Përfundon pa rezultat operacioni i forcave turke të policisë, të cilat erdhën në Shqipëri për të kapur Faruk Fatih Ozer. Biznesmeni i kriptomonedhave hyri në Tiranë në 20 prill, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit duke marrë me vete 2 miliard dollarë.
Menjëherë, pasi i riu u shfaq në një pikë këmbimi valutor në Tiranë i shoqëruar nga Altjan Canaj, forcat turke të policisë u vunë në lëvizje dhe zbarkuan në Tiranë për të kapur Faruk Fatih Ozer. Por, mesa duket kontrollet kanë rezultuar pa sukses dhe hetuesit turq janë larguar drejt vendit të tyre.
Bosi i kriptomonedhave “Thodex” ka lëvizur në disa zona të Tiranës që prej 20 prillit, ndërsa tashmë duket sikur e ka “përpirë dheu” pasi prej gati 2 javësh nuk ka asnjë gjurmë dhe informacion për të. Mediat turke shkruajnë se atij po i ngushtohet rrethi, por në fakt deri tani s’ka asnjë rezultat konkret nga operacionet.
Edhe Prokuroria e Tiranë ka regjistruar procesim penal për turkun. Faruk Fatih Ozer është vetëm një shtetas i shpallur në kërkim dhe kërkohet kapja e tij, por drejtësia shqiptare ka nisur ndaj tij procedim penal për mashtrim kompjuterik.