Ka një opinion disi të gjerë fatkeqësisht që kreu demokrat Lulzim Basha “lodhet shpejt” dhe nuk e mban trysninë politike, që për kushtet e vendit tonë kërkon që të jetë aktiv, qoftë edhe pa nxjerrë asnjë produkt. Megjithatë, Basha nuk “lodhet” se kërkuari gjithnjë mandatin e kryetarit të partisë, sa herë që humb shansin për të qenë në krye të qeverisë. Kështu po ndodh edhe aktualisht, ku pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare të 25 prillit, PD afroi datën e zgjedhjeve për kryetar, duke caktuar 13 qershorin si ditën vendimtare për të stampuar dikë në karrigen e liderit. Katër kandidatura do e synojnë atë post; Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
Për nga vetë fushata po kuptohet qartazi se kreu aktual i ka sërish shanset më të mëdha për tu rikonfirmuar, pasi kontrollon gjithë strukturat drejtuese të partisë dhe një pjesë të mirë të anëtarësisë aktive. Situata brenda PD-së duket interesante në këto zgjedhje, jo vetëm për numrin e kandidatëve, por për atë çfarë zien në kampin opozitar ku dyshja më e fortë, e “shkrirë në një” Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë në pikën e tyre më të ulët politike. Lideri historik Sali Berisha (që nuk është aq historik) u shpall “non grata” nga SHBA për akuzën e rëndë të “kurrupsionit në favor të familjes dhe aleatëve” dhe “minimit të demokracisë”.
Ndonëse në deklarime është munduar të tregojë se betejën ligjore disi të paqartë kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken do e ketë si individ, sërish e ka tërhequr partinë nga pas. Nga ana tjetër, edhe Lulzim Basha është në pozita të vështira, si për rastin “non grata” të Berishës, ku i duhet të mbajë një qëndrim më të prerë, ashtu edhe për faktin se që nga viti 2013 që mori partinë nuk ka regjistruar asnjë fitore në zgjedhjet lokale dhe qëndrore.
Tre sfidantët e tjerë janë po aq interesant për tu analizuar, pasi përbëjnë një miks mes ish-krerëve të PD-së të pezmatuar prej vitesh nga politika e Bashës, ashtu edhe prurjet e vetë Bashës që kanë ambicie, por edhe pakënaqësi nga mënyra sesi kreu democrat po mban me “dorë të hekurt” partinë, duke shënuar gjithnjë dështime përballë kundërshtarit politik të vërtetë Edi Rama.
Basha me gjasë mund të dalë sërish fitues, duke regjistruar një nga ata fitoret që nuk të gëzojnë shumë, pasi gjithnjë do të ketë vulën që nuk hiqet se: “përderisa nuk ka demokraci brenda partisë si mund të mundë rivalin Rama”? Për gazetën “Fjala”, mbi zhvillimet politike brenda kampit opozitar dhanë opinionin e tyre Frrok Çupi, Lorenc Vangjeli dhe Leonard Karaj.
Frrok Çupi/ PD-në E MERR ME VETE BERISHA; PD NUK KA AS ZGJEDHJE, AS DEMOKRACI
Në 13 qershor do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. Janë zyrtarizuar 4 kandidatura ku njeri prej tyre është edhe kreu aktual Lulzim Basha, i cili nuk e ka paraqitur dorëheqjen e postit që mban. A mund të konsiderohet garë e barabartë?
