Zbardhet raporti i plotë i kërkesës për shkarkimin e Presidentit, ja përmbajtja e tij

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

RAPORTI I PLOTË

KUVENDI Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Tiranë, më 06.05.2021 (Dokument parlamentar) RAPORT PËR SHQYRTIMIN E KËRKESËS SË NJË GRUPI DEPUTETËSH PËR NISJEN E PROCEDURËS SË SHKARKIMIT NGA DETYRA TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, Z. ILIR META

● Hyrje Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, (referuar në vijim ¨Komisioni¨), në cilësinë e komisionit përgjegjës, pasi u vu në dijeni nga Kryetari i Kuvendit me shkresën nr. 1081/2 prot., datë 04.05.2021 mbi depozitimin e kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin e Presidentit të Republikës, u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve në datat 05.05.2021 dhe 06.05.2021. Komisioni caktoi relatore për shqyrtimin e kërkesës deputeten Klotilda Bushka (Ferhati). Komisioni e shqyrton kërkesën bazuar në nenin 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

● Baza kushtetuese dhe ligjore Kërkesa e paraqitur për shqyrtim në Komision është propozuar nga një grup prej 49 deputetësh, sipas përcaktimeve të nenit 90, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë i cili parashikon se: ¨2.Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.¨ 2 Bazuar në nenin 112, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, kërkesa e deputetëve duhet të paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit dhe të përmbajë në mënyrë të motivuar dhe konkrete shkeljen e rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Me paraqitjen e propozimit, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës. Në zbatim të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u shprehur në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë, duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve.

● Përmbajtja e kërkesës së deputetëve Sipas kërkesës së paraqitur nga 49 deputetë, shkaqet për të cilat kërkojnë shkarkimin e Presidentit janë kryerja prej tij e shkeljeve të rënda dhe flagrante kushtetuese së fundmi, në periudhën para dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin 2021. Presidenti i Republikës ka kryer në mënyrë të përsëritur disa akte dhe sjellje të cilat në vlerësimin e deputetëve përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto akte janë bërë shkak për ndasi sociale-politike dhe nuk i kanë shërbyer interesit të përgjithshëm të popullit shqiptar. Aktet e Presidentit konsistojnë në sjellje dhe mesazhe publike të tij në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit, të papajtueshme me cilësinë e Kreut të Shtetit, të cilat nuk përkojnë me rolin e tij përfaqësues dhe ekuilibrues në jetën e vendit. Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, Z Ilir Meta para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të 2021, me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla të cilat krijuan premisa për daljen e militantëve të partive politike në rrugë, duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë dhe humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve, përfshirë vënien në rrezik të jetës së efektivëve të Policisë së Shtetit. Deklaratat dhe mesazhet e intensifikuara të Presidentit në atë periudhë qartazi favorizojnë partitë opozitare dhe njëkohësisht denigrojnë mazhorancën, duke cenuar kështu rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe duke shkelur paanësinë politike që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës. Mesazhet publike të Presidentit një ditë para ditës së votimit, e rregulluar ligjërisht si dita e heshtjes zgjedhore në respekt të të drejtës kushtetuese të individëve për të zgjedhur, intervistat e tij të shpeshta, në mediat print, audiovizive apo mediat elektronike, mesazhet ditore në rrjete sociale, të mbushura me etiketime ndaj figurave të larta shtetërore si Kryeministri, deputetë apo drejtues politikë të maxhorancës në qarqe të caktuara, mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri si persona të shituar e të blerë nga mazhoranca apo Kryeministri, jo vetëm ulën besueshmërinë e Presidentit si përfaqësues i unitetit të kombit, si një entitet unik, i cili ka si funksion promovimin e imazhit dhe reputacionit 3 të kombit të vet si brenda dhe jashtë vendit, por të publikuara edhe nga mediat e huaja cënuan rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjike të Shqipërisë si BE dhe SHBA. Sipas kërkesës së deputetëve, të gjitha aktet e kryera nga Presidenti janë në kundërshtim me detyrimet ligjore për etikën e funksionarit të lartë publik dhe denigrojnë njëkohësisht figurën e institucionit të Presidentit të Republikës. Me këto akte të përsëritura Presidenti ka shkelur rëndë detyrimet kushtetuese që burojnë nga neni 88/3 i Kushtetutës (Formula e Betimit), për të cilat është betuar t’i qëndrojë besnik që në momentin e parë të marrjes së detyrës së Presidentit. Këto akte gjithashtu janë në kundërshtim me parashikimet e neneve 82, 89 dhe 94 të Kushtetutës dhe përbëjnë shkaqe nga ato që parashikohen shprehimisht në nenin 90, paragrafi 2 i Kushtetutës për shkarkimin nga detyra të Presidentit. Deputetët kërkues, duke vlerësuar se aktet e kryera nga Presidenti janë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës kërkojnë shkarkimin e tij në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës.

