Beteja për votën preferenciale nxjerr në pah konfliktin brenda demokratëve në Gjirokastër. I dyti i listës së PD-së, Roland Bejko ka akuzuar fituesin e listës së PD-së, Tritan Shehun, i cili ishte i pari në lsitë.
PD mori vetëm një mandat, ndërsa PS-ja mori 3mandate. Sa i përket votës preferencial, Tritan Shehu mori 3364 vota, ndërsa Roland Bejko 2430 vota.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale Bejko shkruan se Shehu bëri fushatë kundër tij në Lazarat. “E dija siç e dinit edhe ju që brenda nesh pati anti fushatë ndaj meje. Shumë prej jush u vutë në siklet në fillim dhe gjatë fushatës, sepse zemra ua donte të punonit me mua dhe për emrin tim, por nga ana tjetër kodoshët e partisë u bënin presion me ironi e me fraza dykuptimëshe apo dhe në italisht, që të mendonit pak më shumë për pozicionin tuaj nesër në pushtet… Kjo anti fushatë u fut thellë në Lazarat, veçanërisht. Donin të dilja i pa votuar aty. Të më turpëronin!”, shkruan Bejko.
Ndërsa në një intervistë televizive në Faxëeb ai ka deklaruar se Tritan Shehu nuk duhet ta mbajë mandatin e deputetit. ““Gjirokastra nuk e ka luksin të mbajë deputetë që vijnë nga qendra dhe nuk e kuptojnë sociologjinë e zonës pavarësisht origjinës”, tha Bejko. Sipas tij politikanët në Shqipëri nuk kuptojnë deri ku i kanë limitet, duke theksuar se edhe Tritan Shehu e ka mbyllur ciklin.
Postimi i plotë në Facebook
Të dashur miq Po shikoj që në rrjetet sociale qarkullojnë komente pakënaqësie për shkakun e mungesës së një falënderimi të dedikuar demokratëve të Lazaratit nga marrësi i mandati të deputetit në Gjirokastër…
Unë nuk e di çfarë dhe si ka ndodhur, sepse prej dy ditësh i jam kthyer punës time të përditshme, pasi duke qenë se nuk punova asnjë çast për votën time personale, nuk u ngula në shkallët e pallatit të sportit të qytetit me ankthin e thellë të rezultatit të votës personale.
Së pari, sepse nuk punova për të, por për nr 9, votën e partisë, pasi vetëm ky variant mund të më çonte në Parlament, dhe së dyti, sepse nuk kisha nevojë të provoja me numrin e lartë të votave legjitimitetin tim në pozicionin që më vendosi kryetari a partia ime. Mua legjitimitetin permanent, ma ka dhënë kontributi, historia, bashkëpunimi me demokratët e më tej qytetarët e atij Qarku të veçantë, ndër vite.
Kështu që çdo votë që është shënuar në kutinë time nr 2, nuk është votë e kërkuar nga unë në shkëmbim të një premtimi a të një favori nesër në pushtet, por është votë zemre, respekti, dashurie, besimi, mirënjohjeje reciproke, vlerësimi për gjithçka kemi bërë së bashku deri më sot në ditë të mira, por sidomos në ditë të vështira që nga themelimi i PD-së.
Ndaj, u jam mirënjohës të gjithëve që më kanë votuar që nga Frashëri si skaji më i largët i Qarkut, e deri në Zagori, nga Progonati e deri në Pogon, duke futur këtu çdo qendër votimi në qytete e fshatrat aty.
Por më besoni dhe më mirëkuptoni, nëse ka një votë që më ka shijuar pa fund, kanë qenë votat në bashkinë Gjirokastër dhe veçanërisht në vendlindjen time, Lazarat.
E dija siç e dinit edhe ju që brenda nesh pati anti fushatë ndaj meje. Shumë prej jush u vutë në siklet në fillim dhe gjatë fushatës, sepse zemra ua donte të punonit me mua dhe për emrin tim, por nga ana tjetër kodoshët e partisë u bënin presion me ironi e me fraza dykuptimëshe apo dhe në italisht, që të mendonit pak më shumë për pozicionin tuaj nesër në pushtet…
Kjo antifushatë u fut thellë në Lazarat, veçanërisht. Donin të dilja i pa votuar aty. Të më turpëronin!
Por pikërisht aty, morën përgjigjen e merituar. Si gjithmonë Lazarati fisnik, Lazarati i atyre që janë në punën e tyre dhe që ndihet mirë kur shikon që dikush nga të bijtë e vet ka sukses, nuk nxin nga zilia, por shndrin nga lumturia, u tregoi vendin. I trajtoi si horra, dhe i bëri të turpërohen për horllëqet dhe pabesitë e tyre.
Ndaj, ndihem krenar për ato gra dhe burra, për ata të rinj e të moshuar që më kanë mbështetur e inkurajuar vazhdimisht për tu marrë me politikë me shpresën se besimin e tyre në mua, do t’ua ktheja mbrapsht një ditë…
Lazarati është vendlindja ime. Është dashuria ime. U jam mirënjohës për jetë unë dhe fëmijët e mi të gjithë atyre që më kanë votuar masivisht, vazhdimisht.
Megjithëse kam deklaruar se nuk do të rikthehem më për të kandiduar aty pasi i njoh limitet e mia, për asnjë arsye, u garantoj se nuk do t’u harroj kurrë si juve, ashtu edhe të gjithë demokratët e qytetarët e Qarkut që më votuan.
Ndërsa, sa për ata që ju i njihni me emra, zoti i mëshiroftë! Për shkak të pabesisë, egoizmit, zilisë dhe dritëshkurtësisë së tyre, nuk humba vetëm unë, por humbën të gjithë ata që vunë shpirtin në këtë fushatë duke besuar tek ndryshimi.
Të gjithë duhet ta dimë se pa Lazaratin dhe rininë e tij, mbi 100 qendra votimi në Qark, do të ishin pa komisionerë e pa vëzhgues. Pa votat që historikisht Lazarati i jep me shumicë absolute për PD, edhe mandati i vetëm i të mandatuarit të saj aty, do të ishte i pasigurt.
Kështu që përveç falënderimit dhe mirënjohjes së thellë për mbështetjen personale, mbështetjes së madhe dhe pa kushte që i japin PD-së lazaratasit, nuk kam asgjë më tepër për të thënë, veçse respekte dhe mirënjohje për të gjithë!
Respekte dhe mirënjohje për rininë e Lazaratit, posaçërisht! Zoti e bekoftë Lazaratin siç e ka bekuar dhe mbrojtur gjithmonë!
Zoti i bekoftë dhe i ndihmoftë demokratët dhe familjet e tyre të Qarkut Gjirokastër kudo që ata janë! Faleminderit!