Në Partinë Demokratike nuk ka garë, aq më hiç garë ‘të barabartë’, siç thuhet. Në PD nuk është bërë kurrë garë për zgjedhjen e kryetarit të partisë. I vetmi votim i drejtë ka qenë votimi i vitit 1991, fillim- shkurti. Deri atëherë, PD e krijuar në 12 dhjetor 1990, drejtohej nga një institucion i ‘zgjedhur’ me ‘agreement and gentleman’ dhe që quhej Komisioni Nismëtar i PD, kryesuar nga Azem Hajdari. Diku nga fundi i Janarit ’91, nëpër korridore u vendos që të zëvendësohej ky organizëm dhe të zgjidhej kryetari. Të 13 anëtarët e Komisionit Nismëtar, natën vonë, kanë votuar për 3 kandidatura: Meksi, Pashko dhe Berisha. Votimi ishte i fshehtë. Në numërimin e 13 votave, doli ky rezultat: Berisha- 2 vota, Pashko- 2 vota, ndërsa Meksi fitoi 9 vota dhe u shpall kryetar i PD. Kjo ishte zgjedhja e parë, që mbeti edhe e vetmja zgjedhje. Berisha, sapo mori vesh rezultatin, ‘luajti menç’ dhe ulërinte sa kishte në kokë, përplasi gjithçka në zyrë dhe tha se ‘do të prishte partinë’ nëse nuk zgjidhej kryetar. U ngrit edhe Azem Hajdari që tha se ‘e lë partinë vetëm për një tropojan, jo për një gjinokastrali’, dhe iku. E ndoqi pas edhe Arben Imami. Partia iku për kot. Ishte natë, pas mesnate…. Të nesërmen u gjet një zgjidhje, zgjidhje i thënçin: ‘Ta zgjerojmë këshillin e partisë, të bëjmë një mbledhje tjetër dhe të porosisim secilin që të votojë për Sali Berishën’. Ky është thelbi dhe mjerimi: ‘Të porosisim secilin që të votojë për Berishën’… Kështu ndodhi në 14 shkurt, ditën e San Valentinit, në Pallatin e Kulturës. E më nuk ka pasur zgjedhje në PD. Si mund të ketë zgjedhje sot? Sot, me shpalljen e Berishës ‘minues i demokracisë’ dhe ‘familje kriminale’, ‘i përshirë në korrupsion të madh’, PD-së i kanë dalë brinjët. Luli as do të japë dorëheqje, as do të zgjidhet. Luli do të emërohet kryetar i PD, sa të jetë Berisha këndej pari. PD-në e merr me vete Berisha në rrugën për ku është nisur pas krimeve 30 vjeçare.
Nga ana e tij, Basha duket se po i jep rëndësi edhe më shumë se zgjedhjeve të përgjithshme, garës aktuale për kryetar në parti. Pse është kaq e rëndësishme për Bashën mbajtja e postit me çdo kusht e mjet?
Mbajtja e postit të kryetarit është e rëndësishme për Bashën, por jo vetëm Bashën; është e rëndësishme për Bashën dhe Berishën. Bashën e ka vënë aty Berisha dhe do ta mbajë sa të ketë jetë. Sepse Basha është caktuar të mbajë Partinë Demokratike, që Partia Demokratike të ruajë pasurinë e paligjshme dhe krimet e familjes Berisha. Kaq e thjeshtë është. Basha, për vete, tashmë ka një barrë me akuza për krime; e si mund të largohet nga ’bunkeri’? Zoti (Amerika) ka hapur një dritë të fuqishme për të gjithë; dhe do të shikojmë se si do të shkojë Luli dhe PD pas Berishës, atje ku është nisur puna.
Duket se i vetmi qëndrim që bashkon katër kandidaturat është çështja Berisha, pas shpalljes së tij “non grada” nga SHBA, ku të katërt kandidatët janë edhe me Amerikën dhe me Berishën. Përse nuk janë të prerë në deklaratat e tyre?
Të katër kandidatët, madje edhe lëvizja ‘Për PD-në’ i bashkon një gjë: Janë krijesë e Berishës. Të gjithë ‘dun babën’. Po kush do ta dojë Shqipërinë? Kush do ta dojë Drejtësinë? Kush do ta pastrojë krimin, duke nisur nga më i madhi- Berisha?… Këtu ka ardhur puna tani. Mendojeni sa në hall të madh janë kandidatët, që janë caktuar të mbrojnë krimet e Berishës, së bashku me Bashën?! Berisha ka krijuar një grup kandidatësh, foto- kopje të Bashës, për imazh ‘demokracie’. Të gjithë janë të mëkatuar dhe të lidhur pas Berishës. I keni parë që sulmojnë Amerikën për të mbrojtur Berishën?! Këtu mbaron gjithçka. Këta bëjnë farsë, bëjnë farsë me vetëdije. Vetë, vullnetarisht, katër kandidatët bëhen pjesë e farsës. Sa e turpshme!
Basha ndodhet përballë Shehajt, Harxhit dhe Kadillit, ku mbetet më i favorizuari për shkak të kontrollit mbi strukturat. Pavarësisht fitores së mundshme, a është momenti që brenda PD të shfaqen seriozisht fraksione?