● Procedura e shqyrtimit të kërkesës në komision Me shkresën nr. 1081/1 prot., datë 04.05.2021 Kryetari i Kuvendit, në zbatim të nenit 112, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, vuri në dijeni Presidentin e Republikës mbi kërkesën e 49 deputetëve për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Kryetari i Kuvendit, me shkresën nr. 1081/2 prot., datë 04.05.2021 dhe në zbatim të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, i përcolli Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut kërkesën e 49 deputetëve së bashku me dokumentet shoqëruese të tij. Komisioni, me shkresën nr. 1081/3, datë 04.05.2021, vuri në dijeni Presidentin e Republikës për datën dhe orën e shqyrtimit të kërkesës në Komision. Me shkresën e Kabinetit të Presidentit nr. 1520/2 prot., datë 05.05.2021 “Mbi njoftimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të datës 04.05.2021”, është bërë me dije gatishmëria e Presidentit të Republikës për t’u takuar, diskutuar e për t’u shprehur në Komision, duke propozuar datën 10.05.2021. Në datën 05.05.2021 Komisioni nisi shqyrtimin e kërkesës së 49 deputetëve për ta vlerësuar nëse është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi. Komisioni shqyrtoi gjithashtu kërkesën e Presidentit të Republikës dhe vendosi që seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës të zhvillohet në mbledhjen e Komisionit datë 06.05.2021. 4 Presidenti i Republikës, me shkresën nr. 1533/2 prot, datë 06.05.2021 “Mbi njoftimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të datës 05.05.2021” njoftoi Komisionin se nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e tij të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën, sipas shkresës së përcjellë nga Kabineti i Presidentit, janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit evropian të vendit. Presidenti, në shkresën e Tij ka shprehur edhe një herë gatishmërinë për t’u dëgjuar në Komision në datën 10 maj 2021. · Diskutimet në Komision Në emër të deputetëve propozues prezantimi i kërkesës në Komision u bë nga znj.Vasilika Hysi dhe z. Ervin Bushati të cilët parashtruan shkaqet për të cilat propozohet kërkesa e tyre si dhe rrethanat dhe shkeljet e rënda kushtetuese të kryera nga Presidenti i Republikës. Relatorja, znj. Klotilda Bushka (Ferhati) analizoi nga ana formale, procedurale dhe substanciale kërkesën e deputetëve. Në fjalën e saj, relatorja vlerësoi se kërkesa e deputetëve është paraqitur në bazë të përcaktimeve të nenit 90, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon qartë se kërkesa për shkarkimin e Presidentit mund të bëhet për dy shkaqe: shkelja e rëndë kushtetuese ose kryerja e një krimi të rëndë. Deputetët kanë paraqitur kërkesën për shkarkimin e Presidentit duke arsyetuar se Presidenti ka konsumuar shkelje të rënda kushtetuese. Pra, bëhet fjalë për një nga kërkesat e nenit 90, pika 2, të Kushtetutës. Kërkesa është paraqitur nga kuorumi i nevojshëm i deputetëve që kërkohet nga Kushtetuta për paraqitjen e një kërkese të tillë. Kështu që nga pikëpamja formale dhe substanciale kërkesa e tyre vjen në përputhje me dispozitat kushtetuese. Për sa u takon shkeljeve që paraqesin deputetët në kërkesë, relatorja i paraqiti në mënyrë të përmbledhur edhe një herë për efekt të shqyrtimit në Komision. Shkaqet, për të cilat kërkohet shkarkimi i Presidentit, janë kryerja e shkeljeve të rënda kushtetuese, flagrante dhe në mënyrë të përsëritur. Këto lidhen kryesisht me veprime dhe akte të Presidentit të kryera përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021. Aktet e Presidentit konsistojnë në sjellje dhe në mesazhet e tij publike në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit, të papajtueshme në cilësinë e kreut të shtetit, të cilat nuk përkojnë me rolin e tij përfaqësues dhe ekuilibrues në jetën e vendit. Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, Presidenti para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të vitit 2021, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore, me veprime, sjellje dhe mesazhe të dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, po përkundrazi, e ka nxitur atë me terma të tillë, që si pasojë kanë sjellë edhe organizime të ndryshme në publik, të cilat në fakt nxisnin dhunë, urrejtje, e deri edhe situata vetëgjyqësie. Deklaratat e mesazhet e intensifikuara të Presidentit, që qartazi favorizonin parti opozitare, e njëkohësisht denigronin maxhorancën, cenuan rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe shkelën paanësinë politike, që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës. Mesazhet e dhëna nga ana e Presidentit, qoftë në rrjetet sociale, qoftë në të gjitha burimet e informacionit, në media, në televizione apo në shtypin e shkruar e që më pas janë shpërndarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, me etiketime të Presidentit ndaj figurave të larta shtetërore, si 5 Kryeministri, deputetë, drejtuesë politikë të maxhorancës në qarqe të caktuara, mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri, të cilët janë cilësuar nga Presidenti si persona të shitur apo të blerë nga maxhoranca e Kryeministri, kanë ulur besueshmërinë e Presidentit si përfaqësues i unitetit të kombit, si një entitet unik që ka në funksionin e vet promovimin e imazhit dhe reputacionit të kombit të tij, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Të publikuara e të shpërndara edhe në media të huaja, këto mesazhe kanë cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas kërkesës së deputetëve, shtoi relatorja në fjalën e saj, të gjitha aktet e kryera nga Presidenti janë në kundërshtim edhe me detyrimet ligjore për etikën e funksionarit të lartë shtetëror, e njëkohësisht denigrojnë edhe vetë figurën e institucionit të Presidentit. Kështu, një nga argumentet që paraqitet në kërkesë, përveç shkeljeve të Kushtetutës, që radhiten këtu, ka të bëjë edhe me vlerësimin për të rikthyer në ligjshmëri institucionin e Presidentit. Këtu nuk është vënë theksi vetëm te deklaratat e Presidentit, të cilat kanë cenuar paanësinë politike dhe kanë qenë shkelje e parimit të unitetit të popullit, por edhe në faktin tjetër, se me këto deklarata, me këto akte, me këto sjellje, është denigruar edhe figura e institucionit të Presidentit të Republikës, pavarësisht se kush e mban atë detyrë. Sipas kërkesës së deputetëve, Presidenti ka shkelur detyrimet kushtetuese, që burojnë nga neni 83 i Kushtetutës, që konkretisht ka të bëjë me formulën e betimit, e në këtë formulë ka detyrime kushtetuese, që Presidenti është betuar t’u qëndrojë besnik që në ditën e parë të marrjes së detyrës. Sjelljet dhe aktet e Presidentit janë në kundërshtim me parashikimet e dispozitave të Kushtetutës, konkretisht nenet 82, 89 dhe 94, dhe kështu përbëjnë shkaqe nga ato që parashikohen shprehimisht në nenin 90, paragrafi 2 i Kushtetutës, që legjitimojnë shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin nga detyra të Presidentit sipas procedurave që parashikohen në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Për sa më sipër, relatorja vlerësoi se nga pikëpamja proceduriale formale, kërkesa është e paraqitur në përputhje me nenin 90, pika 2 të Kushtetutës dhe me nenin 112 të Rregullores së Kuvendit, ndërsa nga pikëpamja substanciale legjitimohet fillimi i procedurës së shkarkimit të Presidentit për sa kohë bëhet fjalë për një nga shkaqet që parashikon Kushtetuta për shkarkimin e Presidentit që konsistojnë në shkelje të rënda kushtetuese. Të gjitha këto, në gjykimin e saj si relatore, janë të tilla që i japin udhë vijimit të procedurës për shkarkimin e Presidentit. Më pas Komisioni vazhdoi me pyetje dhe diskutime lidhur më kërkesën e paraqitur nga deputetët. Një çështje që u diskutua dhe debatua veçanërisht në Komision, dhe që u ngrit nga deputeti Adriatik Alimadhi, ishte nëse Kuvendi aktual mund të miratojë ligje apo mund të ngrejë një komision hetimor kur është disa muaj para përfundimit të mandatit të tij. Nga Kryetari Ulsi Manja, deputeti Alket Hyseni, dhe në vazhdim dhe nga relatorja dhe anëtarë të Komisionit, për të informuar edhe opinionin publik, u sqarua se çështjet e ngritura nga deputeti Alimadhi, janë dy parashikime dhe situata të ndryshme. Në rastin e parë bëhet fjalë për miratimin e ligjeve dhe neni 65 i Kushtetutës parashikon se në periudhën 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij, nga data 9 korrik deri në datën 9 shtator, parlamenti nuk mund të nxjerrë ligje me përjashtim të rasteve që lidhen me masat e jashtëzakonshme. 6 Nga ana tjetër, për rastin e dytë, që i përket edhe çështjes që po shqyrton Komisioni, ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” në nenin 4, pika 6, parashikon se komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Komisioni i ligjeve theksoi z.Hyseni, po e shqyrton kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor para plotësimit të afatit katërmujor të parashikuar në ligj, dhe nëse Kuvendi vendos ngritjen e komisionit hetimor para datës 9 maj, ky komision ngrihet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, por nuk mund të paragjykohet në këtë moment as vendimmarrja e Kuvendit dhe as kohëzgjatja e veprimtarisë së Komisionit nëse do të miratohet ngritja e tij. Z. Hyseni u shpreh se kërkesa e Presidentit për t’u dëgjuar në datën 10 maj është bërë me qëllim për t’iu shmangur me procedurë vullnetit të sovranit dhe për të nxjerrë jashtë afatit ngritjen e komisionit hetimor. Detyra më e rëndësishme e Presidentit në një republikë parlamentare është respektimi i kërkesave dhe vullnetit të parlamentit.

