Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca vizituan sot punimet në një shkollë në Kurbin, me financim të Bashkimit Evropian. Në fjalën e tij, ambasadori Soreca u shpreh se janë financuar 75 mln euro për 60 shkolla.
“Sot jemi në Kurbin me kryeministrin, po ashtu edhe me miqtë tanë nga PNUD për të vizituar dy shkolla që po rindërtohen në sajë të programit të BE 75 mln euro për më shumë se 60 shkolla dhe janë këto fonde të dhurua nga KE. Në këto shkolla po vlerësojmë cilësinë e ndërtimit. Ky është soldiariteti i BE për Shqipërinë në formë konkrete. Me anë të këtyre fondeve që janë dhuruar për më shumë se 25 mijë nxënësve të shkollave 9-vjecare dhe të mesme. Europa është këtu”, u shpreh Soreca.
Nga ana e tij, kryeministri Rama falënderoi diplomatin evropian për kontributin që kanë dhënë. Sipas Ramës, shkollat e reja që po ndërtohen janë me standarde dhe nuk kanë asgjë më pak se shkollat e BE.
“Projekti është pjesë e fazës së dytë, pasi jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fonde të qeverisë. Tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE për të vazhduar të ndërtojmë shkolla me cilësi të lartë. Nuk kanë asgjë më pak sesa shkollat e mira në BE. Përveç të tjerash shkollat e reja janë me eficencë energjitike që garantojnë kursim energjie dhe një mikroklime më të këndshme, qoftë në verë qoftë në dimër. Dua ti falënderoj të gjithë partnerët tanë, posaçërisht mikun tonë napoletan, ambasadorin e BE”, u shpreh Rama.