Është akoma shpejt për të dalluar ‘fraksionet brenda PD’. Madje është shumë shpejt edhe për zgjedhje- nëse zgjedhjet do të ishin seriozisht. Pse është shpejt? Sepse ‘shkëmbi i madh’ Berisha po bie nga mali dhe do të shembet në hone. Honet do të jenë Prokuroria, Gjykata, Drejtësia… Ku ta dish se ku… Berisha do të thërrmohet, më në fund. Vetëm atëherë mund të flitet për një parti post- Berishë. Por këta i bënë zgjedhjet shpejt e shpejt, me qëllim që të mbledhin partinë si ushtri në mbrojtje të Berishës, kundër Amerikës. Ky është qëllimi i këtyre në PD, nisur nga Berisha… Po fraksionet?, pyesni ju? PD mund të copëtohet, por jo në formën e fraksioneve politike.
LEONARD KARAJ/ “Zgjedhjet në PD, si 25 prilli i Ramës, Bashën e mund vetëm…. Berisha”
Në 13 qershor do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. Janë zyrtarizuar 4 kandidatura ku njeri prej tyre është edhe kreu aktual Lulzim Basha, i cili nuk e ka paraqitur dorëheqjen e postit që mban. A mund të konsiderohet garë e barabartë?
Teorikisht po, praktikisht jo. Nëse gërmëzojmë statustin e Partisë Demokratike, ashtu sikundër e patën votuar vetë demokratët me ndryshimet e bëra në 2018-ën, atëherë, z. Basha është në të drejtën e vet legjitime që të sillet në këtë mënyrë. Pra, duke mos dhënë jo thjesht dorëhqjen nga kreu i PD-së (kjo sigurisht për moral, por asesi për shkak të statutit dhe rregullave në parti); jo vetëm duke afruar datën e zgjedhjeve, duke cunguar praktikisht, ndjeshëm kohën kundërshtarëve, për fushatë zgjedhore brenda partisë; por edhe duke përdorur të gjithë arsenalin administrativ që ka në dorë prej vitesh tashmë si kryetar në këtë forcë politike. Nga ana tjetër, të thuash se PD-ja po zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda vehtes, është njëlloj sikundër të besosh që të njëjtën gjë bëri edhe Rama më 25 prill. Unë besoj fort se zgjedhjet e këtij viti ishin një maskaradë e vërtetë zgjedhore, e krahasuar përse jo edhe me 1996-ën dhe të 2001-in, me ndryshimin e vetëm dhe thelbësor, se këtë herë manipulimi i votës ndodhi përpara sesa të shkohej tek kutia e votimit. Me këtë arsyetim, duket disi e legjitimuar edhe “luga e çorbës” që ndërkombëtarët na kanë servirur fill pas datës 25, duke bërë garë me njëri-tjetrin se kush e ksuh, më parë të uronte Ramën “për fitoren”. Po, 25 prilli ishte një ditë e qetë, por çka kishte ndodhur deri atë ditë, pat qenë një fortunë e vërtetë, që çudi që “nuk u vërejt” nga asnjë faktor i jashtëm. E njëjta gjë pak a shumë, po ndodh edhe në këto pragzgjedhje të PD-së. 13 qershori në PD me siguri absolute gati, do kalojë pa asnjë problem, por për të shkuar deri te kjo ditë, të paktën 3 kundërshtarët e Bashës, do duhet të llogarisin, përbuzjen, arrogancën, presionin, inkoherencën dhe gjithçka tjetër që këtë garë, praktikisht nuk e bën aspak më të hapur, më qytetare dhe më të mirë sesa ajo që na serviri Rama më 25 prill. Por, ti kërkosh kundërshtarit tënd politik, rregulla të qarta përpara sesa të hysh në një garë zgjedhore, do duhet që minimalisht këtë gjë ta bësh në shtëpinë tënde. Në të kundërt, nuk ka pikë morali që në çdo dalje publike të anatemosh Ramën si diktator i kohëve moderne dhe i kapur nga oligarkët, kur sillesh thuajse njëlloj berdna falimjes tënde politike.
Nga ana e tij, Basha duket se po i jep rëndësi edhe më shumë se zgjedhjeve të përgjithshme, garës aktuale për kryetar në parti. Pse është kaq e rëndësishme për Bashën mbajtja e postit me çdo kusht dhe mjet?
