrëdhënieve publike të tyre. Ky rrezik është real edhe për shtetet e ngjashme me ne dhe për vetë demokracitë e mëdha, por këto të fundit kanë mekanizma që lejojnë deri diku shmangien e rrjeteve të mëdha televizive nga të bërit palë e partive kryesore politike në vendin e tyre. Tek ne, sikurse edhe tek disa shtete të tjera të Ballkanit, ku media është shumë e lidhur dhe e varur nga pushteti, kjo shmangie është inekzistente.

Të fundit

Bardhi e përmendi në Kuvend/ Zegjine Çaushi i njofton shkarkimin nga Berisha

Deputjeta socialisite Zegjine Çaushi, e cila pritet ti bashkohet Parlamentit në shtator, duket se i është bërë  ‘makth’ Gazment...

Sezoni turistik/ Bashkia e Himarës pezullon ndërtimet në zonën turistike për 3 muaj

Bashkia e Himarës ka urdhëruar pezullimin e të gjitha punimeve ndërtimore në zonën turistike të qytetit nga 15 qershori deri më 15 shtator, për...

Aplikimet për azil nga shqiptarët kanë pësuar rënie apo rritje?

Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, ndonëse...

Fëmijët e Princ Williamit publikojnë mesazhin e ngrohtë për të atin në Ditën e Babait

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Babait, fëmijët e Princit të Uellsit, Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis, kanë publikuar një homazh të...

Gjithnjë e më shumë dronë të armatosur mbi Ballkan, askush nuk i mbikëqyr

Gati tridhjetë vjet pas pushimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, dronë të rinj të armatosur janë duke patrulluar në heshtje mbi rajon, por askush...

Lajme të tjera

Web TV