Lexo edhe :  “Kisha vetëm 3 euro të fundit, mami po qante”, si mbyti varfërinë Olen Çezari në Itali

● Vlerësimi kushtetues dhe ligjor i kërkesës Komisioni për Çështjet Ligjore shqyrtoi bazueshmërinë kushtetuese dhe ligjore të kërkesës së paraqitur nga 49 deputetë të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, dhe çmoi se në aspektin ligjor dhe procedural kërkesa është paraqitur në përputhje me nenin 90, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Komisioni vlerësoi se nga pikëpamja substanciale kërkesa e 49 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës përmban shkaqet e parashikuara në nenin 90, pika 2 të Kushtetutës, për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të kryer nga Presidenti i Republikës. Kjo dispozitë shprehimisht thotë: “(…) 2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”. Në analizë të kësaj dispozite kushtetuese rezulton se: – Shkaqet për shkarkimin e Presidentit janë (i) kryerja e një shkeljeje të rëndë kushtetuese ose (ii) kryerja e një krimi të rëndë; – Shkarkimin e Presidentit kanë të drejtë ta kërkojnë jo më pak se 35 deputetë; – Vendimi i shkarkimit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Kuvendit. Shkaqet për të cilat deputetët kërkojnë shkarkimin e Presidentit, siç analizohen në kërkesën e tyre, janë kryerja prej tij e shkeljeve të rënda, flagrante dhe në mënyrë të përsëritur të 7 Kushtetutës, si dhe sjellja në kundërshtim të hapur me funksionet që parashikon Kushtetuta për Presidentin e Republikës. Gjithashtu, konstatohet se kërkesa për shkarkim është paraqitur nga 49 deputetë të Kuvendit, pra nga “jo më pak se 35 deputetë”, në respektim të parashikimeve të dispozitës kushtetuese për kuorumin e nevojshëm për paraqitjen e një kërkese për shkarkimin e Presidentit. Për sa më sipër, Komisioni për Çështjet Ligjore pasi dëgjoi kërkesën e deputetëve nismëtarëve për fillimin e procedurës për shkarkimin e presidentit, si dhe relatoren që propozoi miratimin e ngritjes së një komisioni të posaçëm hetimor sipas kërkesës së paraqitur nga deputetët, si dhe pasi vlerësoi se kërkesa e 49 deputetëve: – plotëson kriteret formale procedurale, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, dhe vjen në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit, -nga pikëpamja substanciale kërkesa përmban shkaqe për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit; vendosi t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor për verifikimin e shkeljeve të rënda që pretendohet se janë kryer nga Presidenti i Republikës.

● Përfundim Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pasi konstatoi se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës plotëson kërkesat kushtetuese dhe ligjore, vendosi miratimin e Raportit që do t’i paraqitet Kuvendit, duke propozuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar sipas parashikimeve të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit. RELATORE KRYETAR KLOTILDA BUSHKA ULSI MANJA

Të fundit

11-vjeçarja nga Lezha përfaqëson për herë të parë Shqipërinë në Sanremo Junior

11-vjeçarja nga Lezha, Kiara Ibraj, është një ndër 24 finalistët e këtij edicioni të Sanremo Junior që mbahet në...

‘Le Figaro’: Shqipëria, plazhet më të bukura të verës, nga Dhërmiu në Gjirin e Gramës

Me 300 ditët e saj me diell në vit, ujërat bruz të detit Jon dhe ishujt e saj shkëmborë, Riviera Shqiptare është shtëpia e...

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

Nga Namir Lapardhaja Një ditë pasi Gazment Bardhi foli për rikthimin e Berishës në PD, duke qenë se ai është kryetar i asaj partie, ka...

Komandanti iranian i prerë! Ja çfarë pritet të ndodhë në orët në vijim

Asnjë dëm nuk u shkaktua në sulmin e Izraelit gjatë natës ndaj Iranit. Kështu deklaroi Siavosh Mihandoust, komandanti i ushtrisë iraniane. Ai i tha televizionit...

Sekreti i Victoria Beckham për të qëndruar në formë është uthulla e mollës

Për të qëndruar në formë, Victoria Beckham pi uthull molle çdo mëngjes dhe shkenca konfirmon fuqitë e saj dobësuese. Pas fizikut të Victoria Beckham...

Lajme të tjera

Web TV