Në fakt është ironike kur mendon se ka qenë vetë Lulzim Basha që disa herë ka thënë se është pro një ndryshimi thelbësor në politikën shqiptare, atë të vendosjes së një rregulli ku asnjë politikan të mos ketë mundësi të jetë më shumë se 2 mandate si kryeministër. Pra, një kufizim mandati, pak a shumë sikundër është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por paradoksi është se nga një ana kërkon që të kufizojë mandatin e një kryeministri dhe nga ana tjetër garon për një mandat të tretë si kryetar partie, pavarësisht se ka humbur në të gjitha garat, të vogla apo të mëdha si kreu i kësaj force politike. Kjo i ngjan asaj shprehjes: bëni siç them unë, por mos bëni siç bëj unë. Në këtë kontekst, duket sikur Basha ka një inkoherencë totale në lidhje me qëndrimet dhe deklaratat, kjo edhe në një kohë tejet të shkurtër. Duket sikur ai nuk dëshiron të lërë postin e kreut të opozitës, të paktën pa fitur një garë elektorale, çka për mendimin tim, me këtë lloj qasje, veçse po i shton ditët në qeverisje Edi Ramës dhe po pakëson numrin e demokratëve në përkrahje të PD-së.
Duket se i vetmi qëndrim që bashkon katër kandidaturat është çështja Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ku të katërt kandidatët janë edhe me Amerikën dhe me Berishën. Përse nuk janë të prerë në deklaratat e tyre?
Berisha nuk është thjesht Berisha. Berisha është institucion në PD. Dhe këtë e dinë mirë qofshin ata që kandidojnë qofshin edhe ata që përkrahin këta kandidatë. Ti dalësh kundër Berishës, të paktën tani për tani, do të ishte një vetvrasje politike e paralajmëruar. Unë besoj fort se Basha erdhi në krye të PD-së me bekimin e Berishës dhe ka vijuar të ketë baza të forta pikërisht se ky i fundit, më e pakta, nuk i ka dalë kundër aq sa duhet, ose më shumë akoma, e ka përkrahur edhe duke heshtur. Imagjnoni sadopk se çfarë efekti do të kishte në PD, në bazë dhe në qendër, nëse Berisha do të dilte me një deklaratë të qartë për dorëheqjen e Bashës nga kreu i partisë, ashtu sikundër bëri ish-presidenti Nishani!? Me siguri, Basha nuk do mendohej dy herë për t’u dorëhequr. Këtë e di mjaft mirë ky i fundit dhe në këtë kontekst edhe kandidatët e tjerë, të cilët për shkak të peshës që ka ende Berisha në këtë forcë politike, tentojnë të mbajnë sa një sy nga SHBA dhe një tjetër nga zyra e e këtij të fundit.
Basha ndodhet përballë Shehajt, Harxhit dhe Kadillit, ku mbetet më i favorizuari për shkak të kontrollit mbi strukutrat. Pavarësisht fitores së mundshme, a është momenti që brenda PD të shfaqen seriozisht fraksione?
Në PD ka pasur gjithnjë zëra kundër dhe fraksione, vetëm se nuk janë konkretizuar në lëvizje brenda për brenda partisë. Gjithsesi, një frakzionizim tjetër në këtë forcë politike do të sillte me siguri të plotë thuajse ç’bërjen e saj. Edhe pse kanë kaluar 8 vjet të Ramës në qeveri, PD-ja nën drejtimin e Bashës është më keq sesa në 2013 në raport me numrat në votime. Imagjinoni tani sikur të ketë edhe të tjera bjerrje nga ana e të pakënaqurve!? Kështu që unë gjykoj se do të ishte fatale për Bashën në radhë të parë, si kryetar i ri i PD-së pas 13 qershorit (unë besoj se në PD nuk ka garë dhe kështu sikundër po shkojnë situatat gjatë kësaj fushate zgjedhore Basha, thjesht do të rikonfirmohet në detyrë), që me gjakftohtësinë e një lideri, që duhej të ishte dhe të jetë, të afrojë pranë kësaj force politike, çdo opozitar të mundshëm, qofshin këta edhe kundërshtarë të egër të tij personalisht. Të jesh pragmatist kur përballë ke një kundërshtar të tipit Erdogan apo Putin sikundër është Rama, do të ishte zgjidhja më e mirë për të krijuar një frymë të re dhe për të ardhur sa më shpejt në pushtet. E kundërta, pra ajo që ka ndodhur deri tani, çon ujë thjesht në “mullirin e komshiut (kupto Ramën)”.
