Kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, nga selia blu i ka bërë thirrje kandidatit për kryetar Lulzim Bashës që të përballen së bashku në një debat publik. Kadilli po ashtu rreshtoi 5 kërkesa bazë për kryesinë e PD-së, ku nënvzoi se duhet të organizohet tre debate televizive të hapura, për publikun dhe median.
‘I kërkoj Kryesisë së Partisë Demokratike sa vijon: Të miratojë sa më parë kandidaturat që kanë kërkuar të jenë në garë, Të miratojë modalitetet për mbledhjen e aktiveve te degëve ku kandidatët me kohe te barabarte të paraqesin platformat e tyre dhe të komunikojnë me anëtarësinë; Të procedojë me ngrirjen e administratës së PD deri në zgjedhjen e Kryetarit; Të pajisjë menjëherë kandidatët me listat e plota të anëtarësisë; Të organizojë tre debate televizive, të hapura për publikun dhe median, me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve, në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Unë i kërkoj Bashës një debat publik, nuk është çështje e brendshme e PD zgjedhja e kryetarit. E quaj një fitore të parë të vetes time që ka nisur me moton ‘një parti e hapur’. E sfidoj z.Basha të pranoj debatin publik. ’- tha ndër të tjera Kadilli.