Lehtësimi i masave/ Rama: E dimë mirë atë që bëjmë dhe nuk do të biem në kurthin e euforisë

Kryeministri Edi Rama shkruan se Shqipëria është në krye të klasifikimit në Europë për ultësinë e nivelit të infektimeve e të humbjeve të jetës.

Përmes një reagimi në Twitter, pavarësisht situatës pozitive, shefi i qeverisë kërkon që të mos bëhen krahasime me vendet e tjera për orën policore.

Rama iu është përgjigjur kritikëve që kërkojnë të mos ketë fare orë policore, duke thënë se “e dimë mirë atë që bëjmë dhe nuk do të biem në kurthin e euforisë”.

“Kush bën krahasime me vendet e tjera për orën policore antiCovid, të mos harrojë se prej disa kohësh tanimë jemi në krye të klasifikimit në Europë për ultësinë e nivelit të infektimeve e të humbjeve të jetës! Dmth e dimë mirë atë që bëjmë dhe nuk do të biem në kurthin e euforisë!”, shkruan Rama.

Duke filluar nga 1 Qershori, Komiteti i Ekspertëve vendosi të hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme, por maska do të mbahet në ambientet e mbyllura dhe transportin publik.

Gjithsesi, ora policore mbetet në fuqi. Konkretisht, ora policore nga 22:00 do të kalojë në orën 23:00 deri në orën 06:00. Përsa i përket lokaleve të natës do të vijojnë të mbeten të mbyllura dhe muzika do të lejohet deri në orën 22:00.