Lorenc Vangjeli/ Basha i aftë të humbasë edhe kur ishte e pamundur të mos fitonte
Në 13 qershor do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike. Janë zyrtarizuar 4 kandidatura ku njeri prej tyre është edhe kreu aktual Lulzim Basha, i cili nuk e ka paraqitur dorëheqjen e postit që mban. A mund të konsiderohet garë e barabartë?
Gara nuk është e barabartë në asnjë nga detajet që e shoqërojnë. Mungesa e dorëheqjes së Bashës, për të hyrë në garë pa spaletat e kryetarit, as shton dhe as nuk pakëson gjë në pabarazinë e kandidatëve mes tyre. Nuk mund të shash ekuilibrin në peshoren e prishur që në fillim. Basha është, për mirë apo për keq, një nga pjesët më të rëndësishme të historisë së tetë vjetëve të PD-së dhe kjo është epërsia e tij e parë dhe e pandryshueshme edhe nëse dorëhiqet para garës. Nëse ai do të donte të afronte garë të ndershme në PD, së paku kësaj here nuk duhej të ishte ulur në gjunjë në startin e ripërsëritur të garës, për aq sa ajo është e tillë. Sa kohë ai është pjesë e konkurrimit, barazia nuk bën pjesë në kushtet e asaj gare. Në Shqipëri, drejtuesit, kryetarët apo edhe ajo specia shumë e rrallë – liderët – mund të largohen vetëm në dy raste. Kur ikin vetë ose kur i thërret një forcë madhore në apel. Një forcë madje, edhe më e madhe se vetë Departamenti Amerikan i Shtetit. Domethënë, ata ikin vetëm kur largohen nga kjo jetë. I gjithë debati nëse duhet apo jo të japë Basha dorëheqjen para garës është artificial dhe i padobishëm. Ai shmang vëmendjen nga problematika shumë më serioze, siç është analiza se pse u humbën një tjetër palë zgjedhje që duhet të ishin logjikisht, teorikisht, moralisht dhe matematikisht të fituara. Në këtë pikë, Basha pati aftësinë e admirueshme që të humbasë aty ku çdo kush tjetër do ta kishte të pamundur të mos fitonte. Edhe miqtë, edhe kundërshtarët e tij, herët a vonë duhet t’ja njohin këtë meritë kryetarit formal dhe që pritet të rizgjidhet.
Nga ana e tij, Basha duket se po i jep rëndësi edhe më shumë se zgjedhjeve të përgjithshme, garës aktuale për kryetar në parti. Pse është kaq e rëndësishme për Bashën mbajtja e postit me çdo kusht e mjet?
Sepse nuk do që të ikë. Sepse në PD, ashtu sikudo gjetkë në Shqipëri, shprehja hipokrite: Vdis, pa të të dua!, në politikë përkthehet: Të dua sa je në pushtet! Nëse Basha largohet nga detyra, me autoritetin moral të humbësit të përsëritur, rrezik as roja i parkingut, nuk do ta përshëndesë më kryetarin e sotëm të PD-së. Ai do të jetë një barrë për fituesin, një bezdi për ish-miqtë dhe gallatë për kundërshtarët. Më pas, si i ikur, ai do të nisë të kthehet pak nga pak në jetën e përditshme të një njeriu anonim që kishte çdo mundësi, por luajti edhe vetë kundër fatit që ja shkëlqyen të tjerët. Për të mos arritur në këtë pikë, Basha do t’i mbesë në derë PD-së si mundësi e vetme, njëlloj si ato gratë që kur ndjejnë se ju shkon mosha, bëjnë zgjedhje të detyruar për martesë. Pushteti dhe edhe pushteti në opozitë është drogë dhe krijon varësi më të fortë se çfarë do lloj droge. Ai të bën të ndjehesh i mençur edhe kur flet budallalliqe, të jep respekt, edhe kur mezi presin të të marrin me shkelma, të bën të ndjehesh i fortë, edhe kur dobësia ulërin. Eshtë kaq e ngulitur një ndjesi e tillë në të gjithë ata që kanë provuar pak nga magjia e pushtetit në Tiranë, sa edhe kur janë larguar prej tij, vijnë rrotull me vite si ajo zhurma nëpër brekë, me shpresë të ngjiten edhe njëherë lart.
Duket se i vetmi qendrim që bashkon katër kandidaturat është çështja Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ku të katërt kandidatëtë janë edhe me Amerikën dhe me Berishën. Përse nuk janë të prerë në deklaratat e tyre?
Ka një keqkuptim të fortë me çështjen Berisha. Socialistët e shohin atë si një gjëmë që ka ndodhur në oborrin e PD-së dhe që nuk ka të bëjë fare me ta, kurse demokratët vazhdojnë të luten që e gjitha të jetë një ëndërr e keqe dhe që nga Uashingtoni të thonë sa më shpejt që të jetë e mundur: “Na falni, ishte një gabim teknik. Berisha është një mik i madh i Shteteve të Bashkuara dhe burrë i madh shteti!”. Kjo nuk ndodh. Do të ndodhë edhe më keq. Do të jetë dhe do të ketë edhe shumë më shumë se kaq. Për paradoks, por edhe për logjikë, i vetmi që ngjan se e ka kuptuar përmasën e vërtetë të kësaj historie dhe që nuk është as Basha, as tre sfidantët e tij dhe askush tjetër në skenën politike vendase, është Edi Rama. Ai ka zgjedhur të heshtë. Dhe ky është rasti ndoshti i vetëm që heshtja e tij i jep më shumë dinjitet si politikan klasi sesa shumica e fjalimeve të tij të gjatë ku ai i reciton dinjitetit vetjak. Eshtë e vështirë të pranohet kjo lloj heshtjeje nga një individ si Rama që nuk ka hezituar të bëjë beteja edhe kur nuk ishin të nevojshme dhe ju është shmangur betejave të domosdoshme duke humbur ca dhe duke fituar ca beteja të tjera. Në një vështrim naiv Rama duhej të ngrysej në Sheshin Skënderbej duke festuar me dajre sepse kundërshtari i tij më i egër, ai që në 30 vjet i ka ngacmuar çdo të gjallë përreth tij dhe nuk i ka lënë të qetë as të vdekurit e shenjtë, tanimë është ekzekutuar nga aleati strategjik i Shqipërisë. Rama pari mundësinë që nga pozicioni i kryeministrit të shihte ndeshjen mes mitit më të madh modern shqiptar, për mirësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe mitit të liderit të tranzicionit. Në marrëdhënie me historinë, ndoshta Rama ka kuptuar se kjo është një ngjarje që shënjon fillimin e fundit të tranzicionit. Sepse shembi një simbol. Komunizmi ra formalisht në Shqipëri kur shtatorja e Hoxhës u rrëzua nga Sheshi Skënderbej, tranzicioni do të mbyllet formalisht mbas shpinës së Doktorit.Askush në PD nuk e pranon një gjë të tillë. Eshtë e kotë ta kërkosh këtë gjilpërë të hollë logjike në atë mullar paqartësie të demokratëve të sotëm, ende në anestezinë e zgjedhjeve që i humbën vetë. Duke vrapuar drejt humbjes së paku dy vjetët e fundit me largpamësinë e pulës me kokë të prerë që gjëmon kokrrën e munguar të misrit.
Basha ndodhet përballë Shehajt, Harxhit dhe Kadillit, ku mbetet më i favorizuari për shkak të kontrollit mbi strukutrat. Pavarësisht fitores së mundshme, a është momenti që brenda PD të shfaqen seriozisht fraksione?
Në një kuptim më të gjerë të fjalës PD ka nevojë për të kundërtën. Ka nevojë që partia të bëhet ombrellë e një fronti shumë të gjerë që të nisë me të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Edi Rama. Ata duhet të bashkojnë çdo zë, çdo figurë, çdo votë kundër socialistëve për të pasur shans në ndeshje. Ata duhet të bëhen normalë. Të besojnë tek sistemi dhe të përbuzin të gjitha ngasjet satanike për qëndrime ekstrademokratike. Edi Rama në 2021 nuk ishte kurrsesi më i fortë se Berisha në 2017-ën, i cili u mund me votë. PD duhet të thithë çdo gram dhe çdo grimë energjie në betejën e saj për votën dhe me votë. Ndryshe, kushdo që do të rrëmbejë foltoren zyrtare në PD-në e nesërme, nuk do të jetë më shumë se një fokë e vetëkënaqur akuariumi. Që do ta konsiderojë akuariumin e saj si cakun fundor të botës dhe vetën, si sirenë mençurie.